“Veteranët e Tepelenës”, persekutorët, Autoriteti dhe “kazerma nr.6”

3

Nga Kastriot Dervishi

Me një muaj vonesë, Autoriteti “për hapjen e dosjeve” bëri të njohur një takim të zhvilluar më 22 gusht 2018 në kushtet e ilegalitetit të plotë me “veteranë të Rrethit të Tepelenës” dhe kryetarin e bashkisë së atjeshme, Tërmet Peçi. Referuar fotove, vendi i takimit ishte zgjedhur në një vend të errët që të kujtonte kohën e ilegalitetit komunist. Mungonte llamba e vajgurit për të qenë një skenar tipik për filmat e kinostudios. Ishte e qartë që Bashkia e Tepelenës ka kërcënuar me bojkotim të aktiviteteve të 23 gushtit, nëse nuk çohej në vend teka e “veteranëve”. Dukej sikur po dialogohej për paqe midis dy palëve, prej të cilave të mundurit (Autoriteti) pranonin kushtet e fitimtarëve. Formalisht “veteranët” i takojnë çështjeve deri në vitin 1944, ndërsa kampi i internimit është i viteve 1949-1953. Atëherë me çfarë tagri bisedohet me “veteranët”? Po ashtu Autoriteti nuk ka asnjë tagër ligjor që të zhvillojë bisedime në lidhje me emërtesën e muzeut të ardhshëm kombëtar të kampit të internimit tela me gjemba të Tepelenës, apo të plotësojë oreksin e “veteranëve” të Tepelenës për të vendosur kushte. Këtë të drejtë sipas ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë e ka Komiteti Shtetëror i Muzeve dhe Ministria e Kulturës. Sipas të dhënave të siguruara, “veteranët” duan të imponojnë emrin e mundshëm të muzeut të ardhshëm dhe tematikën e tij. Në përfundim të bisedimeve, Autoriteti (nga dëshmitë thotë, por nuk e di cili i internuar qenka kënaqur në atë kohë) ka vulosur se trajtimi që u ka bërë Tepelena të internuarve ka qenë i mirë (mirë që nuk thanë i kanë mbajtur me mish qengji në shtëpi), se historia e kampit lidhet “me narrativën e luftës antifashiste” (as ka lidhje fare në fakt) dhe se e njëjta energji duhej treguar për “të rënët në luftë”. Shokët veteranë me kasketa leniniste, kanë pasur merak që të mos përmendej fjala “kamp internimi”, por të përdoret fjala “kazerma nr.6”, duke mos marrë parasysh kriterin historik.
Në fund diçka për këta “veteranët” që nuk mbarojnë asnjëherë. Që nuk kanë parë italian e gjerman me sy, kjo nuk do as mundimin më të vogël. Kategoria që në Shqipëri njihet si “veteranë lufte” janë në fakt avangarda e nostalgjikëve enveristë, persekutorë të regjimit të cilët zhurmojnë vetëm për këto gjëra: të mbrojnë falsifikimin e historisë, figurën e Enver Hoxhës, si dhe të rrjepin financiarisht sa mundin buxhetin e shtetit. Shumica e tyre kanë qenë oficerë të Sigurimit të Shtetit si dhe zyrtarë të lartë të regjimit të shkuar, fakt ky që nuk e nderon aspak Autoritetin “për hapjen e dosjeve”. Ulja në një tavolinë me ta, është injorim i vuajtjes dhe sakrificës mbinjerëzore të shqiptarëve që i qëndruan komunizmit. Ndjej keqardhje për dy ish të internuar të kampit të Tepelenës që ndenjën në një tavolinë me ta. Konsideroj se ndjenjat u janë qullur e bërë ujë.
Do ishte mirë që këta “veteranët” të bënin të ditur moshën dhe profesionet pas lufte. Meqë nuk pashë ndonjë emër në njoftimin përkatës, po bëj publike dy prej pjesëmarrësve në takim:
-Shyqyri Taip Ruçi, lindur më 1.9.1934 në Damës të Tepelenës. Pra, në kohën e fillimit të luftës, ka qenë 5 vjeç. Në mbarim të luftës (në Tepelenë në vitin 1943) ka qenë 9 vjeç.
-Krenar Isuf Progonati, lindur më 2.9.1942 në Luzat të Tepelenës. Në fillim të luftës nuk kish lindur ende. Në mbarim, ka qenë 1 vjeç.
Në takim ishte edhe ish oficeri Bujar Sula sot kryetar i shoqatës së dëshmorëve (krejt kot në këtë takim) dhe ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Tepelenës Hasan Musta, sot kryetar i shoqatës së veteranëve.
Për të mos u zgjatur me të tjerët (edhe ata qëndrojnë në këtë standand), më tej, shihni një proces gjyqësor të vitit 1979 në Tepelenë se do i gjeni edhe persekutorë bashkëbiseduesit “veteranë” të Autoritetit.
Me Bashkinë e Tepelenës, pas zgjidhjes së statusit nga Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Ministrave, duhet biseduar nga grupi që do ngarkohet, për ujin, plehrat, wc e kampit, jashtë gardhit, por kurrsesi për tematikën dhe mënyrën si duhet ndërtohet muzeu në fjalë.

Në foto, përballë, shihni ata që pretendojnë se janë “veteranë”, në fakt një grup enveristësh, të dalluar jo vetëm gjatë diktaturës, por edhe në vitet 1991, 1997. A mund të pyeten enveristët në duhet bërë apo jo muze për krimet e diktaturës?

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ