Publikon videon me ngjarjet e rëndësishme të vitit 2021, Yuri Kim uron shqiptarët

0
217

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka zgjedhur t’i uroj shqiptarët përmes një video me zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2021.

Në videon e publikuar në faqen zyrtare të “Facebook”, të ambasadës amerikane, janë përmbledhur disa nga zhvillimet e rëndësishme të vitit për vendin tonë.

“Të dashur miq, është e vështirë të besosh se vitit 2021 tashmë po i vjen fundi. Ishte padyshim një vit sfidash të jashtëzakonshme, ndërsa bota vazhdoi të përballej me pandeminë e COVID-19 dhe teksa Shqipëria vijoi rimëkëmbjen pas tërmetit të 2019-ës dhe u përball me përmbytjet dhe zjarret e këtij viti. Pavarësisht këtyre dhe sfidave të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, jo vetëm festuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por dhe bëmë përparim historik drejt forcimit të demokracisë. Me krenari ju mbështetëm teksa ecët përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese, pas tre vitesh përgjumjeje, filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar elementëve të tjerë të drejtësisë shqiptare, përfshirë SPAK dhe BKH. Falë përkushtimit të tyre, kemi filluar të shohim rezultate reale dhe pozitive në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë.

Reforma në drejtësi nuk ka qenë e shpejtë apo e përsosur, por ajo ecën përpara duke sjellë më afër vendit që ju takon pranë Bashkimit Europian dhe SHBA0-së. Qytetarët gjatë këtij viti ushtruan të drejtën demokratike për të votuar. Pas zgjedhjeve, OSBE-ODIHR hartoi një raport ku vuri në dukje mangësi dhe parregullsi, dhe ne mirëpresim që t’ju mbështesim në përpjekjet për tu përgjigjur rekomandimeve të ODIHR. Në emër të Ambasadës së SHBA, ju falenderojmë për vitin e mrekullueshëm që lamë pas së bashku dhe ju dërgojmë urimet më të mira për vitin që po vjen! Gëzuar Vitin e Ri”-thotë Kim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here