Nga 1 shkurti hyrja në Spanjë për shqiptarët, me certifikatë vaksinimi

0
247

Ambasada e Shqipërisë në Madrid informoi sot se duke filluar nga data 1 shkurt 2022, udhëtarët nga Shqipëria me certifikatë të vlefshme vaksinimi, ku përfshihen dhe shtetasit shqiptarë, për të cilët kanë kaluar 270 ditë (ose 9 muaj) nga bërja e dozës së dytë, për të hyrë në Spanjë janë të detyruar të bëjnë dhe dozën e tretë të vaksinës ose dozën e riforcimit.

Për udhëtarët nga Shqipëria, pavarësisht nga shtetësia e tyre, që kanë qëndruar në një vend të rrezikshmërisë së lartë duhet, veç certifikatës së vaksinimit, testi apo konferma sanitare me rezultat negativ.

Po ashtu, me urdhrin përkatës të ministrit përgjegjës për Punë të Brendshme, që prej datës 20 shtator 2021, udhëtimet për në Spanjë të shtetasve shqiptarë që nisen nga Shqipëria janë të kufizuara.

Bëjnë përjashtim dhe lejohet të hyjnë udhëtarët me certifikatë të vlefshme vaksinimi si: certifikatë digjitale COVID-19 e BE-së; certifikatë vaksinimi lëshuar nga autoritetet shqiptare në platformën e-Albania, me kushtin që vaksina të jetë e autorizuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH); certifikata të tjera të lëshuara nga vende të treta të njohura më parë nga Ministria e Shëndetësisë së Spanjës.

Qytetarët duhet të kenë parasysh se për çdo rast, doza e fundit e vaksinës duhet të jetë marrë të paktën 14 ditë para datës së udhëtimit.

Po ashtu, nuk kërkohet certifikate vaksinimi për fëmijët nën 12 vjeç.

Ambasada njofton se lejohen të hyjnë udhëtarët e pavaksinuar, nga kategoritë si më poshtë dhe që këtë e vërtetojnë me dokumentacion përkatës tek autoritetet kufitare:
shtetas të BE-së dhe familjarët e tyre; rezident në një nga vendet e Bashkimit Evropian, shtetet e asociuara Schengen, që udhëton drejt vendit të rezidencës; mbajtës i një vize afatgjatë lëshuar nga një prej shteteve anëtare apo shtet i asociuar Schengen që udhëton drejt atij vendi; student që kryen studimet në shtetet anëtare apo shtetet e asociuara Schengen dhe është i pajisur me leje ose vizë përkatëse për qëndrim afatgjatë, nëse udhëton drejt vendit ku është duke kryer studimet; personel transporti, detar dhe personel i transportit ajror; personel diplomatik, konsullor dhe i organizatave ndërkombëtare;
profesionistë të shëndetësisë dhe profesionistë të kujdesit për të moshuarit.

Po ashtu, lejohet hyrja për udhëtarë të tjerë të pavaksinuar, si kategoritë përjashtimore të renditura më poshtë dhe që e vërtetojnë këtë me dokumentacionin përkatës, i cili i paraqitet dhe vlerësohet nga përfaqësia diplomatike spanjolle: punonjës të kualifikimit të lartë, aktiviteti i të cilëve nuk mund të kryhet në distancë, përfshi dhe pjesëmarrësit në aktivitete sportive; persona që janë të detyruar të udhëtojnë për arsye familjare të domosdoshme; arsye të pashmangshme humanitare.

Në këto raste është i detyrueshëm paraqitja e testit negativ: antigjen, i bërë 48 orët e fundit para mbërritjes në Spanjë; PCR, i bërë 72 orët e fundit para mbërritjes në Spanjë; ose certifikatë e shërimit nga virusi, e vlefshme duke filluar nga dita e 11-të nga testi i parë diagnostikues i tipit NAAT me rezultat pozitiv deri 180 ditë nga kryerja e testit.

48 orë para udhëtimit dhe hyrjes në Spanjë çdo udhëtar duhet të plotësojë Formularin e Kontrollit Sanitar në platformën përkatëse qeveritare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here