A është koronavirusi krijim i një laboratori kinez?

Prurë në shqip nga Ejvlana Skenderi/

Shkencëtarët dhe gazetarët kanë spekuluar për muaj qëkur koronavirusi i ri, SARS-CoV-2, u shfaq në qytetin e Wuhan-it në Kinë. Indiciet fillestare treguan për një treg të ashtuquajtur “treg i lagësht” ku peshku shitej sëbashku me kafshët e egra. Tanimë, gjithsesi, media perëndimore po raporton se ekziston mundësia se virusi është krijuar në Laboratorin e Virologjisë në Wuhan.

Teori të ngjashme filluan në rrjetet sociale që në janar të këtij viti, më së shumti lidhur dhe me teoritë konspirative për laboratoret sekrete ushtarake të Kinës që po zhvillojnë armë biologjike. Në atë kohë, e përditshmja “The Washington Post” i rrëzoi teoritë se ky virus mund të ishte i krijuar nga njeriu, duke cituar ekspertët të cilët ekzaminuan faktet që tregonin se virusi ndodh natyrisht dhe nuk ishte një mutacion i krijuar nga njeriu. Ky fakt u konfirma nga një skuadër kërkuesisht të udhëhequr nga Kristian G. Andersen, që publikoi një artikull në Nature Medicine. Një faktor tjetër që e konfirmon këtë është fakti që puna e laboratorit nuk është sekrete dhe se pjesa më e madhe e kërkimit mbi viruset e lakuriqëve të natës është publikuar në shumë gazeta të fushës. Partnerët perëndimorë kanë qenë gjithashtu të përfshirë në projekte kërkimore të drejtuara në Wuhan. Një nga këta partnerë ishte Laboratori Galveston i Universitetit të Teksasit. E përditshmja britanike Daily Mail ka raportuar se qeveria amerikane ka ofruar ndihmë financiare për kërkimet në laboratorin në Wuhan.

Ku lindi infeksioni i parë?

Por, pavarësisht të gjitha të dhënave fillestare, nuk mund të themi me siguri të plotë që pandemia nuk ka nisur aksidentalisht në laboratorin në Wuhan. Në fund të janarit, revista Science publikoi një artikull ku vendoste në pikëpyetje teorinë zyrtare se virusi është transmetuar nga kafshët te njerëzit në tregun e lagësht. Po ashtu, një tjetër studim në The Lancet arriti në përfundimin se 13 nga 41 personat e parë të infektuar me COVID-19 nuk kanë patur asnjë kontakt me të ashtuquajturin treg në Wuhan.

Për më tepër, ka shumë mundësi që “Pacienti zero”, pra personi i parë që ka patur sëmundjen, është infektuar që në Nëntor të 2019. Daniel Lucey, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Georgetown konfirmon gjithashtu që rastet e para nuk kanë patur lidhje me tregun nga ku dyshohet të jetë fillimi i virusit.

A duhen fajësuar shkencëtarët?

Por, si arriti virusi deri në tregun e Wuhan? Shi Zhengli, profesoreshë i virologjisë në Wuhan që publikoi kërkimet e tij mbi viruset e lakuriqëve të natës, mund të ketë përgjigjet. Në një intervistë të saj, ajo tregoi se kishte udhëtuar në shpellat e 28 provincave kineze për të mbledhur të dhënat fekale nga lakuriqët e natës. Ajo i përdori këto mostra për të krijuar një arkivë gjithëpërfshirëse të viruseve që vijnë prej tyre. Kërkimet vërtetuan që lakuriqët e natës, konkretisht kategoria horseshoe e tyre ishte një fillesë për llojet e koronavirusit që do të shfaqeshin më vonë në Wuhan. Ishte pikërisht skuadra e Shi Zhengli që bëri të mundur renditjen dhe botimin e gjenit të virusit mjaftueshëm shpejt, duke prezantuar një mundësi historike të paprecedentë për të bërë të mundur krijimin e vaksinës sa më shpejt.

Gjithsesi, në javët e kaluara Shi Zhengli është sulmuar në rrjetet sociale vazhdimisht. Në mbështetje të saj kanë qenë Peter Daszak, kreu i EcoHealth Alliance, një OJF e fokusuar në kërkimet shkencore dhe në parandalimin e pandemive dhe partner kërkimi i Shi Zhengli. Ai u shpreh se teoria se virusi ka dalë nga laboratori i Wuhan-it ishte e pabazë. Ai shtoi se kishte punuar me këtë laboratorin në fjalë prej 15 vitesh dhe se nuk ruan SARS-CoV-2 në ambjentet e tij. Daszak këmbëngul që kjo është një politizim i origjinës së pandemisë, duke hedhur poshtë teoritë e ndërlidhjes mes laboratorit dhe pandemisë.

Çfarë ka rënë në sy është gjithashtu fakti që qeveria kineze ka filluar të censurojë historitë dhe lajmet që kanë të bëjnë me origjinën e virusit. Kur e përditshmja “Daily Mail” i publikoi këto akuza, ambasada kineze në Londër pati një reagim të ashpër dhe i quajti ato të pabaza. Ambasada ka publikuar gjithashtu një deklaratë ku thuhet se kërkimi shkencor për të gjetur origjinën e COVID-19 ishte ende në proces. Burim: https://www.dw.com/en/did-coronavirus-really-originate-in-a-chinese-laboratory/a-53171292

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment