PD shpërndan listat e anëtarëve/ Kandidatët për kryetar firmosin për 76 komisionet

0
235

Komisioni Zgjedhor hapi sot listat e anëtarësisë së PD për votimet e së dielës, në prani të përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana bëri të ditur se, pas hapjes së sistemit, degëve do t’u dërgohen listat e vulosura dhe me firmën e anëtarëve të Komisionit, përfshi dhe kandidatëve për kryetar të PD.

Në lista janë emrat e 75067 anëtarëve të PD, te cilët ndahen në 76 komisione votimi.

“Në pesë degë që kanë nga dy komisione bëhet një ndarje afërsisht e barabartë e numrit të anëtarëve. Kemi përgatitur zarfet për secilin prej komisioneve. Janë 76 zarfe në të cilat do të fusim listat e votimit të 76 komisioneve të votimit. Do t’i mbyllim, do t’i vulosim, dhe do t’i firmosim, secili, Kryetari dhe Sekretari i komisionit, detyrimisht dhe secili prej kolegëve anëtarë dhe përfaqësues të kandidatëve të këtij Komisioni, firmën mbi këto zarfe tek pjesa që mbyllet. Zarfet, bashkë me materialet e tjera zgjedhore, do të shpërndahen nesër dhe do të hapen në prani të Komisionit, në momentin që fillon procesi i votimit. Pra do të hapen në orën 08:00 të ditës së diel. Kryetarët e Komisioneve e kanë marrë këtë porosi të prerë që zarfet nuk mund të hapen nga askush, zarfet do të hapen vetëm nëpërmjet Komisionit dhe do të përdoren në tavolinën e Komisionit për procesin e votimit”, u shpreh Gjana.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here