“Të shporret Sorosi!” Çfarë po ndodh në Hungari?

Rregullimet ligjore të cilat qeveria në Hungari i ka planifikuar në lidhje me fondacionet e investitorit të famshëm amerikan George Soros dhe organizatat joqeveritare që kanë lidhje me këto fondacione, e kanë ndarë vendin në dysh.

Studiuesi i shkencave politike Doc. Dr. Zoltan Kiszelly dhe drejtori i Programit të Refugjatëve pranë Komitetit të Helsinkit në Hungari Gabor Gyulai, kanë zhvilluar bisedë me gazetarin e Anadolu Agency (AA) në lidhje me rregullimin ligjor i cili ka shkaktuar debate në vend.

Kiszelly është i mendimit se rregullimi ligjor i planifikuar nga qeveria hungareze në lidhje me aktivitetet e organizatave joqeveritare (OJQ) është i nevojshëm dhe se George Soros dëshiron t’i transformojë shoqëritë përmes OJQ-ve.

Problemi qëndron aty se këto organizata punojnë për ta ndryshuar shoqërinë prej brenda pa u zgjedhur në mënyrë demokratike. Qeveria planifikon që përmes këtyre ndryshimeve t’i bëjë më transparente këto OJQ”, thotë Kiszelly.

Sipas Kiszelly, disa OJQ në vend ndërhyjnë në politikën e brendshme duke marrë mbështetje nga jashtë, ndërsa përmes rregullimeve të planifikuara, do të dalë në pah se këto organizata “nuk janë OJQ klasike, por OJQ me axhenda të fshehta që bëjnë politikë për t’i mbrojtur interesat e të huajve”.

“Soros dëshiron ta transformojë Evropën”

Kiszelly vlerëson se disa investitorë dhe kompani ndërkombëtare dëshirojnë t’i transformojnë shoqëritë, ndërkohë që, sipas tij, George Soros bën zëdhënësin e këtyre investitorëve dhe kompanive dhe ndërhyn në politikën e brendshme të shteteve përmes OJQ-ve që mbështet.

Soros dëshiron t’i transformojë shoqëritë, Evropën, dhe për këtë ka marrë përsipër planin e ‘shoqërisë së hapur’. Në vend të arritjes së qëllimeve duke themeluar parti politike dhe duke shpalosur programin, këtë përpiqet ta bëjë në mënyrë të fshehtë. Për shembull, në punimin që Soros kishte shkruar në shtator të vitit 2015 të cilin e lexoi në Parlamentin Evropian në korrik të vitit të kaluar, ai thotë se Evropa duhet të pranojë një milion refugjatë në vit”, thekson Kiszelly.

Ai shton se universitetet dhe organizatat e mbështetura nga ai dhe të tjerë e kanë zgjeruar këtë program.

Sipas Kiszelly, këto organizata bëjnë përpjekje që t’i realizojnë synimet e caktuara.

Për shembull Komiteti i Helsinkit dhe OJQ-të me emrin TASZ i bënë thirrje popullit që të prishin fletëvotimin në referendumin për refugjatët. Këto OJQ punojnë që t’i fusin në zbatim qëllimet politike të caktuara. Ndryshimi ligjor është në përputhje me normat demokratike”, vlerëson Kiszelly.

Kiszelly më tej vë në pah se ndryshimi i paraparë ligjor është në përputhje me normat demokratike. Sipas tij, opozita kritikon qeverinë pa e marrë parasysh faktin që ligje të ngjashme zbatohen edhe në SHBA, Izrael dhe shtetet perëndimore.

Qeveria dëshiron që përmes disa rregullave ligjore OJQ-të e financuara nga jashtë të jenë më transparente. Në fakt, kjo nuk është diçka që ndodh vetëm në Hungari. Në botë, shumë shtete planifikojnë t’i zvogëlojnë ndikimet e jashtme duke miratuar ligje të ndryshme. Qeveria hungareze dëshiron të sjellë rregulla ligjore duke iu referuar rregullave posaçërisht në SHBA dhe Izrael”, vazhdon Kiszelly.

Duke theksuar se qeveria hungareze do të sjellë ndryshime në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian (BE) ashtu siç ka ndodhur deri më tani, Zoltan Kiszelly thotë se pas miratimit të ndryshimeve OJQ-të nuk do të jenë në gjendje ta konsiderojnë veten më të lart sesa politikëbërësit.

Të kontrollosh dhe kritikosh qeverinë është detyrë e OJQ-ve, mirëpo ato nuk kanë të drejtë këtë ta bëjnë në kuadër të axhendave të fshehta. OJQ-të në fjalë nuk shfaqin qëndrimin hungarez në çështje si zgjerimi i impiantit energjetik bërthamor PAKS, embargot e zbatuara ndaj Rusisë, kriza e refugjatëve dhe situata e medieve. Këta, pa fituar asnjë zgjedhje, Hungarisë duan t’ia diktojnë një qëndrim dhe pikëpamje të pranuar nga jashtë e cila mban në plan të parë interesat e huaja”, shprehet Kiszelly.

“Qëllimi është të futet frikë”

Në Hungari, gjithashtu, ka edhe prej atyre që mendojnë se qeveria po përpiqet të krijojë defokusim duke e sulmuar Sorosin dhe se qëllimi është të futet frikë në mesin e OJQ-ve.

Drejtori i Programit të Refugjatëve pranë Komitetit të Helsinkit në Hungari, Gabor Gyulai, thekson se në Hungari veprojnë mijëra OJQ dhe se qeveria ndihet e shqetësuar vetëm nga disa OJQ të cilat detyrojnë qeverinë në çështje si politikat për refugjatët dhe korrupsioni.

Sipas tij, “hapi që do të ndërmerret, njëlloj sikurse gjatë krizës së refugjatëve, është një provë për të krijuar një armik simbolik”.

Një gjë e ngjashme ndodhi me çështjen e refugjatëve. Në fakt, të dyja këto çështje janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në periudhën 2015-2016 qeveria hungareze u përpoq që përmes çështjes së refugjatëve ta rifitojë popullaritetin e zvogëluar dhe fatkeqësisht pati sukses në aspektin politik. Qeveria tërë investimin politik në dy vitet e fundit e ka bërë mbi këtë çështje”.

Gyulai më tej shton:

Në këtë drejtim, ajo po ashtu po përpiqet të gjejë edhe ndonjë ‘armik’ tjetër. Në mesin e armiqve klasikë të qeverisë, edhe pse ekonomia e saj varet nga BE-ja, është Brukseli dhe Bashkimi Evropian. Në po të njëjtin mes bëjnë pjesë edhe George Soros dhe OJQ-të ndërkombëtare. Qeveria përpiqet të krijojë armiq të paqenë për arsye se nuk arrin t’i zgjidhë problemet e vërteta. Në vend se ta zgjidhë çështjen e problemeve dhe korrupsionet në institucionet shëndetësore, ajo defokuson qytetarët dhe i tregon si armiq OJQ-të dhe refugjatët“.

Sipas Gabor Gyulai, propozim ligji i qeverisë që detyron drejtuesit e OJQ-ve të shpalosin gjendjen e pasurive të tyre është ndërhyrje në jetën private.

Ky është ndryshim i pakuptimtë. Qëllimi i vetëm është të vështirësohet puna e OJQ-ve dhe të futet frikë tek to. Drejtuesit dhe punonjësit e OJQ-ve nuk fshehin asgjë. Në fakt, nëse i vizitoni faqet e internetit të këtyre institucioneve, aty mund t’i gjeni të gjitha të dhënat për gjendjen e pronësive të tyre”, thotë Gyulai.

“Është i qartë shkaku i shqetësimit të qeverisë”

Duke potencuar se organizatat që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe korrupsionit marrin mbështetje nga shumë organizata ndërkombëtare jashtë Fondacionit Soros, Gyulai bën të ditur se Komiteti i Helsinkit nuk mbështetet vetëm nga Fondacioni Shoqëria e Hapur (Open Society) e George Soros.

Krahas BE-së, Komisariatit të Lartë për Refugjatë pranë OKB-së dhe Nënkomitetit për Parandalimin e Torturave pranë OKB-së, punimet tona mbështeten edhe nga shumë fondacione dhe institucione të rëndësishme nga rajone të ndryshme të botës. Komiteti i Helsinkit në Hungari vazhdon të avancojë në linjën e vet. Është e qartë pse qeveria hungareze shqetësohet nga deklaratat tona, sepse ne jemi ndër organizatat që kemi kritikuar më ashpër shkeljet e të drejtave të njeriut që i ka bërë qeveria viteve të fundit”, thotë Gyulai.

Qeveria e shqetësuar

Qeveria e Fidesz e qendrës së djathtë në Hungari pohon se investitori i famshëm amerikan me origjinë hungareze George Soros po i përdor organizatat civile për t’i diktuar interesat e veta qeverive.

Ndryshe, debatet kishin nisur pas një deklarate të Szilard Nemeth, zv/kryetarit të grupit të partisë Fidezs, i cili ishte shprehur:

Perandoria Soros përdor civilët falsë për të diktuar mbi qeveritë kapitalin botëror dhe dëshirat e tij. Duke përdorur çdo mjet, këto organizata duhet shtrënguar dhe pastruar që këtu“.

Ndërkaq, Istvan Hollik, ligjvënës nga partneri qeveritar Partia Demokristiane e Hungarisë (KDNP), ka komentuar:

Disa organizata të shoqërisë civile nuk sjellin aspak dobi në zhvillimin ekonomik dhe social të Hungarisë, por kanë vetëm qëllime politike dhe financohen nga jashtë. Për këtë arsye nuk ka shumë kuptim ekzistimi i tyre. Është normale që ato të merren nën kontroll më të rreptë“. 

Anadolu Agency

 

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ