Skema piramidale kundrejt mashtrimit, zbuloi vëllezërit memaliotë të cilët u prangosën sot

Dy vëllezër nga Memaliaj, bien në pranga pasi ishin shpallur në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare. Julijan dhe Arbër Zhupa 38 dhe 33 vjec, janë kapur paraditen e të shtunës nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë Rajonale të Policisë. Vepra penale që rëndon ndaj tyre është ajo e mashtrimit. Prokuroria e Gjirokastrës, ka lëshuar urdhërat e ekzekutimit për arrestimin e tyre pasi Shkalla e Parë e Gjyqësorit në Gjirokastër pati caktuar masë e sigurimit “Arrest në burg” ndaj dy vëllezërve të cilët akuzohen për mashtrim. Gjykata e Gjirokastrës caktoi këtë masë arresti në mungesë ndaj vëllezërve Zhupa, pasi mendohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar mashtrimi përmes të hollave. Mekanizmi që ata kanë përdorur së bashku me persona të tjerë që nuk ndodhen momentalisht nën hetim, ka qenë ai i marrjes së sasive të ndryshme të hollash kundrejt një skeme që siguronte rritjen e fitimeve në formën piramidale si dikur skemat piramidale të viteve ’90. Këtë “zanat” memalijotët e kishin filluar së bashku me persona të tjerë prej vitit 2009 e në vazhdim. Prova që ata janë vënë me shpatulla për muri në Gjykatën e Faktit, ka qenë dëshmia e një banori të Gjirokastrës me inicialet E.K. i cili ka denoncuar në polici, të gjithë veprimtarië mashtruese të vëllezërve Zhupa. Sakaq Policia e Gjirokastrës ka përcjellë disa ditë më parë dosjen në gjykatë dhe kjo e fundit, dy ditë më parë ka dhënë masën e sigurisë arrest në burg në mungesë për dy vëllezërit nga Memaliaj të cilët vetëm sot u arritën të gjenden dhe arrestohen. Banorit të Gjirokastrës i cili ka një aktivitet privat, vëllezërit Zhupa, i patën marrë 15 milionë lek në me qëllim shtimin e interesit dy shifror brenda një periudhe të shkurtër. Mirëpo ky interes as që nuk u përfitua nga tregtari gjirokastrit dhe aq më keq, as shumën fillestare të dhënë, nuk mundi dot ta merrte pas. Kjo pasi vëllezërit Zhupa, po i shmangeshin detyrimit financiar të tërhequr nga ai. Kjo shumë të hollash, është përvetësuar nga Zhupajt, tetë vjet më parë dhe kërkesat kundrejt tyre nga ana e tregtarit gjirokastrit, kanë qenë të shumta. Tre vjet më parë, viktima e mashtrimit, i ka shpëtuar pengmarrjes nga disa persona të paidentifikuar ndërsa i ati i tij pesë vjet të shkuara, u plagos me armë zjarri nga persona ende të pa identifikuar. Prokuroria e Gjirokastrës, po punon për këtë cështje e cila mund të ketë të përfshirë në këto dy ngjarje, vëllezërit Zhupa por gjithësesi, kjo është një pistë hetimore që vlen të vërtetohet.

 

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ