TABELA/ BSH: Përkeqësohet gjendja financiare e familjeve

3

Banka e Shqipërisë raportoi se gjendja financiare e konsumatorëve në Shqipëri u përkeqësua për të katërtin tremujor me radhë. Përfundimi ka dalë nga vrojtimi i radhës i treguesit të ndjesisë ekonomike.

Sipas Bankës, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, balanca e gjendjes financiare të konsumatorëve u përkeqësua në -6.7 pikë nga -6.3 që ishte një tremujor më parë.

Por periudha tetor-dhjetor 2018 është tremujori i katërt rresht që individët raportojnë përkeqësim të gjendjes financiare, një tendencë e cila ka nisur që në tremujorin e parë. Përgjatë gjithë vitit të kaluar, gjendja financiare e individëve është përkeqësuar me shpejtësi nga -1.6 që në fund të 2017-ës në -6.7 në dhjetor të 2018-ës.

Image

Banka nuk ka dhënë shpjegime të detajuara se pse individët dhe konsumatorët raportojnë përkeqësim të gjendjes së tyre ekonomike. Por, viti 2018 përkon me një sërë masash shtrënguese të marra nga qeveria, përfshirë futjen e biznesit të vogël familjar në skemën e TVSH-së.

Përkeqësimi për të katërtin tremujor me radhë i gjendjes së raportuar financiare nga konsumatorët sinjalizon se familjet shqiptare po përballen me shtrëngim të kushteve ekonomike. Kjo konfirmohet edhe nga një tregues tjetër, ai i perceptimit të individëve për gjendjen ekonomike.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vlerësimi i konsumatorëve për situatën ekonomike u përkeqësua në -16 pikë, çka përbën nivelin më negativ të këtij treguesi që nga fundit i vitit 2016. Me fjalë të tjera, konsumatorët e vlerësojnë gjendjen ekonomike më keq se sa dy vjet më parë dhe perceptimi negativ ka ardhur në rritje të vazhdueshme.

Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë konfirmon se familjet dhe konsumatorët shqiptarë po përballen me situatë të vështirë financiare si pasojë e rënies së të ardhurave dhe rritjes së çmimeve.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ