Nuk i jepet sërish fjala në komisione, PD: Po na vidhen liritë kushtetuese. Mazhoranca s’do përballje me ne

Opozitës nuk i është dhënë sërish fjala në Komisionet Parlamentare. Kjo pasi opozita nuk është pajtuar me vendimin për të marrë pjesë online, por ka qenë e pranishme fizikisht në sallë.

PD kundërshton vendimin që mbledhjet e komisioneve të zhvillohen online me argumentin se dëmton transparencën. Nënkryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese Helidon Bushati tha për gazetarët se nuk iu dha fjala, ndërsa akuzoi mazhorancën se po vjedh liritë kushtetuese të deputetëve.

“Sot partia e vjedhjes së votave tentoi të vjedhë dhe liritë kushtetuese të deputetëve, të drejtën e informimit dhe transaprencës. Mazhoranca e sotme po kërkon ta kthejë Parlamentin në tallava. Po kërkon që të kalojë ligje me deputetë që janë në bare, shooping center, avion nëpër Europë. Kjo është e patolerueshme për parlamentarizimin shqiptar”, u shpreh Bushati.

Gjithashtu dështoi dhe mbledhja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Kryetarii i saj, Agron Gjekmarkaj u shpreh se situata është absurde dhe se maxhoranca nuk e do përballjen me opozitën.

Sipas tij, qeveria nuk do të diskutojë për problematikat e arsimit dhe se po përpiqet të shmangë çdo debat. Ai i bëri thirrje kryetares së Kuvendit Lindita Nikollës që të mos ndjekë dëshirat e kryeministrit Edi Rama, por shembullin e paraardhësve të saj në detyrë, Pjetër Arbnorit dhe Servet Pëllumbit.

“Opozita u paraqit në sallën e komisionit të edukimit dhe medias, në përputhje me kusht dhe ligjet e vendit. U paraqit për të respektuar parlamentarizmin dhe lirinë e fjalës. Gjendemi përpara një situate absurde. Maxhoranca nuk u paraqit, nuk u paraqit sepse nuk do përballjen me opozitën.

Nuk duan të diskutojnë për çështjen e arsimit në Shqipëri, për shkollat që mbyllen, për 2 orë mësim në ditë në shkollat shqiptare. Kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, i konvenon të shmangë çdo debat.

Opozita nuk lutet, nuk është e vogël, përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptarë. Do jemi këtu për betejë të përditshme, betejë me regjimin. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. Komisioni nuk u konstitua, por opozita u paraqit që të fillonte normalisht. Pjesëtarët e maxhorancës nuk erdhën sepse kanë urdhër. I bëj thirrje Nikollës të mos bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës. Të ndjekë shembullin e Pjetër Arbnorit, të Servet Pëllumbit”, deklaroi Gjekmarkaj.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment