40 sekondat e videos që mundën Edi Ramën

Nga Red Varaku

Protestat do të shkojnë drejt përshkallëzimit dhe do të bëhen më të dhunshme në ditët në vijim dhe largimi i diktatorucit Rama do të jetë shumë i afërt dhe i pashmangshëm.

Ndërkohë, nervozizmi i policisë dëshmoi dëshpërimin e madh ku ndodhet sot pushteti dhe lakejtë e tij. Është e natyrshme, që mendjemadhin arrogant Edi Rama do ta lëshonin nervat pas këtyre protestave të njëpasnjëshme, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Një njeri delirant si ai, e ka të vështirë të pranojë se duhet të ikë pa mbyllur mandatin, edhe pse gjëmat që i ka sjellë këtij vendi në gati 7 vjet, nuk ia pati sjellë as pushtuesi më i pamëshirshëm.

Është i pashpjegueshëm reagimi i policisë, sepse rituali i protestës ishte pothuajse i njëjtë me herët e tjera. Pak molotov tek Kryeministria, pastaj protesta simbolike tek Parlamenti shoqëruar me skenat e gazit lotësjellës dhe molotovit, dhe protestuesit do të largoheshin si gjithmonë. Dhuna nuk ka qenë kurrë në axhendën e PD në asnjë prej protestave të organizuara prej saj.

Deri këtu gjithçka shkoi normalisht. U deshën vetëm 40 sekonda dhe gjithçka të merrte një kthesë drejt një rruge tashmë pa kthim. U deshën 40 sekonda që qytetarët të shikonin që përballë nuk kishin policinë, por militantë të partisë socialiste të veshur me uniformën e policisë. Vetëm atëherë kur të gjithë po largoheshin, policia ndërhyri brutalisht ndaj një prej katër zyrtarëve më të lartë të PD, Sait Dollapit.

Pas këtij veprimi, e menjëhershme qe deklarata e presidentit të Republikës dhe menjëherë ndryshoi edhe reagimi ndërkombëtar, i cili vetëm 10 minuta më parë kishte qenë totalisht në anën e qeverisë, ndërsa tani ishte bërë disi më i ballancuar në mbrojtje të protestuesve.

Kësaj here, edhe reagimi i Ramës ishte ndryshe. Në të lexohej zemërimi dhe njëkohësisht skërmitja e dhëmbëve me përbuzje ndaj z. Basha. Djaloshi hollandez me ç’duket e ka vënë në vështirësi serioze Skenderbeun e Spiropalëve. Aq shumë ishte shqetësuar, sa hodhi në lojë tre zagarët e tij më të fortë të sulmit lepurushin Vilajet, Taulantin nga Librazhdi dhe Elisën që nuk çudit më njeri. Për një çast iu fanit viti 2011, kur asokohe 35 vjeçari “pa ekperiencë” Basha, e kishte plasur përtokë skenderheroin e Tiranës.

Ishte kjo situatë, që e shqetësoi lleshin e trembur të ministrisë së brendshme. Ai ia njeh mirë turfullimën padronit, ndaj mori zemër dhe dha urdhërin për goditjen dhe arrestimin e Sait Dollapit dhe disa dhjetëra të tjerëve me shpresë se kjo do ta demoralizonte opozitën . “Kjo po që do ta gëzojë pa masë padronin”- fërkoi duart e zeza dhe nënqeshi me fytyrën e tij të zbehtë, pasi dha urdhërin.

Por, me arrestimin e Dollapit reagimi i qytetarëve, ndryshe nga ç’priste lleshi, ndryshoi katërcipërisht. Ndalimi i tij jo vetëm që nuk i ndaloi protestuesit por ishte si benzina që iu hodh zjarrit të zemërimit. Për një një çast, të gjithë e panë shëmtinë e policisë së armatosur gjer në dhëmbë përballë një njeriu të paarmatosur dhe paqësor.

Ata nuk do t’ia falin kurrë lukunisë së policëve, që vërshuan duke goditur dhunshëm një njeri tëpambrojtur. Imazhet e atij momenti do të rrinë gjatë në memorien e shqiptarëve si dëshmi rrënqethëse e dhunës policore ndaj një protestuesi paqësor. Për njohësit e protestave, momente si ky e kthejnë rrjedhën e një ngjarjeje 180 gradë.

Kryelepuri Vilajet u urdhërua që menjëherë të dilte në mbrojtje të policisë socialiste dhe kundër protestuesve, duke i etiketuar dhe provokuar pabesisht këta të fundit si një stan me lepuj. Natyrisht, një veprim, që i ka hije skuthit vrasës të Ardit Gjoklajt dhe njeriut më të pështirë që ka njohur vendi.

Situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim për shkak të shurdhërisë dhe arrogancës së kryeministrit. 40 sekondat që i shfaqën në videon ku 40 policë të armatosur gjer në dhëmbë sulmuan pabesisht një zyrtar të lartë të PD, e ndryshuan tërësisht rrjedhën e ngjarjeve që pritet të pasojnë, duke e afruar kështu edhe fundin e artistit mediokër, “viktimës” së vetme politike, që ky revolucion do të ketë.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ