Politikat shëndetësore nëpërmjet një konference rajonale

Nga Pof. Dr. TRITAN SHEHU 

Sistemet shëndetësore janë mekanizmat më të elaboruar, komplekse, të sofistikuara, që mendja njerëzore ka krijuar”. Kjo është një thënie e shumë viteve më parë e Parlamentit Europian, që ngel jo vetëm aktuale në vite, por edhe që merr më shumë realizëm çdo ditë që kalon e lidhur me hapat gjigantë përpara të shëndetësisë së zhvilluar në botë, metodave mjekuese gjithmonë dhe më kompleksë të përdorura, aspekteve sociale që po zgjidh, arsenalit medikamentoz në rritje galopante, profilaksisë që po dominon etj., etj,, të gjitha këto me efekte të paimagjinueshme në shpëtimin e jetëve njerëzore e në zgjatjen e saj me “shëndet për të gjithë”. Pa dyshim, ky zhvillim ka rritur shume lart edhe koston e këtij sektori thelbësor, duke e vendosur atë në vend të parë të shpenzimeve për shumicën e vendeve të zhvilluara, ose menjëherë mbas mbrojtjes për superfuqitë. Pra, kolonat e zhvillimit të sistemit shëndetësor janë pluridimensionale. Thithja e financimeve adekuate më kahe rritëse, shfrytëzimi racional e me efikasitet i tyre, forcimi i elementeve sociale të sistemit, krijimi i formave menaxhuese të institucioneve spitalore apo parësore për t’i bërë ato sa më të zhdërvjellja, kompetitive, afër e në funksion të pacientit e qytetarit, përpjekjet për përdorimin e medikamenteve e materialeve cilësore e të sigurta etj., të gjitha duke imponuar një nivel të lartë profesional e shkencor të operatorëve, janë të lidhura direkt edhe me gjendjen e burimeve njerëzore sektoriale.

Për të diskutuar këto elemente u organizua në Tiranë një konferencë rajonale, dedikuar sistemeve e politikave shëndetësore, e organizuar nga Fondacioni Gjerman “Kondrad Adenauer”, ku u mblodhëm më personalitete të fushave shëndetësore nga vendet e rajonit: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova e Mali i Zi, ekspertë të njohur nga BE, liderë politikë, lektorë në fushën e menaxhimit spitalor parësor si dhe specialistë të farmaceutikës, sistemeve financiare, njohës të burimeve njerëzore etj.

Pikërisht për larmishmërinë e çështjeve, kjo konferencë u nda ne katër panele, të lidhura kështu me katër kolona të rëndësishme për zhvillimin e nesërm. Në secilin nga këto panele u arrit edhe në disa konkluzione të përgjithshme, mbi bazën e së cilës gjykoj se mund të ndërtohen edhe strategji të së ardhmes. Pa asnjë dyshim ngelin dhe shumë argumente të tjera të mprehta sektoriale për t’u diskutuar.

Paneli i parë iu dedikua asaj që është në themel të zhvillimit, financimit të sistemit shëndetësor. Në fakt, financimi lidhet me të gjitha kolonat e shëndetësisë. Fillon pa dyshim nga mbledhja e vlerave financiare e shkon te mirëpërdorimi i tyre, racionaliteti në shfrytëzim, minimizimi i abuzivizmit, shpërndarja sociale e të ardhurave etj. Vizioni ynë në lidhje me financimin është jo vetëm nxjerrja nga varfëria e thellë e sistemit tonë shëndetësor, nga nënfinancimi absolut qe ka, por edhe që krahas rritjes së ndjeshme të vlerave, të arrihet që ky financim të jetë sa më stabël, autonom dhe social. Dhe për këtë, një sistem financimi mix, me diversitet burimesh, por kryesisht me komponentë të mjaftueshëm nga buxheti e nga kontributet direkte, do të dukej më solidi. Pikërisht konvertimi i pagesave të sotme shumë të larta direkte në kontribute direkte, pra, duke konsoliduar kolonën sigurative, e kombinuar kjo me injektime adekuate nga taksimi i përgjithshëm, do të ishte zgjidhja më e mirë, që është sinkron me objektivat e mësipërme. Rritja në këtë mënyrë e të ardhurave, eliminimi i skemave keqpërdoruese e korruptive të fondeve ku dallohen disa PPP e kalimi i atyre shpenzimeve në sistem, do të bënte të mundur daljen nga varfëria e thellë e shëndetësisë sonë, forcimin e komponentit social të saj, duke e thelluar e zgjeruar qartë këtë si në forcim të skemës, ashtu edhe drejt përbërësve të tjerë sektorialë si stomatologjisë, rehabilitimit, kujdesit paliativ të tij etj.

Paneli i dytë i dedikohej konceptit të vendosjes së pacientit në qendër të sistemit, spitalor e parësor, këta të decentralizuar, autonomë dhe të përbërë nga “spitali ndërmarrje” apo “profesionisti i lirë” për parësorin – mjek familjeje e specialist ambulator ky. Pacienti, me të drejtën e tij të zgjedhjes së shërbimit, duke u ndjekur nga pagesat prej institucioneve sigurative, përbën jo vetëm mekanizmin kryesor lëvizës, por dhe shkon paralelisht me të drejtat universale të njeriut. Për të realizuar këtë është e detyrueshme dalja nga klishetë e vjetra centraliste, nga klasifikimet bllokuese të “spitalit publik rajonal, bashkiak, sekondar a terciar” etj., e kalimi te koncepti i spitalit si njësi autonome, si “ndërmarrje”, duke u bërë ky direkt i interesuari kryesor për të siguruar një cilësi të lartë shërbimi për një kosto sa më të ulët, e matshme kjo me sistemin DRG. Nga ana tjetër, kujdesi parësor i bazuar mbi “profesionistin e lirë” duhet të kostohet kryesisht nga numri i kartelave për mjekun e familjes dhe shërbimet që kryen, për specialistin. Nën këtë optikë, pa dyshim, ndryshon dhe qëndrimi ndaj privatit, veçanërisht atij të konvencionuar, që duke u bërë pjesë e sistemit, duhet që dhe ai të integrohet në parametrat e përgjithshëm të kostos, cilësisë së shërbimit, verifikimit, standardeve etj., së bashku me publikun e institucionet e tij, për t’u paguar më tej si ai.

Paneli i tretë u ndërtua rreth farmaceutikës, veçanërisht sigurisë, cilësisë medikamentoze, politikave të çmimeve, rimbursimeve etj., për t’i siguruar publikut të gjerë jo vetëm preparate cilësore, por dhe një gamë të gjerë të tyre për zgjedhje nga mjeku, si dhe nivele të larta mbulese financiare të tyre nga institucionet sigurative. Fatkeqësisht, vendi ynë sot është më i “zbuluar” se kurrë ndaj medikamenteve prej origjinave jo të sigurta, edhe si pasojë e ndryshimeve ligjore të vitit 2014 kjo, dhe ndodhet përpara një braktisjeje nga kompanitë e konsoliduara farmaceutike, duke i ofruar publikut veçanërisht si zgjedhje e parë e rimbursueshme, medikamente të tilla e me një nivel mbulimi në numër e në vlerë shumë larg standardëve europiane. Mjaftojnë vetëm këto për të kërkuar që ndryshimet në farmaceutikë të jenë të thella e imperative nën divizën: “Farmaceutika është një sektor publik i menaxhuar nga privati”.

Mekanizmi kryesor kundër “fake drugs” për specifikat e vendit tonë, fillon me aplikimin e asaj strategjie për regjistrimin e medikamenteve, që përmblidhet në fjalët “liberalizim dhe siguri” dhe për të vazhduar më tej me ngritjen e strukturave kontrolluese të besueshme e në bashkëpunim me të tilla të vendeve kryesore të BE-së. Kjo do të thotë ulje e pengesave burokratike penguese për preparatet nga origjina të sigurta duke i stimuluar ato, si dhe kontrolle strikte, efecientë e kufizime për origjinat e pasigurta që në hyrje. Një strategji e tillë në mbështetje të medikamenteve cilësore e të sigurta jo vetëm që shkon sinkron me të drejtat e pacientit, përmirëson shëndetin, por në finale ul dhe koston e mjekimit. Dhe këtu nuk mund të përjashtohet as prodhimi vendas e sektori ynë privat në tërësi, që në procesin e zhvillimit të tij duhet të implementojë brenda disa limiteve të caktuara kohore standardet europiane të GMP për prodhuesit, si dhe ato të GDP e GFP në tërësi.

Paneli i katërt analizoi burimet njerëzore, e parë kjo në disa aspekte. Jo thjesht në krijimin e mundësive për të rritur numrin e mjekëve, në “zhdukje” këta sot, rritjes së pagave, shumëfishimit të numrit të specialiteteve, profesionalizmit të thellë, aktiviteteve shkencore, teknologjisë së lartë e bashkëkohore, dinjitetit e mbrojtjes së përshtatshme për personelin etj., por dhe në rritjen e rolit të tij si bashkautor i reformës në shëndetësi. Nuk mund të kryhet reformë e thelle, e gjerë e afatgjatë në shëndetësi pa rolin e atyre që janë pjesë e sistemit. Në fakt, ky hark pjesëmarrjeje duhet zgjeruar deri te pacienti, për të qenë edhe ai një konsulent aktiv për këto ndryshime e zhvillime të mëdha, por të vështira, për të cilat ka nevojë sistemi ynë shëndetësor, pikërisht për të dalë nga kolapsi ku ka rënë e të hyjë në rrugën e ngritjes drejt standardeve europiane.

Ecja në këtë rrugë për një shërbim më të mirë, më social, më të larmishëm e cilësor ndaj qytetarëve e pacientëve, bazohet gjithashtu mbi një detyrim të vendeve tona, që po bëhet çdo ditë dhe më imperativ e i detyrueshëm në rrugën tonë të integrimit europian, pikërisht në përmbushjen e standardeve të BE edhe në fushën e shëndetit. Pra, duke konstatuar se të gjitha vendet tona të rajonit kanë si objektiv strategjik të vetëm integrimin europian dhe po përshtaten gjerësisht me këtë përparësi në standarde, vjen e natyrshme edhe domosdoshmëria, me avantazhet e mëdha të saj në cilësi shërbimi e kosto, për të krijuar apo për të forcuar një bashkëpunim të ngushtë midis nesh në të gjithë sektorët e shëndetësisë.

SHPËRNDAJE

Warning: A non-numeric value encountered in /home3/wacptq0abqnu/public_html/wp-content/themes/Newspaper/includes/wp_booster/td_block.php on line 353

JEPNI MENDIMIN TUAJ