110 vjetori i Luftës së Mashkullorës

3

Përkujtohet sot 110 vjetori I Luftës së Mashkullorës (18 mars 1908),  një nga betejat më të rëndësishme të çetës së komanduar nga Çerçiz Topulli kundër ushtrive osmane. Pas vrasjes së komandantit të xhandarmërisë së Gjirokastrës, forca të shumta osmane, të dërguara nga valiu i Janinës për të ndjekur çetën shqiptare, e rrethuan në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një betejë e pabarabartë dhe e ashpër. Një grup luftëtarësh të çetës u bënë ballë gjatë një dite të tërë sulmeve të pareshtura të forcave turke dhe mundën ta çanin rrethimin. Nga luftëtarët e çetës mbeti i vrarë Hajredin Tremishti, kurse ushtria turke humbi 20 veta.

Çerçizi Topulli: “Ne nuk kemi luftuar për shtëpinë tonë, por për vendin tonë dhe vendi jonë është gjithkund ku flitet gjuha shqipe e jetojnë shqiptarë në trojet e veta. Kjo është tokë shqiptare!”.

 Epopeja e luftës së Mashkullorës

Çeta e Çerçiz Topullit me 11 vetë pas asgjësimit të Majorit të xhandarmërisë u strehua në “zonën luftarake” të Labërisë, që në fakt ishte në çdo vatër e zjarr të ndezur të lebërve. Çeta u çopëzua për t’u bërë më e manovrueshme. Çerçizi kishte me vete: Mihalin, Hajredinin, Asllaninin, Zemanin, Hiton, Myftarin dhe ditën e martë më 17 mars luftëtarët shkuan në shtëpinë e Myrto Haskës, i cili ishte babai i Zeman Haskës, siç njihet ndryshe Zeman Mashkullora.

18 marsi 1908, ishte ditë e martë duke u gdhirë e mërkurë. Pa u zbardhur mirë dita kur Çerçizi u ngrit i pari, pa nga dritarja si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Fillimisht I pandehu nxënës. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin askerë osmanë lëshoi kushtrimin, që është kthyer në legjendë:“O burrani, o shokë, se na rrethoi ushtria!”.

Trupa të shumta turke të garnizonit të Gjirokastrës dhe ato që erdhën nga Janina, u vunë në ndjekje të çetës. Luftëtarët rrëmbimthi morën ç’mundën dhe u drejtuan poshtë përroit. Por, spiuni Veip, të cilin Çerçizi e asgjësoi gjatë luftimit, i drejtoi askerët osmanë në drejtim të rrapit, në qendër të Mashkullorës(rrapi shekullor ka rënë në 2012 po atë vit mashkulloritët kanë mbjellë në vend të tij një të ri).

Edhe pse askerët hapën zjarr të befasishëm, Çerçizi dhe Asllani zunë më shpejt se ushtarët haurin e Abaz Çanos dhe hapën zjarr mbi ta. Zemani, Myftari, Hajredini e Mihali, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Gjatë rrugës nëpër lëndinën që të çonte tek hauri, u vra luftëtari 18 vjeçar i çetës, përmetari Hajredin Tremishti. Mihal Grameno, i cili ishte më pranë tij, nuk mundi të merrte trupin e pajetë të Hajredinit.

Marrja e hakut ishte flakë për flakë. “Tre askerë njëri pas tjetrit, thotë Mihali, qëlloi Çerçizi, e të tjerë të plagosur që u dëgjoheshin ulërimat, sa i detyroi të tërhiqen…

Braktisja e shtëpisë dhe lëvizja përmes përroit si dhe dalja tek hauri i braktisur i ndihmoi përkohësisht luftëtarët e çetës së Çerçizit; ndërsa Hito Lekdushi, duke parë strehën gërmadhë në pamundësi pozicionimi mundi të largohej dhe çeta e rrethuar tek hauri mbeti me pesë vetë, përballë rreth 150-200 askerëve osmanë (sipas M. Gramenos).

Hito Lekdushi ishte luftëtari që nuk mundi të futej në “kështjellën-haur”, një grup askerësh arritën t’i prisnin udhën dhe përgatiteshin ta kapnin. Por labi kurveleshas nuk e humbi kontrollin. Ai çau trimërisht përmes shkrepave të Levenishtës, u përlesh me armë e trup me trup me askerët, pas 3-4 orësh luftim çau rrethimin dhe u ngjit në malin e Gjerë.

Rapsodi lab vargëzoi:

“Ndriçoi hëna ngjyrë prushi

Se shkonte Hito Lekdushi’

Për Hito Habibin thonë

Kërkonte haka të zonë..”

Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë qendrën e haurit, mbrapa rrinin Mihal Grameno dhe Asllan Starja. Lufta filloi në mëngjes dhe përfundoi në mbrëmje. Ishte një luftë për jetë a vdekje, ku çeta e shtatë trimave, me kapedan Çerçizin në krye përballoi një tabor me osmanë, për një ditë rresht në një betejë krejtësisht të pabarabartë.

Raporti i forcave ishte tmerrues për çdo lloj kapedani e prijësi. Por historia shqiptare ka njohur edhe kapedanë të tillë si Çerçiz Topulli.

Kronikani i betejave dhe shërbëtor i paepur i historisë kombëtare shqiptare Mihal Gramenoja e kujton Çerçiz Topullin në betejën e haurit në Mashkullorë: “Zbathur, kokëjashtë, me leshrat përpjetë vërtiteshe në të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë dhe gjashtoren në dhëmbë duke na mburrur neve dhe duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij, këtë ditë, ishte më e qeshur se kurdoherë, edhe jo sikur luftonte, por sikur kërcente”, (Mihal Grameno, Vepra, Vëllimi II, Rilindja, Prishtinë, 1979).

Rreth mbrëmjes, në vendin e luftimit erdhën trupa të reja, por edhe sulmi i tyre u zmbraps nga zjarri i kalibruar i luftëtarëve të Çerçizit. Trupat osmane dhe komanda e tyre, u lodhën dhe më shumë u çoroditën si nga humbjet e shumta ashtu edhe nga shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, nga nata që po afrohej, por edhe mjegulla që sapo ra.

Beteja e zhvilluar në një ditë që vesonte shi zgjati nga mëngjesi deri në të ngrysur. Mes ushtarëve osmanë të vrarë ishte dhe kallauzi tradhëtar, që i tregoi osmanëve vendin ku strehohej çeta. Nën udhëheqjen e Çerçizit në zjarr e sipër çeta e çau rrethimin dhe arriti në Kasollet e Dino Çiços, ku shërbente një punëtor i kësaj familje fisnike gjirokastrite

Pasi u çlodhën dhe u siguruan se osmanët nuk kishin rënë në gjurmë, çeta shkoi në drejtim të Gjirokastrës mbi qytet në malin e Gjerë.

Çerçizi vendosi të hynte në qytet, njerëzit nuk i hapnin portën nga frika e askerëve, spiunëve dhe xhandarëve që ishin shpërndarë në qytet. Pasi trokiti në disa shtëpi, Çeçua u prit nga Resul Berberi. Në shtëpinë e tij u bënë takimet me njerëzit e Myftarit të plagosur, të cilin e lanë në qytet dhe çeta shkoi në Dervician. Ndihma e popullsisë së Dervicianit, Vanistrës dhe Goranxisë ishte e pakursyer.

Stefan Bako nga Bularati, për gati një muaj e gjysmë e mbajti çetën e Çerçizit me ushqime, veshmbathje e strehim, por edhe me ndërlidhje me komitetin e Gjirokastrës. Polizoi Gjini dhe djali i tij Mihu nga Vanistra ishin korierët besnikë me vendin e strehimit të çetës. Një miqësi të veçanë kishte familja Topulli dhe djemtë e saj, me Thoma Papapanon etj.

Lufta e Mashkullorës mbetet ende sot, një epope e ndritur e guximit dhe trimërisë shqiptare, ku kapedani i jugut, trimi i paepur Çerçiz Topulli dhe burra me fishekë të numëruar luftuan për një ditë rresht kundër një ushtrie të tërë.

 

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ