A e përfaqëson Partia Demokratike të djathtën?

3

Nga Red Varaku                                                                                                      Një nga tezat që ushqen, që prej themelimit një debat kundër Partisë Demokratike është dyshimi që ngrihet në lidhje me përkatësinë ideologjike të saj pra:- ‘A është Partia Demokratike e djathtë?’. Kjo është një tezë e cila ka gjetur mbështetje madje edhe tek një pjesë e të djathtëve, të cilët duket se kanë rënë në grackën e ngritur me shumë dinakëri nga e propaganda e helmuar e të majtës, e cila përpiqet që të vendosë barazimin midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste .Sigurisht që fokusi i këtij shkrimi nuk është e majta, por shqetësimi, që ka një pjesë e të djathtës shqiptare për Partinë Demokratike dhe do të përpiqemi të sqarojmë arsyet e këtij shqetësimi, i cili është pasojë e një keqkuptimi të madh.

Ky keqkuptim buron nga fakti se Partia Demokratike ishte e djathtë në një kuptim dhe në një narrativë krejt tjetër nga ajo që mbanin mend dhe kishin trashëguar shqiptarët. Pra, ajo nuk ishte një riprodhim gjenetik i të djathtës shqiptare të para luftës së dytë botërore. Për të sqaruar këtë keqkuptim, së pari duhet të përcaktojmë se çfarë është e djathta në zanafillë dhe ku ndryshon ajo me atë që kemi sot të reflektuar në Partinë Demokratike. Vetëm pasi të kemi sqaruar këtë mund të analizojmë ‘djathtësinë’ e Partisë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve e deri sot.

Pra, le të përpiqemi që fillimisht t’i japim përgjigje pyetjes se çfarë është e djathta, sepse vërehet që në lidhje me të sot ka një paqartësi edhe nga vetë disa të ashtuquajtur të djathtë. Roger Scruton është autori që më së shumti merret si referencë për të interpretuar të djathtën dhe konservatorizmin. Ai në librin e tij , “Konservatorizmi: Një ftesë për tek Tradita Madhështore ,” shkruan, që konservatorizmi u themelua në shekullin e XVIII. Ishte pikërisht koha kur në Francë, Britani, dhe në kolonitë amerikane , shpjegon ai, po zvogëlohej pushteti i monarkive dhe po ndërtohej një sistem, i cili bazohej në arsyen dhe vullnetin e vetë të qeverisurve. Pra, duke vendosur vullnetin e të qeverisurve si vullnetin më të lartë nga ku buron pushteti.

Iluministët mendonin që rendi i ri politik që po ndërtohej duhet të ishte një kontratë midis individësh të lirë. Sipas tyre ishte kjo kontratë, e cila siguronte dhe garantonte sistemin. Ndërkohë që mendimtarët e djathtë konservatorë ishin plotëshit dakort me kontratën që propozonin iluministët , por ndryshe nga ata, mendonin se një individ nuk mund të jetë kurrë krejtësisht i lirë në kuptimin e lirisë absolute që propozohej, sepse sipas tyre njeriu është pazgjidhshmërisht i lidhur me familjen, lagjen, qytetin, komunitetin, besimin dhe kombin ku ka lindur dhe është rritur. Sipas tyre përkatësia e individit në këto institucione nuk është një zgjedhje e lirë. Ne lindim me këto identitete, të cilat mē pas shndërrohen në lidhje simpatie dhe dashurie. Këto lidhje trashëgohen nga njëri brez tek tjetri. Ndërsa liria, sipas tyre, nuk mund të egzistojë jasht këtyre institucioneve tradicionale. Sipas tyre liria nuk është tjetër veçse produkt i respektimit të këtij rendi, përndryshe kemi të bëjmë me një rend që është kundër vetë natyrës njerëzore, e cila nuk do të prodhojë tjetër përveç individualizmit, i cili është në luftë me vlerat familjare, fetare dhe kombëtare dhe disintegron dhe e rikthen shoqërinë në tribalizëm .

Këtu qëndron edhe ndarja e madhe dhe kryesore midis të djathtëve dhe të majtëve. Pra, të majtët mendojnë se liria individuale është është gjëja më e rëndësishme për shoqërinë dhe këtë gjë e garanton vetëm një shtet i fortë, ndërsa të djathtët mendojnë se liria është gjëja më e rëndësishme për njeriun, por ai e gjen lirinë në respektimin e familjes, besimit dhe komunitetit ose kombit të cilit i përket dhe këtë e garantojnë këto institucione shpirtërore.

Të djathtët gjithmonë e kanë vënë theksin tek institucionet e shenjta si familja, shkolla, feja, kombi si ruajtëse absolute të kohezionit shoqëror. Ky kohezion ,sipas tyre,nuk mund të rregullohet nëpërmjet ndërhyrjes ose pranisë së një shteti të fortë. Sipas të djathtës dhe konservatorëve ata kanë mekanizma të brendshme që vetërregullojnë sistemin. Kjo është edhe zemra e besimit të së djathtës. Rezistenca ndaj një shteti që i fut hundët kudo është tipike vetëm për të djathtën. Lufta me një shtet që kërkon të zaptojë hapësirat familjare dhe fetare është e shenjtë vetëm për të djathtët.

Si pasojë, të djathtët janë kundër një shteti të fortë , ndaj e kanë luftuar gjithmonë idenë e një shteti të fortë ose një qeverie të madhe. Kjo ka qenë dhe arsyeja që ata këkorjnë gjithmonë një shtet të vogël, madje një pjesë e tyre as nuk e duan fare atë, sepse mendojnë që komunitetet mund të organizohen shumë më mirë pa shtetin si një palë e tretë.

Pra, është e qartë se zanafilla e të djathtës e ka burimin tek dashuria për Zotin, familjen tradicionale dhe kombin.
Por a ka qenë Partia Demokratike ‘e djathtë’ gjatë këtyre viteve sipas këndvështrimit të sipërpërmendur?

Qysh në tekstin zanafillor të programit të Partisë Demokratike projektohen tiparet e Partisë Demokratike si një parti e djathtë, moderne, e ngjashme me të djathtën amerikane, me dallim të qartë filozofik dhe programor nga alternativa e majtë. Por keqkuptimi qëndron tek fokusi dhe prioritetet e saj kur ajo erdhi në pushtet për herë të parë. Duhet pranuar që sfidat e saj dhe të Shqipërisë ,menjëherë pas rënies së regjimit, ishin sfidat ekonomike, sepse Shqipëria ndodhej pranë një katastrofe ekonomike. Partia Demokratike asokohe një parti e sapo krijuar erdhi në pushtet e papregatitur. Sfida e saj nuk ishte rikthimi tek idetë e djathta që udhëheqin shoqërinë, por aplikimi me urgjencë i parimeve ekonomike të djathta për të nxjerrë vendin nga kolapsi ekonomik, duke lënë kështu një boshllëk në kuptimin ideologjik të fjalës tek e djathta. Për ata që kanë kujtesë , ideja e tregut të lirë ishte fjala më e përdorur në fjalorin politik të kohës.

Këtu fillon edhe keqkuptimi i parë me të djathtën tradicionale shqiptare. Një keqkuptim që solli edhe braktisjen e shtresave, që më së shumti e përkrahën në fillimet e saj , të persekutuarit dhe ish pronarët, sepse këta të fundit nuk gjetën tek ajo vlerat e konservatorizmit, për të cilin qindra dhe mijëra shqiptarë kishin luftuar, ishin përndjekur dhe persekutuar, dhe mijëra familje u shpronësuan dhe u degdisën në mjerim.

Keqkuptimi i dytë lindi për shkak se Partia Demokratike, nisur nga situata ekonomike, përbrendësoi atë që njihet ndryshe si ‘Laissez Faire Capitalism’, por që degjeneroi në ‘market fundamentalism’, fondamentalizëm të tregut. Fondamentalizmi i tregut është besimi i egzagjeruar dhe i verbër që tregu, nëse lihet vërtet i lirë, mund të zgjidhë të gjitha problemet ekonomike si edhe ato shoqërore.

Fokusi i PD ishte vendosur tek ekonomia dhe tregu i lirë dhe jo tek idetë e së djathtës tradicionale që përbëjnë zemrën e një populli. Gjatë mandatit të dytë qeverisës për Partinë Demokratike , idetë e fondamentalizmit të tregut sapo kishin filluar të hidhnin rrënjë si filozofi dominuese tek vetë të djathtët në SHBA dhe duke qenë se PD kishte si yll polar të djathtën amerikane, ajo e përpinte çdo ide që buronte prej saj, shto këtu edhe kushtet ekonomike të rrënuara ku ndodhej vendi ynë fill pas rënies së regjimit , për të cilat reformat ekonomike ishin një emergjencë kombëtare.

Por çfarë solli fondamentalizmi i tregut në të gjithë botën dhe veçanërisht në vendin tonë? Duke qenë se fondamentalizmi i tregut i vendos vlerat e tregut të parat, duke e shndërruar kështu rritjen ekonomike si gjënë më të rëndësishme për shoqërinë, ajo u rendit ndër filozofitë më çnjerëzore, sepse e detyronte shoqërinë të braktiste vlerat më të larta njerëzore dashurinë, devocionin, besimin. Pra, cënonte pikërisht idetë e së djathtës për një shoqëri ku sundon dashuria për familjen, devocioni ndaj Zotit dhe kombit duke inkurajuar individualizmin dhe duke rikthyer tribalizmin, qeverisjen nëpërmjet bandave dhe ‘të fortëve’. Në një vend ku tribalizmi është ideologjia sunduese, është e pamundur të jetohet. Për shkak të klimës së antinjerëzore ,që solli tribalizmi shqiptarët po largohen masivisht. Vetëm një rikthim tek vlerat e djathta mund ta shërojë Shqipërinë nga sëmundja që shkaktoi fondamentalizmi i tregut, e cila prodhoi një individ të zhveshur nga vlerat njerëzore.

Sigurisht që kjo filozofi edhe pse buronte nga idetë e djathta u refuzua më së pari nga vetë të djathtët. Ata e refuzuan me përbuzje sepse vetëm rritja ekonomike si e tillë, nuk solli asnjë vlerë të djathtë në shoqëri, përkundrazi u dëmtuan edhe ato vlera të djathta të trashëguara. Ajo riktheu konceptet parapolitike të qeverisjes. Riktheu një kod tribal të harruar.Kjo gjë e dëmtoi rëndë edhe vetë perceptimin për të djathtën duke e vënë seriozisht në dyshim atë.

Por çfarë duhet të ndryshojë Partia Demokratike në ofertën e saj politike, në mënyrë që të rikthejë tek ajo edhe ato shtresa, që për një arsye ose tjetër e ndjejnë veten të papërfaqësuar tek Partia Demokratike? Së pari duhet të ndryshojë ofertën politike, e cila është tërësisht e fokusuar vetëm tek reformat ekonomike. Programi duhet të adresojë problemet e vërteta të së djathtës, bazuar sidomos në zhvillimet e fundit të të djathtës konservatore amerikane. Ajo duhet t’i rikthehet parimeve aq të dashura për të djathtën si vlerat e familjes, dashurisë dhe sakrificës për vendin, besimit në Zot, sepse vlerat që prodhon fondamentalizmi i tregut janë kërcënimi kryesor për vetë të djathtën. Rikthimi tek vlerat tradicionale dhe historike të së djathtës është kundër-ideja më e mirë kundër sistemit para-politik që na ka ofruar rilindja. Rikthimi tek vlerat tradicionale të së djathtës do të shërojë plagët që shkaktoi fondamentalizmi i tregut në trupin e brishtë të shoqërisë tonë.

Pra, nevojitet një rikonceptim i parimeve themelore të së djathtës dhe reflektimi i tyre në ofertën e re politike. Kjo arrihet përmes një një debati të hapur, ku duhet të ftohen të gjitha grupimet që e konsiderojnë veten pjesë të spektrit të djathtë, që duhet të nisë pa humbur kohë nga Partia Demokratike. Tradita e Tryezës “E djathta shqiptare dhe simbolet e saj”, organizuar nga Fondacioni ‘Konrad Adenauer’ dhe Politiko ishte një kontribut i jashtëzakonshëm në mendimin e djathtë dhe një fillim i mbarë i këtij dialogu. Kjo traditë duhet të vazhdojë dhe duhet të shtrihet në çdo qelizë të shoqërisë dhe vetë Partisë Demokratike. Ky debat do të ndihmojë për të sqaruar keqkuptimet dhe do të risjellë në Partinë Demokratike edhe bashkimin e munguar.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ