PARLAMENTI I RI: DOMINOJNË PRURJET NGA BIZNESI DHE ISH MINISTRAT E TRANZICIONIT

Në funksion të raporteve mbi përbërjen dhe prtishmëritë e parlamentit të ri (2017-2021) Instituti i Studimeve Politike përmes projektit monitorues 2017-2020 www.deputetim.al mbështetur nga qeveria e mbretërisë holandeze ka ofruar të dhëna publike që lidhen me përbërjen e parlamentit, cilësitë e përfaqësimit, prurjet, risitë dhe problematikat. Të dhënat e sotme lidhen me disa aspekte specifike të cilësisë së përfaqësimit, por që mbeten aktuale në debatin politik e publik.

Parlamenti i ri, ashtu si edhe parlamenti që lëmë pas, dominohet nga biznesmenët. Ata zënë rreth 26% të parlamentit ose më shumë se një të katërtën e të gjithë deputetëve. Disa prej tyre janë biznesmenë me ndikim të madh në ekonomi, posedojnë firma të njohura dhe asete të mëdha financiare, disa të tjerë kanë biznese të mesme, në fushën e  konsumit dhe të shërbimeve publike. Numri i madh i biznesmenëve nxjerr në pah tri probleme: e para, sistemi zgjedhor presupozon se emëron elitat politike, pra politikanët e karrierës, ndërkohë që liderit politikë që bëjnë listat e kanë përdorur sistemin për të emëruar biznesmenë të afërt me ta ose sponsorë elektoralë të fushatës dhe subjektit politik; e dyta, mazhoranca në Shqipëri është e majtë dhe është rast studimor modeli shqiptar ku një e majtë promovon në vijueshmëri prurje nga biznesi; e treta, parlamenti nuk arriti të miratojë Kodin e Etikës gjatë 2013-2017 dhe për pasojë, nuk ka zgjidhur ende me ligj të shkruar konfliktin e interesit midis biznesmenëve në parlament dhe akteve ligjore që këta deputetë miratojnë pro apo kundër interesit të tyre personal, biznesit që zotërojnë.

Në raportin e database www.deputetim.al rezulton se nga 140 deputetë 23 prej tyre kanë tituj e grada shkencore, 13 më pak sesa numri i prurjeve nga biznesi. Gjithashtu, nga 140 deputetë 22 prej tyre janë të paktën autorë në një libër universitar apo shkollor, disa prej tyre edhe studiues në fusha specifike. Në parlament do të kemi vetëm një ish rektor dhe tre dekanë, njëri prej të cilëve në shtator jep dorëheqje nga posti akademik për të kaluar në politikë.

Një e dhënë interesante është raporti i paramentit të ri me të kaluarën komuniste dhe të kaluarën në tranzicion. Lidhur me periudhën komuniste, në parlamentin e ri kemi të paktën dy deputetë nga PPSH, asnjë ish të burgosur politik dhe vetëm 5 deputetë që indirekt vijnë nga familje të persekutuara politike gjatë regjimit komunist. E dhëna e dytë lidhet me trashëgiminë e tranzicionit: ndonëse politika flet për prurje të reja, fillim të ri, republikë të re, logjikë e re shteti, etj, duke fajësuar politikanët e mëparshëm të tranzicionit për dështimet e deritanishme, në fakt, partitë kanë ricikluar pjesë të madhe të këtyre personave përgjegjës.

Konkretisht, në parlamentin e ri do të kemi një ish president, katër ish kryeministra, asnjë ish kryetar kuvendi, 45 ish ministra, 8 ish kryetarë bashkish dhe 9 ish kryetar partish ose aktualisht kryetarë partish. Pothuajse të gjithë kryetarët e partive kanë më shumë se një dekadë në poste të larta drejtuese në politikë, disa edhe dy dekada, duke mbijetuar në politikë kryesisht përmes përdorimit të sistemit zgjedhor në funksion të tyre apo përdorimit të partisë që drejtojnë në funksion të listave të sigurta elektorale.

Në mesin e deputetëve ka edhe politikanë aktiv që nuk kanë pasur poste të larta drejtuese në vite, por me rol aktiv në jetën publike dhe me një integritet të lartë. Ndonëse pakicë ata janë e mbeten forca kryesore lëvizëse e politikës në parlament dhe mekanizmi kryesor që lidh përvojën politike me pritshmëritë dhe nevojat e vendit.

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ