VIDEO/Aksident në Mashkullorë, shoferin e zë gjumi në timon, lëndohen pjestarët e një familjeje

Përgjaket aksi nacional Tepelenë-Gjirokastër. Një automjet me pesë persona në bord, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me kanalin anësor. Ngjarja ka ndodhur në orët e drekës së 13 shtatorit në vendin e quajtur “Serat e Mashkullorës” rreth 5 km në veri të Gjirokastrës.

Automjeti tip kamiocine “Mitsubishi”, me drejtues shtetasin A.A. me targa SR8185B, ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor. Përplasja do të kish qenë fatale po të mos ishte prezenca e një përkujtimoreje të ngritur tre vjet më parë, për nder të tre viktimave që ka shkaktuar një tjetër aksident rrugor pikërisht në të njëjtin vend.

Sipas grupit hetimor në vendngjarje, drejtuesi i mjetit, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka nxjerrë makinën në krahun e djathtë të rrugës.

Për pasojë janë dëmtuar pesë personat që ndodheshin në bord katër prej të cilëve i përkasin një familjeje dhe një tjetër me inicialet F.P.

Të gjithë të dëmtuarit jetojnë në Sarandë dhe një ditë më parë ndodheshin në një ceremoni mortore në fshatin Izvor të Tepelenës.

Sipas Grupit Hetimor, drejtuesi i mjetit, e ka zënë gjumi në timon cka është përplasur me përkujtimoren e mermertë përbri rrugës.

Të dëmtuarit janë transportuar për në  spitalin  Rajonal “Omer Nishani”, Gjirokastër, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

SHPËRNDAJE

JEPNI MENDIMIN TUAJ