Shteti, një zorrë qorre !

Nga Balil Gjini

Ky qytet s’ka më as teatër, as kinema, as bibliotekë. E vetmja shfaqje kulturore është loja e diminove që luhet nën hijen e gështenjave të egra të qytetit. Halimi, për të bindur të tjerët se është më i miri, iu bërtet ortakëve dhe spektatorëve, duke i quajtur “injorantë”, “idiota.” Njëherë i bërtiti edhe një turisti që e brente kureshtja.
Ky qytet s’ka prej vitesh jetë kulturore. As dritaret, vendet që, siç thotë Floberi, janë njëherazi edhe teatër edhe stadium, nuk shërbejnë dot si dylbi për shkak të vapës. Shteti ka tri vjet që po punon për ndërtimin e bibliotekës, por,… rrofshin paratë e derdhura ulluqeve të korrupsionit, sepse modeli funksional dhe arkitekturor mbetet po ai i komunizmit. Njerëzit janë po aq indiferentë: si përpara rënies së bombës atomike, ashtu edhe rënies së një gjetheve.
Askush nuk punon. Punojnë vetëm oxhakët e lartë të thashethemeve, nga të cilët s’mund të dalë veçse tym i zi. Punon edhe Halimi i dominove: injorant, pse s’e çove gjashtë pesën?!… Punon edhe punëtori i lulishtes, i cili, për t’i prishur lojën e dominove Halimit vazhdon të ujitë barin nën këmbët e tij. I kanë mbushur mëndjen se në këtë vend njerëzit rriten për barin dhe jo bari për njerëzit. Punon edhe shteti, por veç për hequr njerëz nga puna. A thua zgjidhet gjë me këtë.
Qyteti i ngjan një zorre të madhe që fillon në Kombinat dhe mbaron në Uznovë. Ai mund të të gëlltisë e të të tresë pak e nga pak. Me një fjalë: mund të futesh në Kombinat bakllava e sapogatuar dhe të dalësh në Uznovë një copë jashtëqitjeje. Po zorra më e padobishme në këtë qytet është vetë shteti: një zorrë e verbër, apendiks, një zorrë qorre…

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ