Revolucioni Demokratik-Shpresa e vetme për Uesternizimin e Shqipërisë

Nga Panajot Cakalli

Kanë kaluar tashmë tre vjet e gjysëm nga ardhja e Edi Ramës në pushtet. Dukshëm qeverisja e tij është në sytë e çdo shqiptari më e keqja që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë mbi njëqind vjeçare të Shtetit të Pavarur Shqiptar.

Besoj, se është e kotë të përmend argumentet pse kjo qeveri është më e dështuara. Realiteti politik, ekonomik, social dhe arsimor-kulturor i vendit tonë është në vetvete shprehësi më i qartë dhe më i plotë i asaj çka as që mund të përmblidhet dhe të shprehet me fjalë , pavarësisht aftësive, kapacitetit apo oratorisë së përcjellësit të së vërtetës. E vërteta nuk është një kopje e realitetit. Ajo shqiptohet dhe dëgjohet, ndijohet dhe perceptohet, por përherë në funksion të konceptimit racional (të arsyeshëm) të realitetit. Është ky i fundit që ndihet më shumë, por konceptohet më pak  nga individët. Atëherë më lejoni, miqtë e mi, t’ju ndihmoj në rrafshin konceptual të progresit të njohjes së mjerimit tonë.

Qeverisja e Edi Ramës, de facto, nuk është aspak demokratike. Ai është një sundim i një diktatori gjatosh, ku shigjeta e boshtit të tij ideologjik është fashizmi, ndërsa rrënjët e tij janë paleo-komuniste. Ai erdhi në pushtet si Lenini, krekoset si Musolini dhe shtyp kundërshtarët si Stalini. Hitleri është mentor i tij, sepse kanë dy gjëra të përbashkëta: të dy janë piktorë të dështuar profesionalisht, dhe së dyti të dy janë konsumatorë të drogës.  Nga dokumentet e shfrytëzuara nga historianët mësojmë se Hitleri ka konsumuar në vitet 1941-1945, për 1349 ditë 800 injeksione heroine dhe 1100 tableta narkotike. Historianët e së ardhmes do na zbulojnë edhe për Ramën nivelin e konsumit të tij narkotik, pasi nuk ka se si të shpjegohet totalisht gjithë kjo qeverisje çmendurake dhe mizore që po ndodh në Shqipërinë e pas 2013-ës.

Ky neo-fashizëm paleo-komunist ka prodhuar një diktaturë të re, një autoritarizëm analog me Rusinë e Putinit, apo Turqinë e Erdoganit. Në këtë kontekst si mund të pretendohet uesternizimi dhe integrimi europian kur themelet e demokracisë janë shembur? Integrimi europian nuk është thjesht hapje negociatash. Kush guxon dhe thotë se është vetëm procedurë, bën një superthjeshtim trashanik të realitetit. Europianizimi dhe uesternizimi nënkupton përthithjen dhe implementimin në praktikë të të gjitha institucioneve, vlerave dhe parimeve të Civilizimit Perëndimor. Prandaj kush beson se integrimi europian bëhet me mbajtjen në këmbë të Diktatorit Rama, apo të çdo binjaku politik të tij, është veçse viktimë e iluzioneve budallallepsëse që prodhohen dhe qarkullohen nga propaganda qeveritare.

Zgjidhja që e mendojnë të gjithë për këtë situatë, por që pak e shprehin është vetëm një : Revolucion Demokratik. Shumëkush trembet nga ky fenomen historik, por për kushtet e Shqipërisë ai është i pashmangshëm, dhe për më tepër i domosdoshëm. Së pari, i pashmangshëm, sepse vetëm me revolucion mund të shembet neo-diktatura e instaluar në Shqipëri. Së dyti, ky revolucion është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund rithemelohet Republika në vendin tonë në kushtet kur votat blihen e shiten për pazare të ndyra e të ulta politike. Deri tani Ligji Zgjedhor nuk ka adaptuar konceptet e propozuara nga Partia Demokratike për votim dhe numërim elektronik, me “arsyetimin bindës”nga ana e mazhorancës se Shqipëria nuk i paska kapacitetet teknike dhe teknologjike për ta zbatuar në zgjedhjet e vitit 2017.

Në këto kushte Revolucioni Demokratik është i paevitueshëm. Ka dy rrugë për zbatimin me sukses të tij: 1) Revolucion nga Lart dhe 2) Revolucion nga Poshtë.

Revolucioni nga Lart duhet të kryhet nga Lidershipi i Opozitës me anë të bojkotit të zgjedhjeve, krijimit të një qeverie teknike e cila do të miratojë ndryshimet e domosdoshme ligjore për mbrojtjen dhe garantimin maksimal të votës së qytetarëve dhe vendosjen e zgjedhjeve në momentin më të përshtatshëm. Nëse këto ndryshime që ka kërkuar Opozita nuk realizohen deri në prag të nisjes formale të fushatës elektorale, gjykoj se PD dhe aleatët e saj duhet të bojkotojnë zgjedhjet, si hap ky primar, por vendimtar i zbatimit të Revolucionit nga Lart.

Do të ishte thellësisht e pakuptimtë që një parti si PD, me të cilën lindi demokracia në vitet ’90, të futet në zgjedhje kur është e vetëdijshme se ato janë të manipuluara. Kjo do t’i kursente PD energjitë dhe fuqitë shumë të çmuara të antarëve, aktivistëve dhe militantëve të saj demokratë në dobi të një aksioni politik më eficent, më produktiv dhe më të dobishëm. Partia Demokratike nuk ka pse lejon Diktatorin Rama të vijojë udhëheqjen e këtij vendi drejt shkatërrimit. “Zaret u hodhën!”-siç thoshte dhe Napoleon Bonaparti para çdo beteje. Zaret janë hedhur, por kumarxhinjtë që na qeverisin kanë dhënë prova se dinë të bëjnë hile.

Rruga e dytë është Revolucioni nga poshtë. Kryetari i PDSH, Z.Basha ka artikuluar në këtë kuadër mobindjen civile, një koncept ky mjaft largpamës, si një rrugë paqësore e zhvillimit të këtij revolucioni. Por triumfi i mosbindjes civile mund të realizohet vetëm nëpërmjet nxitjes së aksionit qytetar, të protestave dhe grevave, veçanërisht në kryeqytet. Shqipëria po tensionohet dhe gjendja e saj pritet të përkeqësohet edhe më tej. Taksat u rritën dhe po rriten, rinisë i vështirësohet arsimimi , prindërit e tyre janë të zhytur në borxhe.

E vetmja ekonomi e ligjshme që ulte papunësinë e të rinjve ishin kompanitë Call-Center- sot ato janë në krizë nga taksat e larta dhe pritet falimentimi i tyre më 5 dhjetor. 45.000 të rinj priten t’i shtohen listës së të papunëve me të vetmet dhurata: varfërinë, skamjen dhe humbjen e shpresës. Por unë them se ka shpresë dhe e vetmja shpresë është një Lëvizje e Djathtë te mendjet, zemrat dhe shpirtrat e shqiptarëve, përherë Në Emër të Ringritjes së Republikës së Qytetarëve, dhe jo të mbajtjes në këmbë të gërmadhave të zuzarëve.

Lideri i Opozitës, Z. Lulzim Basha është përpjekur të paktën deri më tani t’i vëjë në lëvizje të dyja këto rrugë, që çojnë në fund të fundit në rithemelimin e Republikës. Por koha, rrethanat dhe racionaliteti i kërkojnë Lulzim Bashës të implementojë një nga parimet më themelore të Arsyes, Parimin e të Tretës së  Përjashtuar: ka vetëm dy rrugë, konkretisht ose Revolucion nga Lart, ose nga Poshtë. Kapërcimi i kësaj dileme përmes zgjedhjes së tretë është logjikisht mohim i dyfishtë i të dyja rrugëzgjidhjeve të lartpërmendura.

Si përfundim jam i sigurt se Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka sot privilegjin, fatin por edhe barrën e rëndë të udhëheqjes së Revolucionit Demokratik dhe të rrugëve të realizimit të tij në të ardhmen e afërt. Por sidoqoftë shpreh bindjen e thellë se në rast triumfi, nëse Kushtetuta rivendoset në vendin e saj të nderit, nëse Republika e Qytetarëve rithemelohet, Lulzim Basha do të bëhet më i madhërishëm dhe se Sali Berisha, pavarësisht modestisë së tij për të mospranuar vlerësime kaq të larta. Erdhi koha të flasin Qytetarët që sot duhet të bëjnë Historinë…

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ