Rrefehet per Jugunews, Guximtar Boci

Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës tashmë i shkarkuar me vendim të KLD, Guximtar Boci, ka pranuar të intervistohet ekskluzivisht nga Jugunews.net duke dhënë të gjitha detajet rreth ngjarjes në fjalë që tronditi atë vetë dhe familjen e tij, apo dhe sesi e priti familja, vajzat apo bashkëshortja, këtë ngjarje, në një gëzim familjar sic ishte dasma e të bijës së tij Celjeta Bocit. Në rrëfimin e tij të gjatë, zoti Boci, hedh dyshime të forta mbi autenticitetin e audios së rregjistruar nga R.I.M. gruaja e divorcuar nga i shoqi i saj. Gjithashtu, ai do të vërtetojë në kohën e duhur, me fakte dhe me prova, gjithcka rreth komplotit që i është shkaktuar me këtë kosto kaq të lartë sic është deri në shkatërrimin e familjes së tij.
Zoti Boci. Juve pranuat të intervistoheni nga jugunews.net duke refuzuar kërkesat e mediave të tjera. Përse ky vendim i juaji?
Unë jam lexues i rregullt i portalit tuaj por kjo nuk do të thotë se nuk ndjek mediat e tjera elektronike, të shkruar apo dhe portalet që të gjithë dua t’i vlerësoj dhe përgëzoj për ndjekjen objektivisht të këtij problemi. Megjithatë ju si faqe jeni serioze ndaj gjykova edhe ofertën tuaj si gazetar, që të pranoj të intervistohem ekskluzivisht për ju. 
A e keni ndjekur audion që u shfaq në një emision investigativ ku ju keni qenë protagonist?
E kam ndjekur më vonë pasi u shfaq pasi kisha një gëzim familjar sepse, unë të enjten në orët e mbasdites, kisha celjen e ceremonisë dasmës së vajzës sime të madhe Celjetës, e cila martohet këtë të shtunë. Por sinjalet e shfaqjes së një materiali të tillë, i mora kur po i gëzohesha festës së kolektivit të Gjykatës së Faktit, apo dhe të Apelit dhe kolegëvev të mij në Prokurorinë e Gjirokastrës. Pra kisha ftuar gjithë kolektivin si ditë e enjte, në një darkë për nder të martesës së gocës sime të madhe. Pra imagjino, që këtu nis keqdashësia ndaj meje nga persona interes i të cilëve, është shkatërrimi im familjar, profesional dhe moral.
Kush janë këta persona që juve mendoni se ju duan të keqe dhe a keni emra?
Unë sot për ju, nuk do them asnjë emër, por do vijë momenti që emrat e tyre, do të dalin në zbardhjen e të gjithë këtij veprimi të pistë, në organet legjitime sepse kjo cështje, do të ballafaqohet në gjykatë sepse vetëm kjo e fundit, do të japë vlerësimet e duhura nëse Guxim Boci, është fajtor, a ka konsumuar qoftë edhe një vepër penale apo jo.
Po ju në të vërtetë zoti Boci, a ndjeni veten ndopak fajtor me gjithë atë histori të një dite më parë që u denoncua nga një grua?
Faji im është që unë atë person, e kam pranuar në zyrë sepse kryetari i Gjykatës, nuk e ka për detyrë të presi dhe të përcjellë, persona që kanë cështje të diskutueshme në procese gjyqësore por unë nisur nga kërkesat e shumta që ajo kishte për të më takuar për cështjet e veta, unë pranova që ta prisja.
Kur ka ardhur në zyrë dhe kur është takuar me ju?
Mesa mbaj mend, diku para më shumë se një viti. Këtë e kam të fiksuar fort mirë madje kjo vërtetohet lehtësisht me datën e gjyqeve që ajo ka patur me ish vjehrrën apo ish burrin se nuk e mbaj mend mirë, por që këtë e them se takimin në zyrë ka qenë para më shumë se një vit.
Në zyrë kur ka ardhur, keni qenë i vetëm me të, apo dhe dikush tjetër nga gjykata?
Ka qenë sekretarja ime kur ka ardhur ajo. Më erdhi keq se ishte duke qarë dhe ashtu duke qarë ka hyrë brenda në zyrë ndonëse unë si tip i ndjeshëm, kërkova që të qetësohej, të fshinte lotët dhe pastaj të fliste dhe të shtjellohej për hallin që kishte.
Sa ka zgjatur biseda me të?
Pak mund të them sepse ajo kërkonte që unë të ndërhyja në gjyqin e saj pra të influencoja unë tek gjykatësi që kish cështjen e saj gjë që unë e kam kundërshtuar në këtë bisedë, megjithëse ajo qante vazhdimisht dhe lotonte e gjitha. Në asnjë moment nuk është përmendur ndonjë kërkesë e imja karshi saj, si shpërblim për këtë influencim. Këtë e them me garanci të plotë dhe jam gati t’a vërtetoj me dëshmitarë.
Po gjykatësit të cështjes a i keni thënë për këtë rast?
Thjesht kam kërkuar informacion sepse kjo është detyra ime në momentin që ka një ankesë nga një qytetar, për një cështje të diskutueshme prej trupës gjyqësore. Por që të kem ushtruar presion karshi gjyqtares, abolutisht jo, sepse kjo është në kundërshtim të plotë me funksionin tim si drejtues dhe shkakton deformim të vendimmarrjes në këtë cështje.
Zonja pretendon se ju e keni puthur apo tentuar me veprime të tjera përqafim kundër dëshirës së saj etj dhe kjo ka ndodhur në zyrë. Si është e vërteta në këndvështrimin tuaj?
E vërteta është se puthja që i kam dhënë, ka qenë rutinë si një puthje në faqe me dikë që takohesh dhe përshëndetesh kur largohesh me një mik, shoqe apo cdokush që e etiketon si të tillë. Unë këtë zonjë nuk e kisha as të afërt dhe asgjë, por thjesht i ofrova një veprim që ajo e ka instrumentalizuar më vonë për qëllime dashakeqe. Madje po të ngelemi këtu në këtë pjesë, unë mund të them se ajo ka dashur që të më përqafonte dhe ofrohej për të më përqafuar, por unë kam mbajtur një qëndrim neutral si cdokush në një zyrë shteti, pra një distancë. Por e theksoj, ka qenë një veprim rutinor që nuk i përgjigjet aspak, qëllimeve dashakeqëse që ajo pretendon se unë kam pasur karshi saj.
Po në klub jeni takuar?
Nuk e kam kërkuar unë, por ajo, pra ajo më ka gjetur në klub, është ulur pa e ftuar kush, pra unë apo dikush tjetër dhe ka celur biseda që unë nuk kam qenë kompetent për t’ia zgjidhur. Pra problemet e saja gjyqësore, kërkonte që unë t’ia zgjidhja duke influencuar, por sic thashë më lart, nuk mund t’a bëja një gjë të tillë, madje mund të pyetet vetë gjykatësi i cështjes për këtë punë.
A i keni kërkuar ju zonjës që të kishit raport të afërt në këmbim të zgjidhjes së cështjes ashtu sic doli në audiorregjistrimin?
Absolutisht jo. Është një trillim i pastër që shumë shpejt do të dali një fluskë sapuni. E para sepse ka qenë incizim audio dhe jo video. Pra tendenca për të manipuluar audion sot është mjaft e sofistikuar me avancimin e teknologjisë. Unë mund të them se biseda të tilla, as janë bërë dhe as janë diskutuar ndonjëherë që unë t’i paskem kërkuar favore intime në këmbim të një favori gjyqësor. Absolutisht jo dhe kjo është shumë e turpshme dhe dashakeqe. Zonja e përdor këtë si mjet presioni dhe hakmarrjeje, pas humbjes së cështjes së saj në gjykatë dhe për këtë, u dashkam diskretituar unë dhe familja ime, reputacioni im si kryetar gjykate dhe gjyqtar, në sytë e publikut, miqve, të afërmve, fëmijëve dhe të gjithë njerëzve të tjerë.
Zoti Boci, meqënëse jemi tek familja, si e priti ajo këtë lajm?
Ka qenë një bombë për ta. Unë kam një grua të mrekullueshme dhe dy vajza njëra prej të cilave vë vellon ditën e shtunë pra martohet. Ka qenë i pabesueshëm ky fakt. Familja ime është tronditur deri në palcë, me këtë përdorim të turpshëm të një audiorregjistrimi, që përdoret si trofe nga zonja në fjalë, për të më baltosur mua dhe gjithcka që unë kam ngritur në jetën time me ndershmëri. Goditja ime, erdhi pikërisht në ditën kur 3 vjet më parë, unë jam zgjedhur në krye të Gjykatës së Gjirokastrës, pikërisht në ditën kur vajza ime doli nuse nga shtëpia si ditë e enjte. Dhe këto veprime, të bëjnë të mendosh se janë rastësore??? Jo kurrë. Unë nuk mendoj se janë rastësore, por janë tërësisht të qëllimta. Nëse zonja kishte dicka konkrete, përse nuk e dorrëzoi momentet e para por priti një vit e gjysëm? Po përse pikërisht tani? Ka persona të tjerë, që i duhet koka ime dhe gjetën këtë cështje për të më fundosur. Kam menduar se pas kësaj vepre të ulët, qëndron një pjesë e politikës shqiptare, ajo pjesë që mua më ka votuar kundër në KLD. Por ka dhe të tjera,që do t’i mësoni në vijim.
Pra ju mendoni se është goditje politike?
Po pse jo. E kam menduar dhe kam analizuar cdo detaj dhe më rezulton se një pistë e tillë, mund të ketë prapavijë politike. 
Cilat do të jenë veprimet e ardhshme tuajat?
Do të pres me qetësi të gjithë veprimet që do të ndërmerren, madje me dhimbje edhe divorcin që më pret në fillim të javës, nga bashkëshortja ime. Kjo për shkak të asaj farse që u gatua dhe u transmetua dhe më pas, do të dali e e vërteta. Mua mu shkatërrua familja në një moment gëzimi sic është dasma e gëzimit të parë tëë jetës sime sic është bija ime e madhe që martohet këtë të shtunë. E vërteta do të dali dhe unë do luftoj me të drejtën time për ta nxjerrë atë deri në fund. Pastaj, dëmet e shkaktuara mua, familjes sime, vajzave të mia që janë goditur psikologjikisht, dikush do të japë llogari dhe unë pres që llogardhënia të jepet sa më shpejt.
SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ