Anketa e Turizmit/ Mbi 3.2 milionë udhëtime në 2020-ën, destinacionet e preferuara të shqiptarëve dhe muajt e fluksit

Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime” tregon se në vitin 2020, numri i udhëtimeve të kryera nga shqiptarët për qëllime personale apo biznesi ishte mbi 3.2 milionë.

Kështu raporton INSTAT, ndërsa shton se dominojnë udhëtimet për qëllime personale me 98,7 %. Muajt me fluksin më të lartë janë gushti, janari, qershori, dhjetori dhe korriku.

Sipas anketës, në 2020-ën janë regjistruar rreth 40 % më pak udhëtime në vend dhe jashtë tij, krahasuar me vitin 2019. Gjithashtu konstatohet se kohëzgjatja e udhëtimeve është 1-3 netë brenda Shqipërisë, pra mbizotërojnë ato të shkurtra.

Ndryshe paraqitet situata për udhëtimet e kryera jashtë vendit, ku peshën më të madhe të tyre e zënë udhëtimet e gjata (55,8 %). Në anketë vërehet se udhëtimet me kohëzgjatje të shkurtër në Shqipëri përqëndohen te “Vizita te të afërm dhe miq”. Përqindjet më të larta të udhëtimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë janë kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç dhe mbizotërojnë udhëtaret femra.

Në vitin 2020, destinacionet më të preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri janë qarqet: Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Korçë (8,9 %). Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi, Kosovë dhe Itali.

Sa i përket udhëtimeve sipas llojit të transportit, rreth 3,1 milionë janë kryer nëpërmjet atij rrugor (96,4 %).  Ndërsa vendi i origjinës së udhëtimeve në të shumtën  e rasteve është Tirana, që ndiqet nga qarku i Fierit dhe Shkodrës.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment