Sajmir Pirgu dhe distopia dixhitale që ndërtoi Rama

3

Nga Red Varaku

Tenori i njohur, Saimir Pirgu deklaroi në një intervistë në TCh se i duhen 200 mijë shfaqje të rikuperojë një gomë të djegur në Shqipëri, nisur edhe nga gjendja aktuale në vend.Ky shqetësim i tenorit të madh, të cilin nuk e ha meraku për realitetin e popullit shqiptar, por vetëm për imazhin se si kjo gjë perceptohet tek të tjerët, tregon gjendjen e mjerë ku e ka degraduar propaganda politike individin. Reagimi i tij është edhe prova që beteja me mendjet dixhitale do të jetë shumë e vështirë.

Por, duhet të pranojmë që produkti që shohim sot tek mendimi i Pirgut nuk është i rastësishëm. Ai është produkt i një strategjie të mirëmenduar nga “piarët e inxhinjerimit social”, të cilët paguhen me shuma marramendëse nga rilindja. Ky mashtrim i ka fillimet që në projektimin e Ramës si Ministër Kulture e më pas si kryetar bashkie i Tiranës.

Realiteti dixhital filloi të merret në konsideratë nga “piarët” e politikës menjëherë pas një raporti të publikuar nga kompania amerikane Nielsen.Sipas këtij raporti , një amerikan ndjek mesatarisht katër orë e 46 minuta TV, dhe “shpenzon 11 orë çdo ditë duke ndërvepruar me median”. Kjo ka sjellë reduktimin e komunikimit në slogane, të cilat paraqiten në forma titujsh në TV dhe portale të ndryshme. Gjithçka ka humbur kontekstin. Imazhi është bërë më i rëndësishëm se fjala. Ndaj jemi çdo ditë e më shumë konfuzë, por ama gjithmonë të argëtuar. Imazhet elektronike janë idhujt e kohës tonë. Tashmë nëse diçka nuk egziston online, ajo nuk egziston. Realiteti që na paraqitet intensivisht bëhet realiteti ku jetojmë, ndërkohë refuzojmë atë realitet që shohim me sytë tanë.

Këtë realitet të ri si dhe fuqinë e medias në komunikimin politik Rama e inkorporoi menjëherë paburrërisht dhe në formë tinzare në strategjinë e tij të komunikimit. Njerëzit me prirje autoritariste kanë nuhatje të hollë ndaj çdo lloj metodologjie që synon manipulimin e shoqërisë. Interneti dhe TV e ka thjeshtuar komunikimin duke e shndërruar mesazhin politik në akte të thjeshta fotografike pa përmbajtje, por verbuese. Që në krye të herës ai është dalluar për fiksimin e tij tek fuqia e imazhit elektronik, i cili nëpërmjet realitetit të ri të komunikimit mund të ndërfutet dhunshëm në kokën dhe familjet e të gjithë shqiptarëve.

Kjo është edhe arsyeja kryesore se pse pranë tij pothuajse asnjëherë nuk shohim intelektualë, shkrimtarë ose poetë, por vetëm mjeshtra të imazhit, dukjes, aparencës. Kjo është arsyeja pse në kryeministri kemi një aparat me qindra njerëz që kujdeset vetëm për imazhin. Ai e di mirë efektin mpirës të një imazhi tek njerëz të gjymtuar intelektualisht. Shumica janë të paaftë për të identifikuar gënjeshtrat për shkak të verbimit që ka sjellë intensiteti i imazheve që godasin pareshtur dhe pabesisht nga një media tërësisht e kapur.

Ai e di, që për shkak të inflacionit të informacionit edhe memoria kolektive është afatshkurtër. Nuk zgjat më shumë se disa sekonda. Ndaj edhe inkoherenca e qëndrimeve të tij duhet mirëkuptuar, sepse tashmë ai mendon dhe sillet në mënyrë digjitale, duke u ndërfutur shpesh edhe si publicitet si tek Mamaqi, Çani, Arditi apo “kur do flasim?”.

Ai e ka kuptuar që shumica e shqiptarëve, jeton në botën e haluçinacioneve dhe “cicërimave” elektronike, Twitter , Facebook dhe duke njohur mirë efektin mpirës të iluzioneve, premtimeve dhe mirazheve te turmat e pashkolluara dhe të pastërvitura e servir në formën më elegante dhe artistike të mundshme sapunin për kaçkavall.

Si pasojë, kemi një masë amorfe pa sy, mendimi politik i së cilës është zëvendësuar me mendimin vulgar të një Big Brother-i gjigand, i cili nëpërmjet prozhektorëve, telekamerave universale, ekraneve kozmike dhe klloun-artistëve prodhojnë silazhin magjik halućinant për të krijuar një qenie pa ndërgjegje. Sepse ai e shikon veten dhe realitetin përmes lenteve të degraduara të televizionit dhe kulturës së sëmurë që buron online dhe pandërprerë prej tij nëpër zgëqet më të largëta të Shqipërisë.

Ndërkohë, ata që tentojnë të komunikojnë jashtë strukturave dixhitale, që tentojnë të sfidojnë narrativën qëndrore të propagandës zyrtare nëpërmjet argumenteve logjike të bazuara në fakte, janë bërë gati të pakuptueshëm për masën, dhe mendimi i tyre jo vetëm që nuk merret në konsideratë, por as nuk dëgjohet.

Beteja me ata të cilët janë nën efektin shkatërrues të kësaj propagande, duket shumë e vështirë për tu fituar. Shqiptarët sot ndihen si qenie të padobishme, pa vetëdije, pa kurajo.

Shoqëria shqiptare është sot apatike, sepse shumica nuk besojnë më në asgjë. Shoqëria jonë ka humbur sot ndjenjën e qëllimit, ndjenjën e një të ardhmeje të përmbushur.Ajo që është akoma më e rëndë, është se zhgënjimi i thellë nga politika dhe propaganda trushplarëse, që u është bërë njerëzve, ka plagosur frymën e reagimit, ndjenjën e protestës, forcën e revoltës. Propaganda i ka bindur shqiptarët se në këtë vend të gjithë janë njësoj se e mira publike ka vdekur përgjithmonë.

Sfida më e madhe qe kemi përpara si shoqëri nuk është kurrsesi vetëm politike. Në radhë të parë ajo është një sfidë kulturore. Suksesi më i madh i protestës studentore është pikërisht demaskimi i fytyrës së shëmtuar të këtij realiteti. Protesta e tyre risolli në jetë një Shqipëri të harruar, një Shqipëri të bukur. Ajo solli një dritë, e cila shpoi tejpërtej errësirën e pesimizmit, e cila ka paralizuar shoqërinë tonë.

Ajo tregoi sa lehtë mund të rrëzohen regjime kur të gjitha zemrat rrahin bashkë. Drita dhe shpresa që lëvizja studentore ndezi në zemrat e shqiptarëve me ç’duket nuk do të shuhet derisa t’i vërë flakën kësaj karikature dixhitale. Ajo rrëzoi maskën dixhitale me të cilën është dekoruar mjerimi. Kjo duhet të jetë drita që duhet të udhëheqë zgjimin nga zhgjëndrra ku ndodhet sot Shqipëria.Vetëm kjo dritë mund ta shërojë impasin kulturor që solli rilindja, metastazat e të cilës kërkojnë ndërhyrje radikale.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ