Shtyhet deri në fund të Tetorit gara për “Milot-Fier”

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtyrë me një muaj afatin për dorëzimin e ofertave të kompanive që kanë interes për të ndërtuar segmentin 115 kilometra të gjatë të autostradës Milot-Fier.
Gara për aksin ekzistues nga Lushnja në Fier dhe ndërtimit të 53 kilometrave rrugë të re Milotë–Lekaj u hap më 9 Korrik, ndërsa ishte lënë si afat dhënia e ofertave brenda datës 28 Shtator.
Qeveria vendosi shtyrjen edhe me 30 ditë të tjera të procesit të prokurimit.
Tenderi ndërkombëtar bazohet në formulën e dhënies së një koncesioni në këtë segment, ku do të jetë kompania e cila do të investojë 1.18 miliardë Euro me fondet e veta, të cilat më pas do t’i kthehen përmes tarifës 7.5 Euro për 100 kilometra që do të vendosen për automjetet që do të kalojnë atje.
Buxheti i shtetit i garanton kompanisë vetëm 10% të vlerës së investimit, jo më shumë se 118 milionë Euro në 16 vitet e para.
Në skenarin bazë, llogaritet që prej nisjes së aplikimit të tarifës në vitin 2024, e deri në fund të kthimit të autostradës në pronësi të shtetit pas 35 vjetësh, të ardhurat nga tarifa të arrijnë në 4.1 miliardë Euro.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment