Kushtetuesja rrëzoi herësin/ Juristi i PD: Të bëhet reformë elektorale për lista 100% të hapura

0
226

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Partia Demokratike lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e herësit në garën e kandidatëve për deputetë brenda listës të së njëjtës parti.

Eksperti ligjor i PD-së, Marash Logu shprehet se duhet pritur vendimi i arsyetur, por sipas tij, nuk do të thotë hapje 100% të listave dhe se ky vendim do të ketë efekt vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Ai shton më tej se ky vendim është i vlefshëm për ndërmarrjen e reformave elektorale në vijim nga ana e partive politike.

“Për të kuptuar se cfarë do të thotë ky vendim në vetvete, do të na duhet të presim vendimin e arsyetuar. Në bindjen time personale, ky vendim nuk do të thotë hapje 100% e listave, pasi aktualisht kemi 2 mekanizma për të përfituar mandatin. Mekanizmi i parë është mekanizmi i herësit, dhe lista, pra renditja në listën e kryetarëve, pra heqja e herësit lë në fuqi listën e kryetarëve. Nuk besoj se ky vendim do të ketë efekt mbi zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por sigurisht që do të ketë efekt mbi zgjedhjet e ardhshme. Lista që është shpallur nuk do të preket  nga kjo vendimmarrje, por do të jetë e vlefshme për ndërmarrjen e reformave elektorale në vijim nga ana e partive politike”, tha Logu për “Report tv”

Ai thekson se me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor në parlamentin e e ardhshëm duhet reflektuar hapja 100% e listave të kandidatëve për deputetë, ndërkohë që ndryshimet e tjera do bazohen në vendimin e plotë të Kushtetueses.

“Tashmë kjo pikë është shfuqizuar, nuk ka asnjë lloj mundësie objektivi që parlamenti ta lërë në fuqi apo të vendosë një dispozitë të ngjashme, sepse në cdo rast do të ishte në shkelje të Kushtetutës. Përgjithësisht, në raste të tilla, kur gjykata kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e një pike të nenit, nenit apo ligjeve i ka lënë parlamentit disa detyra që respektojnë vendimin. Kur të kemi edhe vendimin e zbardhur të arsyetuar, jam i bindur që do të kemi edhe disa detyra për në momentin që do të bëjnë ndryshime apo ndërhyrje në Kodin Zgjedhor. Sigurisht që hapja 100% e listave ka qenë edhe kërkesa e PD, kështuqë kur të nisë puna, të reflektohet edhe kjo kërkesë, e cila besojmë se nuk është vetëm kërkesë e opozitës, por e gjithë qytetarëve.” shprehet Logu.

Sipas juristit të PD, Kushtetuesja me këtë vendim, i dha të drejtë qëndrimeve të mbajtura nga Partia Demokratike për ndryshimet kushtetuese, të fundkorrikut të një viti më parë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi atë që Partia Demokratike por edhe shume ekspertë të tjerë kanë konfirmuar me kohë se ndryshimet që ju bënë në mënyrë të njëanshme Kodit Zgjedhor fillimisht në korrik të vitit 2020, e më pas me ndryshimet që iu bënë në tetor, në shkelje të marrëveshjes së bërë në Këshillin Politik, ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Pra u konfirmua si qëndrim i mbajtur aso kohe nga PD, ishte i drejtë”, tha Marash Logu. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here