B. Bistri mjeshtri i gurit nga fshati Mashkullore

Shqipëria ka një traditë të hershme të gdhendjes së gurit. Në zona të ndryshme të saj, guri ka gjetur përdorim në ndërtimin e shtëpive, mureve, dekorimeve të ndryshme, por edhe në shtrimin e rrugëve. Zona e jugut, kryesisht Gjirokastra e ka edhe më të theksuar. Por me kalimin e viteve mjeshtrit e gurit, ashtu siç është cikli i jetës, u larguan nga kjo botë, duke lënë pas veprat e tyre por shumë pak trashëgimtarë të zanatit. Nga 30 gurgdhendës që kanë qenë dikur, sot në Gjirokastër janë rreth  7 të tillë , të moshuar , pasi të rinjtë nuk shfaqin interes më për një profesion të tillë , pavarësisht këmbënguljes dhe dëshirës që të vjetrit kanë për ta trashëguar tek ata. Me zbehjen e këtij zanati , humbet edhe tradita e qytetit të gurtë.

Duke udhëtuar në fshatin Mashkullorë të Bashkisë Gjirokastër, në një nga shtëpitë pranë qendrës, gjejmë gurgdhendësin Bexhet Bistri. Sot ai është rreth 80 vjeç, por për asnjë moment të jetës së tij nuk ka hequr nga dora daltën e çekanin. Bexhetin e gjejmë në shtëpinë e tij në ato pak momente pushimi. I lumtur teksa na shikon, hap dyert e shtëpisë dhe na fton për një bisedë brenda. Mes emocionesh Bexheti na tregon një copëz të jetës së tij.

“Jeta ime ka qenë e vështirë. I vogël, vetëm 12 vjeç, im atë ndahet nga jeta, kishte dalë për dru me kafshë e kur po kthehej në shtëpi pela e goditi. Ai rrojti gjashtë ditë për të mbyllur sytë përgjithmonë. Burri i shtëpisë u largua duke na lënë vetëm me nënën. Ne ishim dy vëllezër e tre motra. Mes dhimbjes i them nënës dua të vazhdoj shkollën, pasi isha nxënës i mirë, ajo ma ktheu: Ku do shkosh mor bir? E kuptova që nuk ishte e mundur. Kisha ëndrra, por ato nuk u zhdukën ndonëse nuk shkova në shkollë. Nisa të dal me dhen, më pas në ’61 filluan të hapeshin shkollat, çerdhet e të tjerë, ndërsa unë fillova si usta. Më pas në ’66 fillova marangoz tek Ura e Kardhiqit. Për të vazhduar më pas si murator, gjithashtu me rrasën e gurit, me çatitë e shtëpive, me gdhendjen e gurit duke krijuar objekte të ndryshme kryesisht për dekorim. Që atëherë e deri më sot nuk i jam larguar për asnjë moment kësaj pune, rrëfen ai .

Bistri thotë se nëse dëshira është e madhe, mund të bësh atë që ti do pavarësisht se si ta punon jeta. “Kam vetëm katër klasë shkollë, por kjo nuk më pengoi të vazhdoja jetën dhe të bëja atë që doja. Nuk punoj me laps e letër, çdo gjë e krijoj vetë në mendje. Jam ideatori, projektuesi, jam inxhinieri, por edhe punëtori. Mjafton ta mendoj, të gjej materialin dhe pastaj direkt punës”, tregon ai me entuziazmin që e karakterizon.

I pyetur se ku e gjen materialin për të bërë harqet e shtëpive, dekoracionet e ndryshme në ambientet si shtëpi apo lokale, oxhaqet, tavolinat apo furrat e bukës , ai tregon  sakrificat që i janë dashur të bëjë për t’i marrë, në mënyrë që të realizoj këto punime“Materialin unë e marr në natyrë. Kam udhëtuar në fshatra të ndryshme, kam gjetur gurin më të përshtatshëm dhe e kam punuar. Ka gurë të ndryshëm me nuanca të shumta që pasi i marr, i pastroj, i skalis, u jap formën që dua dhe më pas i vendos tek objekti që kam marr përsipër për të bërë , tavolina, karriget , minibari apo çezmat që bëj. Ka qenë shumë e mundimshme marrja e tyre më parë, nuk kisha as makinë. I kam mbajtur në krahë, me këmbë deri në shtëpi. Kishte raste dhe në çantën, siç i themi ne, në torbën e bukës. Kam marrë material edhe në NSHN në Gjirokastër si dhe në fshatin Zenelaj. Aty ka një lloj guri që më ka ndihmuar shumë, është i zi dhe merr nuanca të ndryshme, një mrekulli për dekorim”, shpjegon ai.

Për sa i përket kërkesave të njerëzve për të tilla punime dhe kohëzgjatjes për bërjen e tyre, Bistri thotë se nevojiten disa ditë. “Kërkesa kam, guri është një element që i qëndron kohës, jo vetëm në cilësi, por edhe në modë. Ato që kërkojnë më shumë janë muret dekorues, harqet apo tavolinat. Në varësi të tyre puna zgjat 2 apo 3 ditë, por edhe në 15 ditë në rastin e harqeve. Kërkesa kam në Gjirokastër, por edhe në fshatrat përreth, pasi në fshatra punimi me gur është më i përhapur. Kam punuar dhe në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, në pjesën e mureve kemi pasur shumë punë”, shprehet Bexheti .

Por ajo që mjeshtri i gurit ka peng është mos trashëgimi i zanatit te brezi i ri. “Nuk e di, nuk e kuptoj se si këta të rinj duan ta krijojnë jetën. Largohen nga vendi, duke e gjetur si zgjidhjen më të shkurtër. Nëse punojnë, marrin një zanat do kenë punë dhe do jetojnë mirë. Unë nuk kam pasur asnjë të ardhur, e kam nisur nga zero, por arrita të bëj shtëpinë time, të krijoj familjen e ta mbaj derisa fëmijët dolën në jetë. Më vjen keq që djali im s’e trashëgoi këtë zanat, por do të dëshiroja që brezi i ri të kishte interes. Do i ndihmoja dhe do i mësoja sa të mundja. Mos të humbasë ky zanat, të cilin jugu e ka traditë të hershme”, shprehet ai .

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment