Nga ERTV tek Agjensia për mediat, nismat e Ramës për të rritur “kontrollin” ndaj medias

Një nga vendimet e para të qeverisë “Rama 3” ishte krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim, një strukturë që synon dhe monitorimin e medias.

Në vendimin e qeverisë thuhet se Agjensia:“Vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore”. Ky vendim i Ramës ka hasur në kundërshti dhe reagime me argumentin se po përpiqet të forcojë propagandën dhe kontrollin e medias.

Por kjo nuk është nisma e vetme e kryeministrin për të monitoruar median. Në vitin 2017, kur fitoi mandatin e dytë, Rama prezantoi ERTV-në, televizionin e tij privat.

Kujtojmë që në vitin 2018, ERTV nisi dhe transmetimin e një edicioni lajmesh çdo të dielë, ku jepej përmbledhja javore e të gjitha aktiviteteve kryesore të qeverisë.

ERTV është kthyer në pikë refernce për mediat, pasi shumë aktivitete, Rama i mbulon me televizionin e tij.

Ndërkohë që në funksion të veprimtarisë së qeverisë është dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, apo faqet online si kryeministria.al. Mesa duket këto nuk i kanë mjaftuar Ramës, por krijoji një strukturë që do të varet nga vetë ai.

Dëshira e tij për të patur një kontroll më të gjerë në media u dëshmua dhe me paketën anti-shpifje. Kujtojmë nismën e socialistëve për t’i dhënë kompetenca të  zgjeruara Autoritetit të Mediave Audio-Vizuale dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike edhe Postare për të vendosur gjoba dhe mbyllur portale elektronike , kur sipas tyre, do të “shpifinin dhe cënonin dinjitetin e individit”.

Vlen për tu theksuar se struktura e re, Agjensia për Mediat dhe Informim do të financohet nga Buxheti i Shtetit, sikurse ATSH dhe RTSH.  Kjo strukturë është cilësuar si “ministri propagande”. Hera e fundit kur Shqipëria ka pasur një “Ministri Informacioni” ka qenë viti 1999.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment