Luftëtari paralizon Skënderbeun, marshon drejt kreut të Superligës

Luftëtari marshon drejt kreut të renditjes dhe pretendon kupat e Europës. Takimi i sotëm vërtetoi synimet e Luftëtarit në një kohë kur paralizoi Skënderbeun, duke e cuar me turp në shtëpi me rezultatin e pastër 2-0.

Gjithçka nis në sulm për kuqebardhët, teksa Xhejms, në majën e sulmit mik, trondit shpejt traun e portës vendëse. Duan paksa kohë të besuarit e Likës për t’u orientuar dhe dalë përpara, me Shkurtajn në majë të ofensivës dhe mbështetjen nga krahët prej Abazajt dhe Bregut. Me kalimin e minutave loja balancohet, Luftëtari merr kurajo dhe e hedh vështrimin drejt portës korçare. Për të mbërritur në minutën e 25-të, kur Abazaj arrin t’i shkëputet prapavijës juglindore dhe të shënojë në portën e Shehit, raporton telesport.

Skënderbeu, në radhët e të cilit debuton edhe Emiljano Vila, që në gjysmën e parë të sezonit luajti me “demat e kuq”, reagon, krijon mundësi në kuadratin vendës, por nuk ka shënjestrën e duhur. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e Luftëtarit, që nuk e ul ritmin, gjithsesi. Me fillimin e pjesës së dytë nuk ka direkt zëvendësime, por Daja nuk vonon, duke hedhur në fushë sulmuesin Soue (57’), duke parë se ofensiva e të tijve nuk është në optimumin e duhur. Hasan Lika aplikon daljen me shpejtësi në kundërsulm, duke parë hedhjen përpara të kundërshtarit, teksa Bregu dhe Abazaj janë mjaft të rrezikshëm. Hasan Lika vendos të përforcojë disi mesfushën, duke dashur ta mbajë sa më larg reagimin e kundërshtarit. Në minutën e 66-të del sulmuesi Shkurtaj dhe hidhet në lojë Donald Rrapo. Nuk vonon dhe përgjigjet Daja me zëvendësimin Gavazaj-Demte. Luan gjithçka në kërkim të shmangies së humbjes trajneri i Skënderbeut.

Mirëpo, harku kohor i dy minutave, 71-73, prodhon një “çmenduri” të Marko Radas, i cili ndëshkohet fillimisht me të verdhë për ndërhyrje të gabuar, por reagon keq edhe ndaj tifozëve vendas, duke marrë shpejt të dytën e verdhë dhe të kuqen. Kroati i lë të tijve me një forcë më pak, në disavantazh. Dhe vjen minuta e 84-t, kur Abazaj, një lojtar i shitur te Skënderbeu, por transferimin do ta bëjë në qershor, shënon golin e dytë personal dhe të të tijve, duke vulosur fitoren e merituarme 2:0  të Luftëtarit. Skënderbeu nuk ka çfarë të bëjë, përveçse të dorëzohet dhe të dalë kokulur nga stadiumi gjirokastrit. Viti 2018 nis në mënyrën më të keqe për kryesuesit e Superiores, që u japin mundësinë ndjekësve më të afërt për të rihapur garën për titull.

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ