Borrell: BE duhet ta mbajë Ballkanin në rrugën evropiane

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se BE-ja duhet ta mbajë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.

Borrell iu drejtua të shtunën një forumi në Dubrovnik.

“BE-ja është kombinimi më i mirë i lirive politike dhe i përparimit ekonomik, si dhe i solidaritetit shoqëror në botë. Ne nuk jemi të përsosur, por jemi më të mirët, prandaj duhet të vazhdojmë me të gjithë ata që e ndajnë vizionin tonë. Kjo do të thotë të ruajmë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ringjalljen e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës”, tha Borrell.

Ai tha se dalja nga pandemia e koronavirusit duket në horizont, por shtoi se të gjithë duhet të qëndrojnë zgjuar, për shkak të varianteve të reja që shfaqen.

Borrell tërhoqi vërejtjen për përkeqësimin e situatës në Afrikë, ku vetëm tre për qind e popullatës është vaksinuar kundër koronavirusit, krahasuar me 60 për qind në Evropë.

Borrell vlerësoi se një nga pasojat e pandemisë do të jetë “një botë gjithnjë e më e pasigurt, më pak e barabartë dhe më pak e lirë”.

“Pabarazia do të jetë e dukshme jo vetëm midis vendeve, por edhe brenda secilit vend individual”, tha ai.

Borrell tha se është e rëndësishme se si BE-ja do të pozicionohet në trekëndëshin me SHBA-në dhe Kinën, e cila, sipas tij, po bën zhvillim të mahnitshëm ekonomik.

Po sipas tij, ndikimi i Kinës po rritet në të gjithë botën.

Ai tha se beson se konkurrenca midis Kinës dhe SHBA-së do ta formojë botën në dekadat e ardhshme dhe se BE-ja duhet të vendosë një drejtim të qartë, “duke parë përmes syzeve të saj”./REL

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment