Ndërron jetë aktorja gjirokastrite, personazhi më i dashur i telekomedive shqiptare

Është shuar këtë të shtunë në moshën 66-vjeçare, ikona e kinematografisë shqiptare, aktorja e madhe me origjinë nga Gjirokastra Hajrie Rondo.

Para disa kohësh u tha se ishte sërish rëndë, ku i ishte nënshtruar edhe një operacioni në kokë. Ky ishte një tjetër lajm i keq për familjen, miqtë dhe dashamirësit e saj, pas lajmit të disa viteve më parë, kur pamë një pamje tjetër të aktores Hajrie Rondo, për shkak të luftës së saj me sëmundjen e rëndë.

Ndërsa shfaqte komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët, aktorja Hajrie Rondo u prit disa muaj më parë në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.

Rondo, karrierën e saj artistike, e ka përqëndruar në estradën Profesioniste dhe Teatrin Bylis në Fier.

Në kinematografi dhe skenën e teatrit, ajo ka luajtur dhjetëra role ku spikaten personazhet në telekomeditë me regjisorin Arjan Culiqi.

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ