Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka paralajmëruar komisionerët dhe numëruesit se kush cënon votën e numëruesve do të dënohet deri në 7 vjet burg. Ky parlajmërim vjen teksa shumë palë kanë akuzuar dhe denoncuar me pamje filmike se ka ndërhyrje të qëllimshme në fletëvotime për t’i kthyer ato në të pavlefshme.
Celibashi sjell po ashtu në vëmendje se KQZ disponon pamje filmike të vlerësimit të çdo vote, të bërë në fazën e nxjerrjes së rezultatit për partitë dhe koalicionet.
“Cënimi i votës së çdo kandidati do të ketë si pasojë sanksion penal deri në 7 vite burgim, për këdo nga numëruesit apo komisionerët e përfshirë. KQZ disponon pamjet filmike të vlerësimit të çdo votë, të bërë në fazën e nxjerrjes së rezultatit për partitë dhe koalicionet.” shkruan Celibashi në një postim në rrjetin social në Twitter.