Liria, Demokracia dhe Vota e Lirë-objektiva bazë në Revolucionin e sotëm

Nga Panajot Cakalli

Historikisht, duke u nisur që nga Antikiteti e deri në ditët e sotme, problemi i lirisë ka pasur një pozicion qëndror në shumicën e diskutimeve filozofike, juridike e politike të elitave intelektuale të shoqërisë njerëzore.

Koncepti “Liri” për grekët (Ελευθερια) dhe për romakët e vjetër (Libertatem) kishte qysh në këtë kohë karakter juridiko-politik, një tipar ky i cili vazhdon të jetë edhe sot , komponent i patjetërsueshëm i Demokracive Liberale.

Nga pikëpamja filozofike, tradita intelektuale euro-amerikane ka nxjerrë në pah dy nocione çelës për lirinë: Arbitrin e Lirë dhe Vullnetin (Gj.Sinani-F.Sinani,2008,f.160).  Nocioni i parë, ai i Arbitrit të Lirë, lidhet në thelb me aftësinë që ka njeriu për të zgjedhur këtë, ose atë alternativë. Në fakt, konceptin liberum arbitrium romakët e përkthyen në mënyrë jo-precize nga greqishtja.

Filozofi grek Epikteti ka përdorur termin Αυτεξούσιον, që si nocion ka kuptimin “e të vet-pushtetshmit”, pra i të qenit zot i vetes. Dukshëm koncepti grek Autoexousion lehtëson dallimin mes Arbitrit të Lirë dhe Vullnetit: i pari nënkupton potencën interiore të individit për të vepruar, ndërsa nocioni i dytë përbën ushtrimin eksterior të kësaj fuqie.

Në pikëpamjen juridike, problemi i lirisë integrohet në kuadrin e problemit themelor të filozofisë së të drejtës: a janë rregullat ligjore produkte natyrore,apo janë krijime atirficiale si dhe cili është raporti mes ligjit dhe moralit (F.Zanaj, 2012, 15).

Për tejkalimin e këtij debati, mund të shprehemi se liria ka dy burime. Burim primar për lirinë është natyra njerëzore, e cila në kuptimin rusojan të fjalës përkthehet në një të drejtë të pakufizuar ndaj gjithçkaje që ai përpiqet të fitojë (Jean-Jacques Russeau,1923,f.19).

Burim sekondar për lirinë është e drejta civile, nëprmjet së cilës po sipas Russeau-së,  njeriu humbet lirinë natyrore, për lirinë e vërtetë në kuptimin e së mirës, lirinë civile.

Nga ana e tij, John Stuart Mill, ka paraqitur në veprën e tij “On Liberty” hapësirën e lirisë njerëzore që është sot pjesë e çdo legjistlacioni demokratik .

Këtu mund të renditim: lirinë e ndërgjegjes, të mendimit dhe të ndjenjës, lirinë absolute të opinionit; lirinë e prirjeve dhe realizimit të tyre si dhe lirinë e bashkimit për çdo qëllim, që nuk sjell dëmtimin e të tjerëve (J.S.Mill, 1880 , f.9).

Pa Liri nuk mund të ketë Demokraci, dhe pa Demokraci popujt nuk janë gjë tjetër veçse një masë qeniesh kafshërore, që ende nuk kanë arritur të shijojnë frytet e Arsyes.

Qartazi, tërësia e koncepteve filozofike e juridike, së bashku me aksionin politik të popujve përgjatë procesit historik, konturuan Shtetin Civil dhe Demokracinë Liberale.           Aksioni politik i popujve ka qenë kombinim i evolucionit me revolucionin, pasi ata që zotërojnë pushtet absolut edhe pse kanë mundësinë, nuk kanë vullnetin për të kufizuar pushtetin e tyre të pakufizuar.

Në këto kushte, sa kohë Sovrani është populli, sa kohë termat Demokraci dhe Republikë kanë kuptimin e sundimit të popullit, është vetëm ky i fundit, ai i cili mund t’i vëjë fre arbitraritetit të pushtetit absolut .

Në fakt mosreagimi, indiferenca dhe nënshtrimi i një populli, konkretisht atij shqiptar,  do të ishin prova evidente , të pamoralshme dhe të turpshme të miratimit të arbitraritetit. Kjo nuk duhet të ndodhë, kuptohet nëse ne si shqiptarë duam me të vërtetë të avancojmë në rrugën e ndërtimit të “Republikës së Qytetarëve”, e cila përfundimisht duhet të zëvendësojë atë të zuzarëve.

Në këndvështrimin politik, shtrohet pyetja: cila është rruga më e mirë e përfaqësimit të vullnetit të Sovranit? Në këtë kontekst, zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta kanë një pozicion qëndror në përfaqësimin e vullnetit të përgjithshëm të qytetarëve.

Kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një proces zgjedhor demokratik, është garantimi i votës së lirë. Në një vend ku vota vidhet, blihet dhe tregëtohet për motivin meskin të uzurpimit të pushtetit, ai vend nuk është shtëpi e lirisë, por bastion i tiranisë dhe i korrupsionit.

Personalisht kam pasur përvojën e të qenit Sekretar në Komisionin e Qëndrës së Votimit në lagjen ku jam lindur e rritur në në zgjedhjet lokale të vitit 2015 në Gjirokastër. Për më shumë se dymbëdhjetë orë kam mbikqyrur procesin e votimit që prej hapjes së QV 42-36, e deri në dorëzimin e kutive të votimit në qendrën e numërimit. Kam zbatuar me rigorozitet dhe devotshmëri të lartë çdo nen të Ligjit Zgjedhor, për sa i takonte detyrës që pata marrë përsipër. Dhe në këtë mënyrë përjetova de facto atë që thoshte filozofi gjerman I.Kant se zbatimi i ligjit të bën të lirë.

Kjo kënaqësi u davarit në momentin kur u informova për kontrabandën e votave, që disa parti politike kishin realizuar në Gjirokastër, qoftë me anë të parave, e qoftë me thasët me miell. Dhe kështu thashë një moment me vete: “Mjerrë ky vend, mjerrë ky shtet për popullin që ka”. Por sidoqoftë kjo nuk është arsye për t’u bërë pesimist.

Shpesh na thonë, ushtria budallallepsëse e frikacakëve dhe rrenacakëve se “demokracia shqiptare vdiq në moshë të re”, se jemi të humbur, se jemi të mbaruar, se s’bëhemi dot si gjithë Europa, e të tjera kotësi që mposhtin vullnetin për demokratizim të këtij kombi.

Unë u përgjigjem atyre se nëse demokracia shqiptare vdiq, atëherë merrni lopatat dhe varroseni. Në vend të saj do të ngrihet “Republika e Re” .

Nëse mendoni se jeni të humbur, ky është momenti më i përshtatshëm për të shfaqur hapur, ballazi dhe burrërisht vullnetin për triumfin e demokracisë, të lirisë dhe të votës së lirë.

Nëse fiksoheni te ideja trashanike se nuk bëhet Shqipëria si gjithë Europa, atëherë një është zgjidhja të triumfojë Revolucioni Demokratik, që Europa bëri 300 vite më parë. Dhe kini parasysh miqtë e mi, Revolucioni Demokratik nuk është fundi, është vetëm fillimi…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ