Arrestohet në Kakavije Lulzim Kulla, “i forti” i Shkodrës tentoi të ikte nga Shqipëria me pasaportë false

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes biznesmenin shkodran Lulzim Kulla. Kulla tentoi të kalonte kufirin me pasaportë false.

Është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes biznesmeni shkodran, Lulzim Kulla. Kulla, i njohur për atentatin me tritol që iu vu 6 muaj më parë, u ndalua nga Policia pasi tentoi të kalonte drejt Greqisë me një pasaportë false. Me një identitet të ri me emrin Alfons Deda, Kulla po udhëtonte si pasagjer në një automjet tip “Audi” drejt shtetit helen. Kulla nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të ndalimit. Mbi Kullën, tashmë rëndon akuza e falsifikimit të pasaportës. Ndërkohë mësohet se ai tashmë ndodhet në Komisariatin e Gjirokastrës.

Kush është Lulzim Kulla dhe atentati me tritol që iu bë 6 muaj më parë

42-vjeçari Lulzim Kulla i shpëtoi për mrekulli një atentati të 13 janarit 2018. Në atentat mbetën të plagosur 8 persona, mes tyre dhe vetë Lulzim Kulla.

Nga një operacion i gjerë i Policisë së Elbasanit në bashkëpunim me atë të Shkodrës janë vënë në pranga 7 persona, të cilët u dyshuan si autorët e shpërthimit të fuqishëm me moto-bombë në mes të Shkodrës, ku mbeti i plagosur rëndë, Lulzim Kulla, i cili ishte dhe shënjestra e atentatit.

Nga shpërthimi u dëmtuan disa biznese aty pranë. Në objektin ku iu vendos tritoli, Lul Kulla kishte në pronësi një lokal si dhe disa ambiente të dhëna me qira.

Por kush është Lulzim Kulla?

Lul Kulla është emër i njohur për policinë për shkak të të kaluarës së tij kriminale. Ai njihet si “i forti” i Shkodrës i cili nënshtroi tregtarët e këtij qyteti, duke iu marrë edhe bizneset, ndërsa dyshohet se ka marrë pjesë edhe në torturimin për vdekje të një personi në këtë qytetit, por për ngjarjen nuk është dënuar askush.

Në qershor të vitit të kaluar, Lul Kulla është arrestuar nga policia për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit, në Shkodër. Ai është mbajtur në burg dhe është liruar pas gjashtë muajsh.

Lul Kulla pas vitit 1997 u kthye në makthin e tregtarëve dhe biznesmenëve në lagjen “Rus” të qytetit verior. Lul Kulla, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale, do vinte nën diktat bizneset e Shkodrës, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin nga qyteti. Për shumë vite ai mbajti nën kontroll lagjen e famshme të Shkodrës, duke kontrolluar aktivitetin tregtar.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment