Mallkimi!

Nga Poli Hoxha  
3

Teksa lexoja intervistën e kryeministrit tonë, Edi Rama, kur në emër të Shqipërisë i thoshte gazetarit austriak të portali ‘Profil.at’, se: “Ne jemi  të gatshëm t’i kthejmë bashkatdhetarët që banojnë ilegalisht në Francë, ose në vende të tjera të BE”, mu rikthye në memorie një episod i dhimbshëm.

Pak ditë më parë në një nga rubrikat Vox Pop të një televizioni lokal, një nga ata emisione ku gazetarja del në rrugë dhe ju zë pritë qytetarëve, ‘ngeci’ përpara mikrofonit  një mesogrua që ishte mbledhur sa një grusht, kushedi se për çfarë halli të madh.

Pyetësori i asaj dite ishte:

A duhet që Shqipëria, Edi Rama, ti thotë ‘po’ kryeministrave të Austrisë dhe Danimarkës për të pritur dhe sistemuar këtu në vendin tonë emigrantët nga Siria dhe Afrika që janë aktualisht në vendet e tyre dhe të gjithë BE-së?

Kjo pyetje sikur i ra si rrufe gruas e cila kishte një pamje fisnike, por ishte e mbledhur kruspull në hallin e saj. Ngriti kokën, e pa në sy gazetaren dhe i tha; ma përsërit edhe njëherë pyetjen, e ke fjalën për emigrantë që do vijnë në Shqipëri, apo për fëmijët tanë që kanë ikur dhe ata që kanë bërë gati valixhet?!

Pastaj me sytë e mbushur me lot filloi të tregonte, se djali i saj i vetëm kishte vendosur që të ikte nga shtëpia dhe Shqipëria. Se nuk e zinte gjumi më, sepse kishte një brengë të madhe; ndihej e rrënuar dhe e dorëzuar, ngaqë ishte e pafuqishme që ta ndalonte djalin në ‘aventurën’ që po niste dhe nuk dihej si do të bitisej. Edhe vajza e saj, sapo të mbaronte shkollën kishte të njëjtin synim.

Ajo nënë, papritur e kishte gjetur veten në kurth dhe  pafuqinë e saj e shprehte me ata lot, që të tronditnin. I ishin thërrmuar ëndrrat dhe gjithë investimet, e familjes. Mbi të gjitha i ishte shkërmoqur plani i madh i jetës, që fëmijët e saj ti shkollonte, ti shihte kur ecnin në karrierë, të martoheshin dhe të krijonin familje pranë saj, këtu në Shqipëri.

Nuk paska gjë më të trishtueshme, se kur dëgjon një nënë, që të thotë se fëmijët e saj duan të largohen nga vendi, jo me dëshirë, por të detyruar. Pasi nuk shohin asnjë dritë për të ardhmen e tyre këtu, se nuk kanë më shpresë se do të bëhen “dikush në jetë”, në vendin ku kanë lindur; se këtu vetëm maskarenjtë, hajdutët me kollare, trafikantët e maskuar si ‘biznesmenë të suksesshëm’, ndihen në shtëpinë dhe atdheun e tyre!

Panorama e kësaj tragjedie biblike që po luhet kaq egër në një vend ku nuk ka as luftë, as murtajë,  bëhet edhe më vajtuese kur i shtohen këta prindër të dëshpëruar e të dorëzuar, që nuk munden dot, që të bëjë asgjë për ti ndaluar fëmijët e tyre të ikin larg, drejt të panjohurës.

Drama të tilla luhen çdo ditë nëpër qytete, e fshatra duke e shndërruar këtë vend të vogël në një plagë të madhe gjigante, të hapur. Është një zezonë, që do të duhen ndoshta dekada të tëra, për ta mbyllur.

Lotët e këtyre nënave mjaftojnë për çdo njërin prej nesh, për çdo shqiptarë të përgjegjshëm e të ndershëm, për çdo familje, që të kuptojë se Shqipëria po prek fundin.

Në fund të intervistës së saj, kur kësaj nëne gazetarja i kërkoi që të përcillte një mesazh për qeverinë dhe kryeministrin Rama, ajo u sforcua për të vrarë ‘nënën e dhembshur’ dhe të nxirrte në sipërfaqe një ‘shtrigë’.

E vetëdijshme se të gjithë ata me në krye Edi Ramën, të cilët ajo i identifikonte pa mëdyshje si fajtore për tragjedinë që i ka pllakosur në shpirt e në shtëpi, kanë edhe vetë nëna, ajo lëshoi një urim-mallkim rrëqethës:

Zoti i ruajt fëmijët tanë në kurbet, Zoti jua bëftë jetën përrenj me lot këtyre që na i kanë kthyer shtëpinë në ferr, pa fëmijët tanë!

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ