Europa Juglindore dhe proceset integruese

3

Nga Panajot Cakalli

Konflikti ideologjik ngurtësoi dhe mënjanoi përkohësisht konfliktet etnike në Ballkan. Por rënia e Murit të Berlinit realizoi një efekt zinxhir që dominoi në gjithë Europën Lindore dhe Juglindore, që çoi në rënien e komunizmit dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Këto konflikte të karakterit etno-nacionalist në vitet 90’ befasuan Perëndimin, i cili kishte kohë që kishte investuar në procesin e denacionalizimit dhe të integrimit nga Deklarata e famshme Monet, në Traktatin e Romës(1957), Traktati mbi Aktin Unik Europian(1986), Mastrihtit(1992), të cilat u zhvilluan edhe më tej me Traktatin e Amsterdamit (1997), të  Nicës(2001) edhe të Traktatit Reformues të Lisbonës (2007), që zëvendësoi Projekt-Kushtetutën Europiane të vitit 2005.

I këtij mendimi është edhe studjuesi zvicerian, Urs Altermatt i cili shkruan: “Lufta jugosllave e viteve 1991-1995i gjeti europianët krejtësisht të papërgatitur…Paqja gjeopolitike u ble së bashku me ndarjen etnike. Kështu nuk të çudit rrethana, që eksodi i dhjetëra mijëra vetëve me origjinë serbe nga Krajina i shkaktuar nga ushtria kroate, në opinionin publik ndërkombëtar nuk gjeti ndonjë jehonë të madhe, edhe pse revista amerikane “Time” e quajti si incidentin më të rëndë që kur filloi lufta ballkanike më 1991”.

Natyrisht në truallin e gjeo-politikës dhe të real-politikës botërore ka spastrime etnike të cilat legjitimohen dhe të tjera të cilat dënohen për një seri arsyesh. Është e padiskurueshme se spastrimi dhe genocidi etnik që Millosheviçi u mundua të realizonte në Kosovë do të suksesonte, sikur të mos ishte për ndërhyrjen eficiente dhe të fuqishme të SHBA dhe NATO. Është fakt, sa real-politik, po aq edhe filozofik se në përplasjen e dy të drejtave, fiton gjithmonë e drejta e më të fortit.

Megjithatë, siç thotë dhe Urs Altermatt, pllakat tektonike të Historisë Botërore lëvizin e zhvendosen thuajse pa u vënë re, por me një fuqi të jashtëzakonshme dhe pasoja të paparashikuara për perëndimin. Ky është një konkluzion logjik lidhur me evolucionin e vet sistemit ndërkombëtar dhe të rënies së dukshme të potencës së Fuqive të Mëdha, dhe sidomos të SHBA. Sistemi ndërkombëtar po bëhet gjithmonë e më shumë multilateral. Qëndrimi dogmatik se SHBA si sot ashtu dhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbetet e vetmja superfuqi e globit është një mendim jo objektiv.

Gjatë një aktiviteti prezantues të librave të vet në vitin 2014, Prof.Fatos Tarifa, në fjalën e vet që mbajti në sallën e konferencave të Universitetit “Eqrem Çabej”, mbrojti me forcë idenë se SHBA është dhe do të vazhdojë të mbetet superfuqi botërore, tezë të cilën u mundua ta argumentonte për 45 minuta rresht. Në përfundim të diskutimit i drejtova një pyetje të karakterit sintetik, por edhe kritik :

“Prof.Tarifa! Vura re një lloj njëanshmërie në diskutimin tuaj të sotëm, natyrisht kjo ka lidhje edhe me periudhën me siguri të shkëlqyer tuajën si ambassador në SHBA. Megjithatë profesor, nga analiza juaj sociologjike ju jeni përpjekur të realizoni një prognozë mbi sistemin ndërkombëtar dhe fatin e SHBA në 100 vitet e ardhshme, por edhe të tjerë përpara jush, si Hegeli dhe Marksi, natyrisht nga pozitat e filozofisë, dështuan në parashikimet e tyre. Cili është ai argument, i cili garanton vërtetësinë shkencore të këtij parashikimi? “ .

Natyrisht profesori i Universitetit të Nju-Jorkut në Tiranë u vu në vështirësi nga një student i histori-gjeografisë në Universitetin e Gjirokastrës. Përgjigjia e tij : “ Unë nuk jam orakull, por megjithatë është mirë të jemi me më të fortin”. Kjo është provë evidente se shkenca nuk mund të prodhohet dogmatikisht dhe se konkluzionet e një pune të mirëfilltë shkencore nuk munden të përcaktohen nga dëshirat dhe sentimentet në rastin më të mirë dhe nga servilizmi meskin në rastin më të keq, për motive të dobta politike. Dhe këtu kujtoj shprehjen e mençur të Filip Liços : “Shkenca nuk duhet t’i nënshtrohet politikës. E kundërta, politika duhet të mbështetet te shkenca që të mos gabojë”. Vetëm përmes një shkence të çliruar nga politika, do të mund t’i shërbejmë interesave të Republikës, zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë.

SHBA po jep prova se është punë e vështirë të qënit “xhandar i botës” dhe në këtë kontekst, përballë sfidave dhe përgjegjësive globale që ky vend ka marrë përsipër, që nga koha e Presidentit Uillson e deri sot, Ballkani duhet t’i lihet në dorëzim Bashkimit Europian. Në fakt, përvoja e këtyre 20 viteve të fundit, dhe veçanërisht kriza financiare e monedhës euro, ka treguar qartazi dobësitë e mëdha edhe të organizmit europian.

Pakti i Stabilitetit i vitit 1999, një iniciativë gjermane kjo, pati tri objektiva themelorë të organizuar mbi bazën e tryezave të punës, që i shërbejnë plotësimit të boshllëkut të pushtetit të lëna nga shpërbërja e B.S dhe Kampit Socialist, po aq edhe nga dobësitë eventuale të SHBA: 1) Demokratizimi, liritë dhe të drejtat e njeriut , 2) Prosperiteti Ekonomik , 3) Çështjet e Sigurisë. Qartazi kjo e fundit ishte e para e cila u realizua, ky ishte në fund të fundit dhe emri i vet këtij pakti. Në vijim u vu theksi te liritë themelore të njeriut, demokratizimi i institucioneve të vendeve të Ballkanit si dhe veçanërisht  nxitja e shoqërisë civile (OJF-OJQ). Në këtë kontekst Tryeza 2 e Prosperitetit Ekonomik u bë de facto një çështje e dorës së tretë dhe kjo përbën një dështim të pjesshëm të Paktit të Stabilitetit.

Duke qenë se Pakti i Stabilitetit nuk ishte “Plan Marshall” për Ballkanin, vendet e rajonit vazhdojnë të vuajnë pasojat e neglizhencës së institucioneve të Brukselit për çështjet e zhvillimit ekonomik. Nuk kanë munguar iniciativat e nivelit europian dhe ballkanik për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, por duket se ato ende nuk kanë dhënë frytet e duhura, sepse aty “është diskutuar thjesht sa për të diskutuar”, pa vullnetin e mirëfilltë për projekte konkrete.

Në këto kushte, burokratët e Brukselit vendosën të përshpejtojnë procesin e zgjerimit (ai i 2007 e rriti territorin me 30%, popullsinë me 100.000.000 banorë) për shumicën dërrmuese të vendeve të Ballkanit: përfshirja e Greqisë në Euro-zone, integrim i Rumanisë dhe i Bullgarisë në vitin 2007, dhe më vonë i Kroacisë 2011. Ndërkohë dyzimi i politikës serbe mes Brukselit dhe Moskës, ka një tendencë favorizese të karakterit procedural, që nuk vihet re për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe sidomos Kosovën. Dukshëm edhe kjo orvajtje është dështim.

Natyrisht, procesi i integrimit në Bashkimin Europian nuk është thjesht një procedurë juridike, limitimi i këtij procesi historik vetëm në aspektin jurdiko-procedural përbën një  super-thjeshtim trashanik të realitetit. Duke e lënë Ballkanin të zhytur në krizën ekonomike, që në rastin konkret ka një burim të dyfishtë: sa nga tradita e dobët e këtyre vendeve, po aq edhe nga dobësitë e euros, në këto kushte gjallërohen pozitat e partive politike etno-nacionaliste dhe rrjedhimisht rishfaqen platformat e vjetëruara megaloideate, të cilat për hir të së vërtetës gjallojnë jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europën Perëndimore.

Sfidë e përbashkët e vendeve të Europës, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit është kapërcimi i krizës ekonomike dhe thellimi i procesit të integrimit, i cili do të finalizonte implementimin e idesë së Çërçillit për “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Por deklaratat e famshme të kancelares gjermane Merkel se “nuk ekziston një komb europian” dhe të ministrit të saj të financave, Wolfgang Scheoble “për Europën e dy shpejtësive” po vënë në rrezik themelet e vet projektit europian, si një super-organizatë internacionale momentalisht, që synon të bëhet super-fuqi në të ardhmen. Ky super-shtet duhet të ecë me një shpejtësi, e cila mund të realizohet përmes uesternizimit të Europës Lindore e Juglindore, por paralelisht edhe me de-uesternizimin e Europës Perëndimore.

Formula e ekuilibrit europian është ajo që i jep kohezion BE-së. Pa kapërcim të diferencave Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug, nuk mund të ketë një Bashkim të Vërtetë Europian. Për më tepër një super-fuqi e së ardhmes si SHBE nuk mund të realizohet pa një ushtri të përbashkët pan-europiane. Kjo do t’ia lehtësonte së tepërmi barrën e rëndë të NATO-s që i rëndon në kurriz SHBA-së. BE duhet të pushojë së qeni thjesht “fuqi civile”. Nëse një Europë “e Bashkuar” është e paaftë të mbrohet, atëherë ajo do të shpërbëhet.

Nëse nuk ekziston një komb europian, atëherë Frau Merkel, ai duhet të shpiket. Nëse Europa kënaqet të ecë me dy shpejtësi, atëherë Herr Scheuble, ajo s’do të jetë kurrë e bashkuar. Në këto kushte, zgjidhja e vetme është ndryshimi i elitave politike, pasi komandatët e tanishëm të Bashkimit nuk janë veçse “kamikazë” të projektit europian. Pa një kushtetutë europiane, pa demokratizim të vërtetë të institucioneve të Brukselit përmes zgjerimit të kompetencave të Parlamentit Europian dhe barazi të popujve antarë të Bashkimit, kjo Europë e Re, e pangjashme me idealin europian, do të ketë fatin e Austro-Hungarisë Plakë. Le të shpresojmë se qytetarët europianë do të marrin në dorë fatet e “kombit” të tyre…

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ