8 dhjetori / Bejko: Jo riciklimit të mbetjeve të komunizmit, do jetë fundi i demokracisë shqiptare

Në ditën e rinisë , anëtari i këshillit kombëtar të PD njëherazi një nga studentët e lëvizjes së dhjetorit ’90 e themelues i PD, z.Roland Bejko me anë të një postimi në Facebook ka uruar ditën e shënuar. Ndërsa ka theksuar se i duhet thënë jo , riciklimit të mbetjeve të komunizmit, pasi do të ishte fundi i demokracisë shqiptare, dhe njëherësh, fundi i një ëndrre për ta parë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Nga Roland Bejko

Gëzuar 8 Dhjetorin, ditën e rinisë, ditën simbol që shenjoi shembjen e diktaturës komuniste.

Veç se duhet përmendur fakti që Shqipëria ishte vendi i fundit në Lindjen komuniste që reagonte kundër regjimit të vet diktatorial.
Nga apatia, apo nga indroktinimi i thellë komunist i popullit dhe elitës së saj, këtë nuk jam në gjendje ta përcaktoj. Por ky është fakti.

Shqipëria për gjatë tre dekadave nuk ia doli të bëhej “si gjithë Evropa”, por vendi i fundit në kontinent për nivelin e ulët ekonomik, cilësinë e demokracisë, shkallën e lart të varfërisë dhe korrupsionit shtetëror.

Ky është dështimi më flagrant i klasës sonë politike dhe elitës së vendit, që për gjatë tre dekadave sunduan jetën politike dhe publike të këtij vendi.

Ndaj, jo riciklimi i tyre, por distancimi një orë e më parë prej kujtdo që njihet si zgjatimi më i keq i Ramiz Alisë në kushtet e tranzicionit, duhet të jetë sot imperativi i kohës dhe detyrë e brezit të ri.

Riciklimi i mbetjeve të komunizmit, do jetë fundi i demokracisë shqiptare, dhe njëherësh, fundi i një ëndre për ta parë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

Nëse lejuam me naivitet e konformizëm të digjnin aspiratat tona, sot është koha që t’i ndalojmë me çdo mjet të marrin në qafë edhe prespektivën e fëmijëve e nipërve tanë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment