Rriten 30% depozitat e biznesit, Banka e Shqipërisë: Shumicës së parave cash nuk u gjendet burimi

3

Prokuroria vendosi sekuestro të martën mbi shumën 1,2 milionë eurove të depozituara në një bankë tregtare në vend, pasi nga aktet paraprake, transaksionet bankare në lidhje me këtë shumë janë justifikuar me anë të kontratave të dyshimta që nuk përputhen me të dhënat e shoqërisë, aksionet e të cilës janë shitur në shumën 1.2 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar deri në këtë fazë të hetimeve ka dyshime të arsyeshme se shuma e sekuestruar do të përdorej në aktivitet kriminal të personave të dyshuar dhe personave të tretë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se depozitat në valutë të biznesit në banka janë zgjeruar dukshëm vitet e fundit.

Nga fundi i vitit 2015 deri në korrik të vitit 2018 depozitat në euro të bizneseve në banka janë zgjeruar me 30 për qind, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Të konvertuara në monedhën vendase depozitat në valutë të biznesit arritën në fund të 7-mujorit në 84.4 miliardë lekë nga 64.6 miliardë lekë që ishin në fund të vitit 2015.

E gjithë rritja e depozitave në valutë të biznesit ka ndodhur përgjatë vitit 2016, ku në sistemin bankar janë futur rreth 19 miliardë lekë depozita në euro nga bizneset.

Banka e Shqipërisë në raportet periodike të saj ka konstatuar këtë fenomen duke dhënë edhe disa arsye për rritjen. Gjatë dy viteve të fundit inspektoret e BSH-se në kontrollet rutinë kanë vënë re se prurje të mëdha cash-i në llogaritë e bizneseve në banka nga persona të tjerë, të cilat nuk kanë mundur të justifikohen nga punonjësit e bankave.

Inspektorët e mbikëqyrjes kanë gjetur mospërputhje të veprimeve të bankave me ligjet dhe rregulloret e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.

“Në disa raste nuk disponohen dokumente që provojnë burimin e fondeve, të cilat mbeten kryesisht në nivel deklaratash për transaksione të kryera nga klientët me para fizike (cash) në llogaritë individuale dhe tregtare” thuhet ne konkluzionet e inspektimeve të Bankës Qendrore.

Kontrollet kanë zbuluar se ka raste që bankat nuk disponojnë dokumentacionin dhe njohuritë për marrëdhëniet ndërmjet disa kompanive që kryejnë transferta hyrëse në shuma të mëdha në llogaritë e tyre. Vitin e kaluar sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë u vu re një rritje e pazakonte e llogarive të biznesit. Nga Mars 2017 deri në janar 2018 depozitat e biznesit në banka u rritën me 140 milionë euro, teksa depozitat e individëve nuk ndoqën këtë trajektore, përkundrazi kursimet e tyre ranë.

Më tej Banka e Shqipërisë në inspektimet e saj me fokus me rastet e pastrimit të parave ka gjetur transaksione të pajustifikuara të kryera për punonjësit e bankës. Në rast të tjera u gjetën mospërputhje e të dhënave të bankës me profilin e klientit dhe aktivitetin e tij.

Bankat nuk kishin identifikimin e saktë të strukturës së pronësisë në momentin e inicimit të marrëdhënies së biznesit me kompanitë me aksione të prurësit, ku nuk janë përdorur dokumente ligjërisht të vlefshme si dhe nuk janë monitoruar në vazhdimësi për ndryshime të mundshme në strukturën e pronësisë.

Gjithashtu janë gjetur mangësi në plotësimin e të dhënave të klientëve biznes në sistem, si dhe të klasifikimit të klientëve sipas rrezikut, ku u konstatuan mangësi në kundërshtim me ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave.

Në lidhje me pastrimin e parave, Banka e Shqipërisë ka referuar se Vlerësimi i Integruar i Transfertave, rezultoi me rrezik të ulët për 3 subjekte, me rrezik mesatarisht të ulët për 2 subjekte (2 banka), me rrezik mesatarisht të lartë për 4 subjekte (4 banka) dhe me rrezik të lartë për 14 subjekte (10 banka dhe 4 IFJB)./Monitor

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ