“Aleanca të fshehta e publike”, Basha: Kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme

Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur për aleanca të fshehta e publike ndërsa foli në Kuvend për rolin e nismës së propozuar nga PD, sa i takon vettingut në politikë.

Sipas Bashës, kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth

“Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, në dëm të familjeve shqiptare.

Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle.

I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër.

Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë.

Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth

Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën”, tha Basha.

Sipas tij, raportet ndërkombëtare tregojnë natyrën e vërtetë të këtij pushteti të korruptuar.

Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e zymtë ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalet me fjalë, as vetëm raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar.

Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionit.

Dhe zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vettingu në politikë.

Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë së politikanëve në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.

Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shtetin, ka shkërrmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët”, u shpreh kreu i PD.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment