LSI sulm PS-së, Zamira e Bashkisë, shkarkon Fadil Bojon, drejtor i Punëve Publike

Kryetarja e Bashkisë Zamira Rami, ka shkarkuar nga detyra, drejtorin e Punëve Publike Fadil Bojo.

Shkarkimi është firmosur mesditën e sotme, ndërkohë që Bojos i është komunikuar nga nënkryetari i Bashkisë, vendimi në fjalë.

I kontaktuar nga Juguneës.net Bojo, konfirmon shkarkimin e tij por ende nuk i kanë dhënë arsyet e këtij veprimi që sipas tij, është tërësisht i instrumentalizuar politikisht.

Veprimi i Ramit, ndërmerret në një kohë kur LSI prej ditës së djeshme, është hedhur në sulm frontal ndaj partisë bashkëqeverisëse të koalicionit PS, pas marrëveshjes që kjo e fundit, nënshkroi me PD, për daljen e vendit nga kriza politike duke i dhënë opozitës nën administrim, disa ministri dhe drejtori që në shumicë, kanë qenë të kapura nga LSI.

Fadil Bojo ka ushtruar detyrën e drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Gjirokastrës prej disa vitesh dhe ka menaxhuar me profesionalizëm funksionin e tij drejtues.

Marrëdhëniet e tij me Zamira Ramin, kanë qenë të ngrira gjatë gjashtë muajve të fundit, pasi Bojo, nuk pranonte t’i bindej Ramit për mospjesmarrjen e tij në aktivitete politike të PS. Vetë Bojo, është koordinator politik në PS për zonën e “18 Shtatorit” ku egziston edhe numri më i madh i zgjedhësve në qytet.

Oferta për t’u bërë pjesë e LSI nga ana e Ramit dhe e strukturave të partisë së Tavos, Bojo i ka refuzuar dhe i ka quajtur të neveritshme.

Kjo mesa duket ka qenë edhe arsyeja e vendimit të sotëm të Ramit ndaj Fadil Bojos.

Në mes të shkurtit të këtij viti, Zamira Rami shkarkoi një tjetër socialist nga Bashkia, nënkryetarin Ylli Muho, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe, Rami ka dëbuar nga ndërmarrjet vartëse të Bashkisë, edhe 8 socialistë të tjerë punonjës të thjeshtë.

Lufta mes PS dhe LSI tashmë është aktive dhe frontale, thjesht “taborret” e tyre, bëjnë llogaritë në prag fushate.

 

 

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ