Çfarë la ‘mangët’ qeveria me çmimet? Sot në orën 17:00, protestë para Kryeministrisë

Pasi qeveria u dorëzua me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, qytetarët do të mblidhen sërish për të protestuar kësaj here duke kërkuar zgjidhje për kërkesa të reja.

Aktivisti Adriatik Lapaj, me një postim në Facebook, ka parashtruar kërkesat të cilat qeveria ‘i anashkaloi’ teksa zbardhi planin me 3 pika për të parandaluar efektet e krizës ,mbi familjet dhe biznesin e vogël.

Lapaj shkruan se qeveri duhet të japë zgjidhje “dhe për energjinë për biznesin e mesëm dhe të madh pasi produktet e tyre do të reflektojnë rritje çmimi. Duhet zgjidhje për çmimin e ushqimeve të shportës dhe karburantit dhe konkretisht me ndërhyrje në TVSH dhe taks qarkullimi qoftë dhe përkohësisht sa të stabilizohen çmimet në bursë.”

Postimi i plotë:

“Nesër në orën 17.00 do të jem përballë Kryeministrisë.

Nisi me 3 kërkesa. Qeveria u tërhoq nga rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. Një arritje e qytetarëve, por jo e plotë.

Duhen masa dhe për energjinë për biznesin e mesëm dhe të madh pasi produktet e tyre do të reflektojnë rritje çmimi.

Duhet zgjidhje për çmimin e ushqimeve të shportës dhe karburantit dhe konkretisht me ndërhyrje në TVSH dhe taks qarkullimi qoftë dhe përkohësisht sa të stabilizohen çmimet në bursë.

Italia, Greqia dhe mbarë vendet afër nesh TVSH-në e ushqimeve të shportës e kanë nga 4 deri në 13%, ne e kemi 20%.

Unë e di që këtu e liga i vë bisht dhe bishtit. Jam i gatshëm edhe për baltëhedhjen. Papritur shumë do më nxijnë. Kjo është kosto e të përballurit.

Gjithësesi unë jam dhe do jem sa të kem frymë i PASHANTAZHUESHËM. Bujrum në betejë!

Nesër në 17.00 para Kryeministrisë qoftë dhe TEK PULLË. Ndoshta aty do jemi mijëra TEK PULLË.

P.s më poshtë tabela ilustruese e rritjes së çmimeve këto 2 javë për produktet e shportës dhe karburantin,” shkruan Lapaj në Facebook.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment