Shtatë mitet që e dëmtuan PD-në e Gjirokastrës

3

Nga Panajot Cakalli

Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e 2017-ës me një rezultat shumë të thellë. Nuk dua t’i fsheh opinionit publik as dhimbjen, as pesimizmin apo zhgënjimin që na pllakosi pas Qershorit. Ato tashmë janë të qarta për çdokënd. Sot që ka kaluar gati një vit nga ajo ngjarje mund të flasim qetësisht dhe me më shumë siguri për atë çka ndodhi. Vet debati publik i zhvilluar në distancë mes figurave të rëndësishme të PD, mbledhja e Kuvendit Kombëtar dhe miratimi i Statutit të ri ndihmuan në përbylljen e këtij procesi reflektiv dhe detyruan Lulzim Bashën të marrë përgjegjësitë që i takojnë atij. Por çështja që shtrohet është çfarë përgjegjësish kemi ne në degën tonë, sepse kur humbet Partia nuk humbet vetëm Kryetari, por teorikisht dhe praktikisht të gjithë bashkë.

Në mendimin tim personal, Partia Demokratike e Gjirokastrës nuk humbi thjesht për shkak të listës Basha, siç thuhet zakonisht në mediat skllave të Ramës, apo për marrëveshjen e 18 Majit. Lidhur me këtë them se tërheqja nga linja revolucionare e “Çadrës së Lirisë” dhe mosbojkotimi i zgjedhjeve, edhe në kushtet kur vet ministrat teknikë të PD e kishin konstatuar manipulimin elektoral, na çuan në fund të fundit në atë rezultat të hidhur.

Asgjë s’e pengonte Bashën të tërhiqte menjëherë ministrat e tij në mes të fushatës; asgjë s’e pengonte Kryetarin e PDSH të tërhiqte komisionerët ditën e votimit, ekzaktësisht sikundër bënë socialistët në 1997. Por Basha nuk është si Gramoz Ruci, të zhysë vendin në kaos e pastaj t’ia mbathi në Greqi me rroba grash. Jo, ai nuk deshi që PD dhe ai vet të bëheshin përgjegjës për shkatërrimin e vendit. Dhe kështu ai pagoi çmimin e rëndë të humbjes për një qëllim më sublim se pushteti, për një qëllim më human, atë të shmangies së luftës civile, të anarkisë dhe vdekjes së mijëra qytetarëve të pafajshëm. Humanizmi mesa duket ka një faturë të lartë në Shqipëri.

Por siç e kam thënë dhe në shkrime të tjera të mëparshme vendi po shkon drejt destabilizimit. Për fatin tonë të keq kemi ende një qeveri kriminale, ekstremisht të korruptuar dhe nje kryeministër që ditës-ditës po mbledh të gjitha pushtetet në dorën e tij. Sistemi i drejtësisë është shpartalluar. Kushtetuta është inekzistente, garantja e saj – Gjykata Kushtetuese është praktikisht eliminuar. Parimet kryesore të konstitucionalizmit : të ndarjes, kontrollit dhe balancës së pushteteve janë qartazi të hedhura në kosh të plehrave. “Krye-timonjeri”, diktatori ynë i ri kontrollon qeverinë, parlamentin dhe drejtësinë. Rrjedhimisht në përpjekjen çmendurake të Edi Ramës për të kontrolluar gjithçka, çdo gjë do të dalë detyrimisht jashtë kontrollit.  Në këto kushte nuk ka integrim, por vetëm revoltë.

Kush do ta bëjë revoltën? Vullkanet e zemërimit qytetar, të një nervi që do të çlirohet nga kthetrat manipulative të qeverisë dhe mediave të kapura prej saj. Konkretisht, shkatërrimi i miteve që rrëzuan Partinë Demokratike të Gjirokastrës në zgjedhjet e fundit është një sfidë që duhet tejkaluar për të formuar një marrëdhënie më të mirë dhe më transparante me njerëzit tanë.

  1. PDGJ udhëhiqet nga ish-drejtorët e Berishës. Ka një mendim të përgjithshëm, veçanërisht në qytet po jo vetëm, se dega jonë komandohet nga ish-drejtorët e Berishës. Këta ish-drejtorë kanë fituar një nam të madh në Gjirokastër, me apo pa vullnetin e tyre, sidoqoftë të keq dhe shumë të keq. Njerëzit i shajnë nëpër tavolina për arsye nga më të ndryshmet dhe llafet përhapen shpejt e shpejt te të gjithë. Problemi qëndron se njerëzit, pavarësisht se udhëheqja politike e PDGJ ndryshoi në 2014, ata kanë ende të njëjtin mendim. E çuditshmja është që si ka mundësi që nuk po krijohet një mendim i keq për drejtorët aktualë të PS, kur ata janë me prova dhe fakte edhe më kriminelë, edhe më hajdutë, edhe më të papërgjegjshëm se ata “ish-ët”që kishte PD-ja. Kjo me të vërtetë më habit. Shumë nga ata “ish-drejtorat” ose janë pasivë, ose janë tërhequr, ose minimalisht nuk janë më në frontin e parë të luftës opozitare. Unë sigurisht nuk mundem të justifikoj as të mbroj gabimet e njërit apo tjetrit. Nëse dikush ka ditur diçka apo shumçka për ata funksionarë, le të shkojë në prokurori dhe t’i bëjë ata të përballën me drejtësinë. Tanimë do ta kenë edhe më të lehtë me Ramën kryeprokuror.
  2. PDGJ dominohet nga Lazarati. Ka pasur një shqetësim të hershëm nga gjirokastritët për këtë, a thua se PDGJ është vetëm e Lazaratit dhe e askujt tjetër. Natyrisht banorët e kësaj njësie administrative kanë qenë historikisht votues dhe mbështetës tradicionalë të Partisë Demokratike dhe kjo nuk lidhet fare me kanabisin që mbillej dikur në Lazarat(mos harrojmë ai ka qenë atje dhe në kohën e Fatos Nanos), por me persekucionin gjakatar të Enver Hoxhës ndaj kësaj zone. I habitshëm është fakti se megjithëse noriega ynë e shndërroi Shqipërinë në të parin dhe të vetmin narko-shtet në Europë, të gjithë akoma merren me Lazaratin, pavarësisht se aty është i vetmi vend ku ndalohet të mbillet drogë. Nëse gjirokastritët duan sinqerisht t’i japin fund kësaj, ka një zgjidhje: le t’i bashkohen masivisht Partisë Demokratike dhe Ne të gjithë do t’i mirëpresim!
  3. Në PDGJ mungojnë intelektualët. Ky është një tjetër mit i rremë që rëndon në kurrizin e Partisë sonë, a thua se forumet e PS-së, apo LSI-së janë të mbytura nga filozofët. Por personalisht jam shumë krenar që e gjithë udhëheqja e PDGJ, që nga deputeti i saj i çmuar,Tritan Shehu, te kyetari, nënkryetari, sekretarët, antarët e Këshillit Bashkiak, apo të kryesisë kanë mjaft figura me peshë të këtij profili, qartazi pra në të gjitha nivelet. Vet deputetit i drejtohemi me përcaktimin “Profesor”, pavarësisht funksionit të tij parlamentar, vetëm e vetëm nga nderimi dhe respekti i thellë për kontributet e tij të shumanshme akademike dhe universitare. Kryetari Roland Bejko, me studimet e tij në Ecole Nationale d’Administration përbën një aset të pazëvendësueshëm për degën tonë; Nënkryetarja Matilda Koca, një mësuese brilante e matematikës; anëtarët e Këshillit Bashkiak Ilir Gushi dhe Ermelinda Kashah, i pari një njohës i shkëlqyer i institucioneve financiare dhe i ekonomisë së tregut, dhe e dyta një pedagoge e shkëlqyer e letërsisë në Universitetin “Eqrem Çabej”, etj, etj, etj. Këto janë faktet. Vetëm përmes tyre kemi mundësi të njohim objektivisht të vërtetën.
  4. PDGJ është parti e të pasurve. Një tjetër akuzë që i mvishet PDGJ-së është se është parti e të pasurve. Edhe ky është një mit i ngritur mbi atë se çfarë kërkon sistemi që të mendojnë njerëzit, pa i dhënë atyre mundësinë reale të analizojnë vet faktet bazuar në prova të besueshme. Nëse PDGJ do të ishte realisht parti e të pasurve, atëherë pse ishte partia me buxhetin më të ulët zgjedhor krahasuar me PS-në dhe LSI-në e qarkut? Faktet flasin vet, jo se ne jemi kundër grumbullimit të pasurisë. Ajo është një e drejtë legjitime,sa kohë lidhet me burime të ligjshme. Por sado para të ketë edhe më i pasuri i PDGJ, në kushtet edhe të tkurjes nga gjobat kriminale të pushtetit, kurrë paraja e ligjshme nuk do mundej të përballojë miliardat e eurove të ardhura nga kanabisi dhe korrupsioni në një fushatë elektorale.
  5. PDGJ është parti klienteliste. Thashethemet që kanë mbytur dynjanë na kanë shenjestruar si parti klienteliste. Subjekte të klientelizmit janë ata që japin votën në këmbim të një vendi pune. Sigurisht ka pasur edhe elementë si këta në Partinë Demokratike. Më qesharaku ndër ta është ndoshta anëtari i Këshillit Bashkiak, Arben Rexha, i cili në zgjedhjet e 2015 u vendos në listat e PD-së nën siglën e PR-së, pastaj vajti te LSI-ja dhe mbas 2017-ës te PS-ja. Dhe për se u bë e gjithë kjo zallamahi? Që ky individ të ribëhej drejtor te “Koto Hoxhi” !!! Faktet flasin ndryshe dhe tregojnë qartazi se kush është parti klienteliste. Për fat të mirë Partia Demokratike është ende parti idealesh dhe vlerash. Individë si këta janë të pavlerë dhe të padobishëm për një forcë politike idealiste. Prandaj dhe është e domosdoshme që PD të jetë vigjilente për personat që do të përfaqësojnë demokratët në të gjitha nivelet, për ta shtypur përfundimisht klientelizmin në emër të idealizmit politik.
  6. Partia Demokratike u themelua nga “ish-sigurimsat”. Pavarësisht se si është shkruar historia e krijimit të Partisë Demokratike, ka mjaft “dëshmitarë të 90-ës” që thonë se PD u themelua nga ish-spiunët dhe ish-komunistët. Argumenti themelor i tyre është vet Sali Berisha, i cili siç e ka pranuar dhe vet publikisht ishte anëtar i PPSH, por që përpara rënies Regjimit dorëzoi teserën, shkruajti artikuj kundër komunizmit, kërkoi liri dhe pluralizëm politik dhe iu bashkua lëvizjes studentore të udhëhequr nga heroi i demokracisë,Azem Hajdari. Nëse do të ishte i vërtet ky mit, i krijuar nga komunistët e vërtetë që nën maskën e socialistit vazhdojnë dhe drejtojnë vendin, atëherë Shqipëria nuk do të çante kurrë rrugën drejt integrimit euro-atlantik. Ishte PD që përmbysi monizmin, që firmosi MSA-me BE, që na futi në NATO, që liberalizoi vizat, etj. “Ish-sigurimsat” e vërtetë janë ata që sot shantazhojnë vjehrrën Europë se do flenë me mullixhiun rus. Kaq e thjesht.
  7. Partia Demokratike nuk është parti demokratike. Mediat e kapura të Ramës, me propagandën e tyre kanë mbi një vit që mundohen t’u mbushin mendjen shqiptarëve se në PD ka vdekur demokracia e brendshme. Faktet tregojnë të kundërtën. Vet mbledhja e fundit e Kuvendit Kombëtar të PD, Statuti si dhe gjithë diskutimet publike që vendosin në qendër të kritikës Lulzim Bashën, janë shprehje të qarta të demokracisë së brendshme. Prandaj shembja e miteve që ekzistojnë në mendjet e njerëzve është një domosdoshmëri për ringritjen jo thjesht të Partisë Demokratike, por të vet Shqipërisë. Vetëm kështu mund të shpresojmë për ndryshim. Pa çliruar skllevërit nuk rrwzohet tirania. Sa më shumë ajo konsolidohet, aq më keq për ne.

 

 

 

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ