Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në botë, lë pas Suedinë edhe Hong-Kongun

0
284

Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë. Sipas renditjes së fundit nga Global Price Petrol Shqipëria lë pas vetëm dy shtete në të gjithë rruzullin tokësor, Suedinë dhe Hong-Kongun, të cilët konsiderohen si vende të pasura dhe me burime të mëdha të ardhurash për frymë. Mesatarja e një litri nafte në Shqipëri llogaritet në 1.66 dollarë, kurse për Suedinë çmimi është 1.72 dollarë për litër dhe 1.93 dollarë për litër në Hong-Kong. Diferenca me vendet e rajonit është shumë e madhe, ku maqedonasit e blejnë një litër naftë për 1.05 dollarë, një çmim ky shumë herë më i lirë se ajo çka paguajnë qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, në Mal të Zi një litër naftë shitet mesatarisht për 1.24 dollarë, ndërsa në Serbi për 1,46 dollarë.
Në qendër të çmimeve të larta të karburantit që ka Shqipëria është regjimi fiskal i rënduar dhe përqendrimi i tregut në pak duar, ku kompanitë dominuese kontrollojnë importin me shumicë, depozitimin dhe tregtinë me pakicë. Sipas raportit të publikuar, rezulton se Shqipëria lë pas për nga çmimi i naftës për konsumatorët të gjitha shtetet e Bashkimit Europian dhe me standarde të larta të jetesës, si Gjermania, Italia, apo Franca. Po ashtu qytetarët shqiptarë duhet ta blejnë naftën më shtrenjtë se anglezët dhe amerikanët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here