21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

0
259

21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë që nga viti 1999. Vendimi i marrë ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike si dhe për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë, funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashtë poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike, tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor.

UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ata dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.

Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muzeume, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj.

Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here