2 vjet pas aksionit me kazinot qeveria i rikthen sërish

Qeveria ka miratuar dy vendime që lejojnë rritjen e numrit të kazinove në vend.
Vendimi i parë i Këshillit të Ministrave i publikuar këtë të mërkurë është në Fletoren Zyrtare është për miratimin e zonës ku lejohet vendosja për zhvillimin e lojës së fatit, të kategorisë “Kazino”, në qytetin e Tiranës.
Vendimi ka përcaktuar edhe hartën në ku do të ushtrojnë aktivitetin këto subjekte të lojërave të fatit. Atë do të mund të gjeni në epiqendrën e kryeqytetit, konkretisht në “Rrugën e Barrikadave”, në rrugën “Urani Pano”, tek rruga “Dedë Gjon Luli”, rruga “Ibrahim Rrugova”, Bulevardi “Zhan D’Ark”, dhe rruga “Xhorxh W. Bush” dhe në këtë formë vendim tashmë ka hyrë në fuqi.
Pas vendimit për të ndaluar lojërat e fatit në vendin tonë, kazinotë u lejuan vetëm në hotelet me 5 yje. Ndërkohë një tjetër vendim është miratuar po për këtë aktivitet duke listuar kriteret që duhen plotësuar për të marrë licencën. Së pari pronarët duhet të mendohen mirë për kapitalin e tyre. Të gjithë ata që duan të marrin lejen duhet të kenë kapital mbi 1.2 miliardë lekë.
Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendës ose i huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Kazino”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:
a) të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati, sipas llojit të lojës që kërkohet;
b) shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1 200 000 000 (një miliard e dyqind milionë) lekë;
c) të deklarohet burimi i kapitalit, që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë në fushën e “Kazinosë”;
ç) të kenë përvojë në fushën e lojërave të fatit;
d) të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla;
dh) të paraqesë garancinë pasurore, së bashku me aplikimin dhe me kushtet e sekuestrimit të kësaj garancie;
e) të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit;
ë) të ngrejë serverin, në të cilin do të japë informacion të plotë mbi çdo transaksion që do të kryhet midis subjektit dhe lojtarëve, xhiron dhe fitimin, si dhe çdo të dhënë që do të kërkohet nga AMLF-ja në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti. AMLF-ja do të ketë akses në kohë reale te ky server.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment