Amerikanët e kapën Ramën, të shohim kush do ta shpëtojë këtu!

0
160

Nga Poli Hoxha

Gjatë javës së fundit ka pasur mjaft zhvillime të forta, për politikën dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi. Me afrimin e datës për fatin e negociatave të vendit tonë me BE-në, parlamenti gjerman nën `okelion` e 9 kushteve faktikisht i bëri realitetit tonë, një skanim të hollësishëm.

Vendi është në krizë të thellë, korrupsioni dhe krimi i organizuar po bën kërdinë dhe rikthim i votës së lirë është një emergjencë për demokracinë. Ky ishte thelbi i asaj që nxori skaneri gjerman, duke mos harruar vakuumin e Gjykatës Kushtetuese dhe atë të Lartë të cilat janë, edhe përgjegjësi e ndërkombëtarëve.

Gjithashtu këto ditë DEA në bashkëpunim me policinë greke dhe shërbimet e disa vendeve europiane të antikrimit të organizuar, po hetojnë, monitorojnë dhe po godasin një linjë kleringu, shqiptaro-turke, që kohët e fundit po përmbyt vendet e BE-së me drogën vrastare heroinën. Ndërkohë që kokaina vazhdon të rrjedh në portin e Durrësit, heroina po bën kërdinë, det-det, duke shmangur doganat. Kurse kanabisi për `para xhepi` po korret, thahet dhe po magazinohet.Frytet e gjithë kësaj janë miliarda të zeza, të cilat vazhdojnë që të vërshojë në vend, duke bërë euron e shkretë të lëngojë e të tkurret dhe `biznesin strategjik` të lulëzojë. Një ‘fryt’ tjetër është Shqipëria e ngratë, që po zbrazet frikshëm. Por edhe për këtë qeveria e ka një zgjidhje; është gati ligji i ri për punëtorë të huaj nga vende të botës së tretë, sepse ashtu siç thotë edhe vetë Rama; punë ka, por shqiptarët janë dembelë. Dhe ndoshta ka të drejtë, kur sheh mënyrën e thjeshtë se si pasurohen ata që mban në krah, pa bërë asnjë punë të ndershme.

Në këtë situate, plasi e ashtuquajtura `bomba Venecia`. Kjo javë e emisioneve politike, si e kontrolluar nga një `shkop magjik` nisi dje mbrëma me çmontimin e kësaj `bombe` e cila në fakt është vetëm një shashkë. Komisioni i Venecias e tha qartë dhe saktë opinionin e vet; Presidenti ka tejkaluar kompetencat për shtyrjen e zgjedhjeve (d.m.th i ka kompetencat), por nuk duhet të shkarkohet. Venecia dha opinion si për kushte normale të një shteti me demokraci funksionale, kurse presidenti Ilir Meta veproi, si në një situatë anormale. Kaq e thjeshtë është, por dikujt i intereson që të shmangë vëmendjen nga mina me sahat mbi të cilën gjendet vendi dhe që Bundestangu, e skanoi perfekt. Dhe në këtë kurth, veç atyre që janë futur me dëshirë, kanë rënë edhe disa mediave kritike me qeverinë, madje edhe vetë institucioni i Presidentit.

Shqipëria nuk ka kauzë dhe emergjencë se si do të zgjidhet `lufta`, Rama-Meta, por betejën mes shqiptarëve të ndershëm me organizatën kriminale, Rilindja, e cila po e rikthen vendin në vitet 90-të.

Por sërish Edi Rama, e ka kapur mirë fijen. Ai po kërkon amnisti dhe për këtë nuk ka shumë pretendime si fillim; thjesht ta qasin në një ulëse të tavolinës, ku do të dialogohet dhe do të zgjidhet kriza-kusht nga ndërkombëtarët.

Duket se si çelës për këtë, po përdor edhe Ilir Metën. Po e shantazhon me intesitet, duke shpresuar te ndikimi i tij i fortë te partia që ka themeluar vetë dhe te një pjesë e rëndësishme dhe ndikuese e PD-së. Dhe nuk po ecën keq, në rrugën e këtij plani. Si kryetar i PS-së (e cila në fakt nuk ekziston) tashmë është amnistuar nga kundërshtarët dhe denoncuesit. Tani pret që të shtrëngojë duart me `armiqtë` e opozitës, edhe si kryeministër.

Por ja që nuk qenka e thënë, që plani të shkojë vaj. Nuk e kam idenë se si do ta zgjidh Endri Fuga këtë, por një bombë prej vërteti e gatuar në Tiranë në vitin 2012, plasi dje në SHBA.

Pas më shumë se 3 vitesh hetime dhe gjyqe, drejtësia amerikane e kreu punën e saj dhe e mbylli me fajtorë çështjen e fotografisë së famshme të Edi Ramës me ish-presidentin Obama. Dënoi dy `levat` (që kishte nën juridiksion) sepse ndihmuan realizmin e këtij mashtrimi për ligjet vendase; `shoqëruesen` e Ramës shqiptaro-amerikanin Bilal Shehu dhe paguesin formal të 80 mijë eurove, greko-amerikanin, Wiliam Argeros.

U mbyll dje në SHBA me dënimin me 4 muaj burg për `ditëziun` Argeros i cili kërkoi falje dhe mëshirë, duke qarë përpara gjyqtarëve amerikanë. Ky dënim pasoi atë të taksixhiut  Bilali për të njëjtën çështje në vitin 2017, por kjo vepër e rëndë që u kopsit përtej oqeanit hapet pikërisht tani, për drejtësinë shqiptare.

Nëse prokurorisë së drejtuar nga Arta Marku i ka mbetur ende një fije dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi për të zbatuar ligjet, nëse ambasadorët këtu në Tiranë kanë një rast `për të futur hundët` e bërë `presion`, ai ju erdhi si elefant nga SHBA. Sot pas publikimit të lajmit te `Zëri i Amerikës`, duhet që të nisë urgjentisht hetimet për pjesën shqiptare të asaj çështje, për të cilën gjykata përtej oqeanit e dha verdiktin. Sepse në gjithë këtë histori u dënuan dy `leva` të operacionit `Foto me Obamën`, por ende është i pa penalizuar financuesi, përfituesi dhe koka e tij.

Prandaj sipas ligjit, prokurorët shqiptarë duhet të nisin urgjentisht procedimin (sipas kushtetutës së re, e bëjnë edhe pa pyetur eprorët), të dërgojnë letër-porosi në SHBA për të tërhequr dosjen e hetimit dhe të gjitha dëshmitë në gjykatë të dy të dënuarve. Pas kësaj hapi i parë që ka për detyrë që të hedhë organi i akuzës në Shqipëri është ai, i marrjes në pyetje të Edi Ramës dhe të tjerat `kismet` më pas, nëse hetimi bëhet siç duhet. Pra këtu në Shqipëri është dhe duhet gjetur nga prokuroria; ideatori dhe organizatori, i cili në rastin më të mirë duhet të japë shpjegim, se nga dolën 80 mijë dollarët.

“Një burrë që sajoi një kontribut të paligjshëm nga një i huaj në një komitet të përbashkët për mbledhjen e fondeve për presidentin Barack Obama në vitin 2012, u dënua me katër muaj heqje lirie”, shkruan Zëri i Amerikës.

Pra ky burri (Wiliam Argeros) paska lëvruar 80 mijë dollar nga një i huaj.

Avokati i këtij burrit, John Azzarello, deklaroi në sallën e gjyqit se klienti i tij kishte vepruar në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, i cili dëshironte një foto të realizuar me zotin Obama. Pasta ai e hapi barkun edhe më tej dhe e tha copë: kandidati ishte Edi Rama, i cili aktualisht është kryeministër i Shqipërisë.

Pra përfituesi i këtij operacioni me financim 80 mijë dollar ishte direkt Rama. Kaq mjafton që të thirret dhe të pyetet fillimisht për paratë, ende pa pronar, me të cilat arriti me mashtrim që të blinte një foto me presidentin e SHBA. I duhej patjetër dhe me çdo mënyrë sepse në atë kohë ishte në opozitë. Dhe ja arriti që të shpallte veten si të mbështetur nga SHBA dhe të ngrinte peshë zemrat e socialistëve dhe të gjithë shqiptarëve, që ishin mërzitur nga qeverisja e Berishës.

Nuk është se është zbuluar ndonjë risi me këtë që ka bërë Edi Rama, në kohën kur ka qenë në opozitë. Që atëherë ai u turr për të mbledhur rreth vetes `gjithë qelbësirat` dhe financat e tyre të zeza, për ti vënë në funksion të planit të tij për të kapur Shqipërinë. Kur erdhi në pushte, me ndihmën e tyre (edhe të fotografisë me Obamën) a i bëri deputetë dhe shumë të tjerë “biznesmenë të mëdhenj” që ndërtojnë kulla, e bëjnë punë publike në miliarda.

Por nëse për të gjitha këto Rama edhe pse është kapur `me presh në dorë` nga shqiptarët dhe opozita këtu brenda vendit, ka arritur që të shpëtojë pa u lagur deri më tani, me çështjen `foto me Obamën` kemi një rast kur atë `e kanë kapur` amerikanët.

Ata e mbyllën me dënime punën e tyre dhe dosjen e kanë të kopsitur. Por duke u mbyllur aty, hapet në Tiranë. Mjafton që prokuroria të bëjë një kërkesë të thjeshtë dhe dëshmitë ku del emri i Edi Ramës, mbërrijnë brenda javës. Pra kemi këtë herë një çështje me  Edi Ramën të implikuar direkt dhe personalisht kurse rebusi është, se kush do ta shpëtojë këtë herë.

Arta Marku, ambasadorët, Ilir Meta, Lulzim Basha, apo të gjithë bashkë?!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here