Sufrazhi dhe Revolucioni Unviersal

3

Nga Panajot Cakalli

Sufrazhi universal, si koncept lidhet me te drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në një sistem demokratik pa kufizimet për shkak të pasurisë, statusit social, seksit apo religjionit. Ky term modern, po aq edhe frankofon, shpaloset në dy forma: si aktiv dhe pasiv.

Sufrazhi aktiv nënkupton të drejtën e votës e cila sot të paktën në demokracitë funksionale i është dhënë të gjithë qytetarëve të maturuar. Ndërkohë ai pasiv lidhet me të drejtën për t’u zgjedhur në institucionet përfaqësuese si parlamenti, gjykatat apo poste të tjera kyçe të hierarkisë politike qëndrore dhe lokale. Çdo kufizim që është kryer ka për qëllim mos devijimin e vullnetit të Sovranit-Popull. Në këtë kontekst sufrazhi është universal për të gjithë. Ligji ndalon aktualisht sufrazhin për individët e rrezikshëm kriminalë, pra vetëm për ata që nuk gëzojnë të drejtën e qytetarisë.

Në histori njerëzimi ka bërë një luftë të paepur për të drejtat dhe liritë e tij individuale me qëllim mposhtjen e abuzivizmit, arbitraritetit dhe perversitetit autoritarist ne qeverisje. Kjo luftë për të drejta nisi që në kohët antike përmes kalimit nga normat e pashkruara (ius non scriptum) në ligjet e shkruara (ius scriptum).

Kështu historia e së drejtës së përkufizuar me ligj filloi me Kodin e Hamurabit në Babiloni, me Reformat e trinomit Solon-Klisthen-Perikli në Demokracinë Athinase, si dhe me Ligjet e Dymbëdhjetë Tabelave në Romën Republikane. Vlen të theksohet fakti se sufrazhi pati përparim më të madh veçanërisht në Athinën e Perikliut, por megjithatë rezidentët e huaj nuk e gëzonin këtë të drejtë dhe vetëm ata (duke përjashtuar skllevërit dhe gratë) përbënin ¼ e popullsisë së polisit. Pra ¾ e popullsisë përjashtoheshin nga çdo angazhim politik.

Në Mesjetë, sufrazhi aktiv dhe pasiv realizohej më së shumti në hierarkinë kishtare, për papët, patriarkët dhe peshkopët. Nga sufrazhi përjashtoheshin priftërinjtë e martuar të Kishës Lindore Orthodokse. Ndërkohë katolikët privoheshin edhe nga martesa. Sufrazh bëhej edhe për pushtetin temporal të perandorit apo të mbretërve, ku mblidheshin aristokracia feudale dhe konkuronin për titullin monarkik. Qartazi sufrazhi qe mjaft i kufizuar vetëm për nje grusht njerëzish të privilegjuar.

Në Epokën Moderne, sufrazhi u kufizua edhe më shumë pikërisht për shkak të konsolidimit të monarkive absolute, ku gjithçka kalonte nga dora e mbretit, dhe ku ai vendoste për gjithçka. Shembulli më i qartë i kësaj dukurie ishte Franca e Luigjit XIV, e mbiquajtuara nga historiografia si bastion i absolutizmit, me shprehjen labidare të mbretit-diell : “L’etat c’est moi”, që do të thotë “Shteti jam unë”.

Praktikisht Luigji XIV ishte shteti sepse kontrollonte çdo lloj pushteti. Një udhëheqës mund të përputhet me shtetin, por jo me Sovranin. Sovrani është populli dhe legjitimiteti i udhëheqësit buron nga Populli-Sovran. Në këtë kontekst Luigji XIV ishte një mbret legjitim pikërisht për shkak të mbështetjes së Sovranit.

Sipas Rousseau përfaqësues i vullnetit të përgjithshëm mund të jetë kushdo, edhe një mbret, një tiran apo një oligarki. Shtypja që ata ushtrojnë legjitimohet edhe me mos reagimin e popullit. Indiferenca qytetare është për drejtuesit inkurajim i arbitraritetit. Individët heshtin në dukje, por në praktikë dëgjohen klithmat mazokiste të tipit : “Na rrihni, se durojmë akoma!”. Rrjedhimisht pushtetari sadist nuk do t’ia refuzojë këtë kënaqësi një populli mazokist.

Për fatin e mirë të të gjithë popujve, durimit të francezëve në 1789 i erdhi fundi. Nën parrullat vezulluese të Lirisë,Barazisë dhe Vëllazërisë më 14 korrik parisienët sulmuan dhe pushtuan simbolin e urryer të Regjimit të Vjetër-Bastijën. Në gusht ata çrrënjosën privilegjet feudale dhe anakronike të fisnikërisë dhe më 27 Gusht shpallën “Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe qytetarit”. Sipas kësaj deklarate të shkruar nga Lafajet me ndihmën e Tomas Xhefersonit, gjithë qytetarët francezë gëzonin katër të drejta themelore: sigurinë e jetës, lirinë, pronën private dhe më të rëndësishmen, të drejtën për kundërshtimin e shtypjes.

Kushtetuta e vitit 1791 e shpalli Francën monarki kushtetuese, por nga sufrazhi përjashtoheshin gratë dhe 30% e burrave. Mbas rrëzimit të mbretërisë dhe shpalljes së Rëpublikës më shtator 1792 u miratua Kushtetuta e Republikës I Franceze e cila për të parën herë jepte sufrazh universal për burrat. Do të duhej të vinte shek.XX që gratë të përfitonin të drejta politike të njëjta me seksin e fortë.

Si e arritën francezët sufrazhin universal? Me kundërshtimin e shtypjes, me mosbindjen civile, madje me akte burrërore të njomura me gjak. Sufrazhi dhe Revolucioni Universal që u krye asokohe janë prova të qarta se sa kanë sakrifikuar qytetarët për të marrë atë që u takon. Fitorja e tij na jep shpresë sikundër edhe një model të shpartallimit të establishmenteve të kalbura nga pasiviteti, autoritarizmi dhe arroganca e pushtetit.

Destabiliteti është mëma e Revolucionit dhe është Revolucioni ai që sjell ndryshimet e mëdha që kërkojnë qytetarët. Nëse jo, atëherë më vjen keq për ju miqtë e mi. Vet refuzoj t’i nënshtrohem përdhunimit politik të tiranëve tanë. Por më besoni, në histori mund të adhurohet kushdo, por asnjëherë idhujt dhe heronjt nuk janë prostituta politike.

 

 

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ