Megaloideatizmi Ballkanik si koncept dhe realitet historik

Nga Panajot Cakalli

Termat “koncept” dhe “realitet” janë ndoshta më të përdorshmet në diskutimet e përditshme që njerëzit realizojnë.

Por shumica dërrmuese e njerëzve, duke ju përjashtuar ju lexuesit e mi të ethshëm, nuk i njohin fjalët që përdorin, pra i shpërdorojnë ato, në një farë kuptimi.

Sa kohë ndërgjegjia është dije, përdorimi i fjalëve në injorancë e sipër të individit është përdorim i pandërgjegjshëm i tyre

Fjala “koncept” ka rrënjë latine të lidhur me njohjen (cognito), ndërsa fjala “realitet” shpjegohet me greqishten e vjetër dhe ka kuptimin “e gurit(Lithos) që rrjedh(rea)”, pra të një koncepti që përfshin në vetvete botën që ekziston, një univers aspak të fiksuar dhe aq më pak të pandryshueshëm.

E vërteta që njeriu përpiqet të arrijë përmes njohjes, asnjëherë nuk është një kopje e realitetit dhe kjo ndodh sa për shkak të shtrirjes hapësinore të tij, po aq edhe për ndryshimin permanent të realitetit në përmasën e kohës, pra në procesin e ndryshimit historik.

Me pak fjalë gjithçka reale zhvillohet dhe ndryshon në histori, por për të kuptuar disa gjëra lidhur me realitetin e sotëm, për të thënë disa të verteta duhet medoemos ta kufizojmë analizën në rajonin gjeografik ku jemi dhe ne, dhe kjo hapësirë e ka emrin Ballkan.

Megaloideatizmi është një prej termave qëndrore realitetit historik ballkanas dhe  si koncept nënkupton një prej termave, përveç jugosllavizmit dhe federalizmit, që ka dominuar vendet e Ballkanit, që prej zgjimit kombëtar të popujve të tij në shek.XIX.

Duke filluar nga kjo periudhë popujt e Ballkanit u bënë të ndërgjegjshëm për formimin e shteteve të tyre kombëtare sikundër vendet e tjera të Europës Perëndimore. Pushtimi Osman nga ana e tij kishte penguar nga ana e tij formimin e e shteteve në këtë rajon dhe për më tepër kishte realizuar përzierje etnike në territore të ndryshme.

Gjatë agimit të kombeve ballkanase dhe në vazhdim territore të caktuara si: Transilvania, Banati, Dobruxha, Thraka, Maqedonia e Vardarit, Epiri i Jugut, apo treva të Bosnjës kishin një përzierje të qartë etnike me gjermanë, hungarezë, rumunë, turq, grekë, shqiptarë, hebrenj, bullgarë, boshnjakë myslimanë, kroatë, sllovenë dhe serbë.

Në këto kushte konfliktet dhe përplasjet ushtarake ishin të pashmangshme. Për shkak të karakterit të përzier të popullsisë në Ballkan, pothuajse çdo territor që një shtet e quante të vetin, mëtohej edhe nga shteti fqinj. Rasti i Dobruxhës ishte më ekzemplari, me mbi 20 grupe të ndryshme etnike, siç thotë dhe historiani Andrew Wachtel.

Secili nga popujt e rajonit në përpjekjen e tij për të justifikuar të drejtën e posedimit të trevave të ndryshme të diskutueshme iu kthyen historisë sa për hir të atmosferës nacional-romantike që dominonte në Europën e shek.XIX, por edhe për një lloj “kompleksi inferioriteti” të popujve të Ballkanit.

Elitat politike ballkanase konstatuan se fitorja e pavarësisë nga Perandoria Osmane nuk qe e mjaftueshme; herët ose vonë ata do të binin nën influencën e Fuqive të Mëdha të kohës. Kështu ata përpiluan platforma maksimaliste për vendet e tyre me një tendencë për të përputhur etninë me shtetin, përherë duke iu referuar momenteve më kulminante të historisë së tyre.

Qartazi, për ballkanasit vlen shprehja se prodhojnë më shumë histori se ç’mund të konsumojnë. Nga njëra anë ata glorifikojnë të shkuarën e tyre të lavdishme, ndërsa nga ana tjetër mallkojnë, përbuzin dhe “mbajnë zi” për akte të ndryshme ndërkombëtare të cilat kanë penguar plotësimin e aspiratave të tyre megaloideate.

Këtu mund të përmendim Traktatin e Berlinit(1878), të Londrës(30.05.1913), të Bukureshtit (gusht 1913), Parisit(1919) apo edhe të veprimeve shkombëtarizuese dhe genocideve të cilat kishin për qëllim homogjenizimin e popullsisë në trevat e diskutueshme.

Sigurisht artikulimi, propagandimi i koncepteve, apo platformave dhe ambicieve megaloideate kanë edhe dimensionin e sigurimit dhe mbajtjes afatgjatë të pushtetit në vendet e ndryshme të Ballkanit.

Karta e nacionalizmit ka dhënë prova në Ballkan se është de facto pa datë skadence.

Ajo ende dhe sot vijon të përdoret, në fund të fundit për po të njëjtat motive sikundër dyqind vite më parë, për motive populiste, për të mashtruar popullatën dhe për uljen njëherë e përgjithmonë në fronin e pushtetit si “mishërime të kombit”.

Natyrisht, kot nuk ka dalë shprehja se nacionalizmi është streha e fundit e maskarait. Por Bota ndryshon . Maskarenjtë nuk kanë vend në botën që “bijtë e rinj të shekullit” duan të krijojnë.

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ