9% e shqiptarëve punojnë mbi 48 orë në javë, kundrejt një page të ulët

Statistikat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) tregojnë se shqiptarët harxhojnë shumë kohë në vendin e punës, kundrejt një page dhe rendimenti të ulët.

Statistikat e Organizatës tregojnë se 9% e të punësuarve në Shqipëri punojnë mbi 48 orë në javë, ose një ditë pune më shumë se sa parashikon Kodi shqiptari Punës, 40 orë pune në javë.

Pjesa tjetër e të punësuarve në Shqipëri punojnë 35 deri në 48 orë në javë dhe vetëm 7.9% e të punësuarve harxhojnë më pak se 35 orë në javë në punë. Të gjithë të punësuarit punojnë mesatarisht 41 orë pune, nga 40 orë që përcakton ligji.

Sipas legjislacionit të brendshëm, kohëzgjatja e punës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në kontratën kolektive ose në kontratën individuale të punës, brenda limiteve të kohës javore maksimale të punës.

Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

Punëdhënësi mund t’i kërkojë punëmarrësit për të kryer orë shtesë pune, për aq kohë sa është e mundur dhe e nevojshme, si dhe duke marrë parasysh kushtet vetjake dhe familjare të punëmarrësit. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer 48 orë pune në javë.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, koha më e gjatë e punës është në sektorin e prodhimit, me 45.8 orë; Tregti; Transport; Hoteleri; Shërbime të Biznesit dhe Administrative, me 44.8 orë. Në ndërtim, puna zgjat 42.7 orë gjatë një jave. Më pak në vend punojnë punonjësit e shtetit, me 39.8 orë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment