Ironia e Fuges: Emigrantët janë shumë të emancipuar për të duruar jarabi-arabi-turqininë

0
201

Akademiku Artan Fuga, përmes një postimi në facebook, ka analizuar arsyet pse emigrantët shqiptarë në diasporë nuk kthehen më për të jetuar në Shqipëri. Gjithashtu Fuga në analizën e tij vë në pah dhe arsyet pse emigrantët nuk janë të dëshiruar nga politika në Tiranë.

Fuga shprehet se emigracioni nuk shkatërron jetën e atyre që ikin, por e përmirëson atë. Akademiku thekson se kudo t’i punësosh emigrantët pas kthimit nga jashtë, ata nuk durojnë dot politizimin e qendrave të punës dhe arbitraritetin e bosave.

Refuzimi i politikës për votën e emigrantëve Fuga e lidh me lirinë e tyre të vendimarrjes dhe pamundësisë së partive politike për të sondazhuar orientimin e votës së tyre.

Postimi i plotë: Emigracioni nuk shkatërron jetën e emigrantëve! Harrojeni këtë budallik! Shkatërron jetën e atyre që mbeten. Prandaj i ngjan një dige të çarë, pas të parëve ikin të dytët, të tretët, të katërtët!

E vërteta është se askush në politikë nuk i do emigrantët më të kthehen në shtëpi. Një pjesë e madhe e tyre i ngjanë robërve te shpella e Platonit që kurrë nuk kishin parë dritë me sy. Njeri prej tyre, doli dhe pa që jashtë kishte diell. U kthye dhe ua tha të tjerëve. Ata e morrën për të çmendur! E rrahën, e shanë, e pështynë!

Prandaj nuk kthehen emigrantët! Kanë frikë se i marrin për të çmendur!

Cfarë thua mo? Ku ka dritë? Cfarë është kjo drita? Lidheni mo këtë se ky gënjen popullin!

Kështu edhe emigrantët janë shumë të emancipuar për të duruar jarabi-arabi-turqininë se jetojnë në lagjet e Londrës, Romës, Bostonit, etj. Nuk do njeri sepse ata votojnë të lirë dhe nuk ka patronazhist që i kap. Nuk ka sondazh që e parashikon votën e tyre. Doni fakte? E patë si ua mbyllën derën për votime atyre në Greqi! Se nuk i mbanin dot në karantinë dhe atje t’u çonin fletët e votimit! Sapo mbaruan zgjedhjet, i lanë përsëri të hyjnë! Nuk i do njeri sepse ata kudo t’i punësosh nuk durojnë dot politizimin e qendrave të punës, arbitraritetin e bosave. Ata kanë energji shpërthyese sepse kurdoherë ashtu e kanë pasur. Ata e dinë si organizohet shoqëria, nuk u ka vdekur delli i punës, dhe nuk mund t’i trajtosh si debila dhe t’u tregosh se një qytet do kulla, se pyllëzimi është të ngulësh në beton pemë prej letre, se matësi i elektrikut rrotullohet dhe kur nuk ke asnjë dritë hapur, se kjo e se ajo. Ata nuk pranojnë propagandë dhe bosin politik që fryhet nga televizioni në televizion. Për cdo kokërr qindarkë të harxhuar si taksa, ata duan shërbimin! Nuk i do njeri sepse për ta nuk ka vende pune, se ata kërkojnë garë me konkurrencë për vende pune.

Përndryshe mjaftojnë tre a katër masa të forta ekonomike dhe emigrantët duke qenë atje ku janë mund të integrohen shumë bukur në Shqipëri.

Emigrantët dhe Shqipëria! Në librin tim SHOQERIA PERIFERIKE kam treguar se çështja nuk është aspak ashtu sikurse shtrohet!

Lexojeni dhe më thoni! Mos e lini në rafte të myket!

Na gënjejnë!

Ju gënjejnë!

Nuk është e vërtetë se politika dëshiron që ata të kthehen, por të mos kthehen.

Politika do që ata të mos votojnë, jo të votojnë. Kush nuk kupton këtë ose është naiv, ose është i përdorur! Për përdorimin e tyre ne kemi edhe një ministri e përdorimit të emigrantëve, ose e budallallepsjes të emigrantëve!

Pa emigrantët, ta mbash në gjumë popullsinë, është gjëja më e lehtë në botë! Të administrosh ata që e kanë mendjen për të ikur është thjesht një lojë fëmijësh!

Hera e parë në histori që Shqipërisë i ndodh kështu që pas emigrimit të arbërve pas rënies së Krujës e më pas! Osmani nuk kishte problem të nënshtronte ata që mbeteshin!

Problemi i emigrimit nuk është fati i keq i emigrantëve ! Mos u gaboni! Emigracioni shkatërron jetën e atyre që mbeten në Shqipëri. Nuk është ashtu si kujtoni!

Unë e kam vërtetuar këtë dhe nuk ka njeri që e luan!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here