Papunësia ushqehet nga korrupsioni

3

Korrupsioni dhe papunësia janë të lidhur fort me njëri-tjetrin në ekonominë shqiptare. Sa më i madh korrupsioni, aq më e vogël është mundësia e qytetarëve të gjejnë një punë të merituar.

Sipas shumë analizave, korrupsioni deri në njëfarë mase mund të duket si një instrument që “thyen” burokracinë dhe mund të përshpejtojë investimet. Por efekti i tij frenues nis e duket më pas në kohë. Në Shqipëri, përmasat e tij të mëdha duken sikur i kanë dhënë biznesit një zgjidhje për të mbijetuar, por në fakte mban atë në lak dhe qytetarëve iu ka hequr mundësinë që,përmes investimit në edukim dhe një pune më të mirë, të rrisin mirëqenien.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në raportin e saj të fundit, ka vërejtur se afro gjysma e bizneseve në Shqipëri mbijetojnë nga lidhjet me politikën dhe pushtetin. Por kjo ka bërë që zhvillimi i sipërmarrjes të mos bazohet te konkurrenca dhe aftësitë e brendshme të saj. Fakti që ndërhyrjet e politikës janë të forta dhe korruptive u përforcua me tone të forta, javën e fundit, edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin periodik për Shqipërinë.

Për shkak të prevalencës së politikës në suksesin e sipërmarrjes lindin së paku dy probleme. Paratë e harxhuara për korrupsion dhe influencë skontohen nga llogaritë për investime, të cilat do të rrisnin potencialisht vendet e punës.

Së dyti, për shkak se biznesi nuk e ndien nevojën e konkurrencës,sepse garantohet nga pushteti,nuk e ka të nevojshme të rekrutojë burime njerëzore me cilësi të lartë dhe aftësi që rrisin produktivitetin, i cili do të krijonte për pasojë zinxhirin e shëndetshëm të rritjes me këmbët e veta. Biznesi do të ishte më i qetë dhe më fitimprurës, nëse gjithë shpenzimet për burimet njerëzore do t’i investonte te cilësia e tyre, por presioni politik mbetet i madh, ndaj është i detyruar të ndajë në dy pjesë shpenzimin.

Ky fakt u mëshua edhe nga ekonomistët e BERZH kur analizonin Shqipërinë.

Kjo bën që, së paku, krahu i kualifikuar i punës do t’i mungojë tregut, jo se nuk ka prodhim nga shkolla, porse biznesi nuk ka nevojë për to, pasi mund të punojë me punëtorë me pagë më të ulët, ndërsa pjesa e tjetër e pagës,në rastin e një krahu pune më të kualifikuar, gëlltitet si tarifë korrupsioni.

Nëse sot do t’i bëhet një fotografi tregut të punës do të vihet re se ekonomia kërkon vende pune, por ato janë për kategori të ulëta e që krijojnë pak mbi vlerë. Ndërsa të kualifikuarit, në pamundësi, po emigrojnë. Pra jemi brenda një spirale efektesh negative që i krijon korrupsioni në punësim.

Departamenti Amerikane tregoi shumë qartë se ky korrupsion po buron më së shumti nga qeveria, përmes ligjeve të dyshimt adhe favorizimeve të bizneseve pranë saj. Duket se, për shkak të kësaj marrëdhënie të fortë me korrupsionin ashtu siç edhe e vërejnë zyrtarët amerikanë, qeveria e ka të pamundur të krijojë vende pune që rrisin konkurrencën e bizneseve dhe performancën totale të ekonomisë. Korrupsioni i prodhuar prej sa jo vetëm që ka infektuar dhe dobësuar institucionet, por po iu mohon shqiptarëve shanset që të jetojnë më mirë me punën e tyre.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ