Konsiderata anti-historike

3

Nga Panajot Cakalli

Gjatë gjithë jetës sime, brenda shpirtit tim, që kur isha nxënës ka gjalluar dhe flakëruar përherë dashuria për historinë dhe pasioni për mësimdhënien. Çdokush që më ka njohur dhe më njeh e di mirë këtë fakt. Por sot që jam profesor, trishtohem thellë, aq shumë sa asnjë profet, apo orakull nuk do të mundte ta parashikonte.

  1. Historia Botërore është përmbledhur në një tekst. Filozofi Imanuel Kant ishte i pari i cili hodhi idenë e një historie universale, por si “dashnor i fizikës” e kishte të pamundur të martohej me historinë. Konceptin e tij e mori Hegeli, por e trajtoi si filozofi të historisë, si një paraqitje ideore të qëllimeve të vet procesit historik. Duhej të vinte koha e historianit Karl Grimberg që të përmblidhej e gjithë historia me një saktësi dhe estetikë me të vertetë brilante në plotë dymbëdhjetë volume. Dikush mund të shprehet se janë shumë, por ç’të thotë dhe Universiteti i Kembrixhit që ka publikuar vetëm për Lashtësinë nëntëmbëdhjetë vëllime?! Sigurisht një tekst për shkollën e mesme nuk mund dhe nuk duhet të ketë këto përmasa, por a mund të përmblidhet në një libër të vetëm një dije e këtyre dimensioneve?
  2. Anonimati i autorëve. Ata që nuk mund të kuptojnë, le të ndiejnë pathosin tim për shkencën. Kam lexuar shumë historianë të mëdhenj shqiptarë e të huaj, por habitem që asnjeri prej tyre nuk është autor i teksteve tona të historisë. Kjo spikat veçanërisht te “Historia 10” me autorë amatorët Menduh Dërguti, Tomi Treska e Dritan Egro. Përfundimisht shkencën e bëjnë vetëm shkencëtarët, historinë vetëm historianët, e jo diletantët.
  3. Mungesa e Logjikës. Një nga elementët bazë të shkencës historike është lidhja shkak-pasojë, pa të cilën nuk mund të mbërihet tek e vërteta. Të gjitha tekstet e historisë, nga viti i parë gjimnaz deri në maturë vuajnë mungesën e thellë të lidhjes organike mes shumësisë së ngjarjeve dhe personazheve të ndryshme, në të cilat ka kaluar historia botërore në përgjithësi dhe ajo shqiptare në veçanti. Për pasojë nxënësi e ka të pamundur të formësojë një sistem njohurish historike bazë për kulturën dhe edukimin e tij qytetar.
  4. Mungesa e Estetikës. Pse nuk i lexojnë librat e historisë nxënësit? Shumë e thjeshtë, sepse nuk janë të bukur. Bukuria e një vepre nuk buron te fakti se sa foto ka, por në cilësinë e tekstit. Cilësia e tekstit duhet të përmbushë për nxënësit edhe pritshmëritë shkencore (informacioni i paraqitur të jetë i saktë), edhe ato estetike (rrëfimi historik të bëhet tërheqës dhe interesant) . Një historian i zoti duhet domosdoshmërisht të jetë edhe një estet, që të zgjojë ndjesitë dijedashëse dhe aftësitë artikuluese të rinisë.
  5. Një hap para, dyqind vjet mbrapa! Ministria e Arsimit ka bërë një punë të madhe për kthimin mbrapa të rrotës së historisë. Sot shqiptarët e rinj e mësojnë historinë si të ishin shtetas të Perandorisë Osmane. Në këto tekste gufon kudo epshi për Stambollin , minohen ngado vlerat e civilizimit europian të cilit i përkasim, dhe theksohet në mënyrë trumbetuese se sa “të zhvilluar” ishim në kohën e sulltanëve. Ne na duhen osmanistët, por jo gënjeshtarët. Nuk mund të jesh dhe historian dhe gënjeshtar në të njëjtën kohë.

Në histori nuk ka rastësi, por vetëm domosdoshmëri. sigurisht ka një qëllim të caktuar e gjithë kjo përpjekje. Prodhimi i injorancës shkatëron qytetarinë, shembja e qytetarisë mbyt kulturën, asgjësimi i kulturës lehtëson sundimin e tiranisë klepto-narkotike në pushtet. Një ditë, ky popull, që vuan nën errësirën e padijes, varfërisë dhe krimit do t’u ngrejë përmendore mësuesve të tij, që luftojnë çdo ditë kundër barbarisë që mbretëron.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ