Babai i 25-vjeçarit Rasha: Policia e rrahu Klodianin më pas e vrau

0
158

Babai i Klodian Rashës kërkon zbardhjen e ngjarjes ku mbeti i vrarë i biri nga Policia, ndërsa këmbëngul se ai nuk ka pasur armë.
Qazim Rasha, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha që mbeti i vrarë nga Policia në Laprakë të Tiranës, ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion” në “Tv Klan”, gjatë së cilës është shprehur i revoltuar me veprimin e efektivit të Policisë.
Madje, Qazim Rasha ka deklaruar se djali i tij së shpejti do të martohej, ndërsa kërkon me dëshpërim zbardhjen e çështjes.
“Fatkeqësia ime, mos i ndodhtë askujt. Çfarë mund të thotë një baba për një djalë 25-vjeçar që kishte dalë të marrë një paketë cigare. E të iki se nuk ka maskë dhe të masakrohet nga Policia. Edhe kriminel të ishte, mund ta arrestosh, ai ishte te dera e shtëpisë. Edhe nëse kishte bërë faj, mund të kishte bërë gjithçka, mund ta kapte Policia ta arrestonte, ta burgoste, të bënte çfarë të donte, nëse kishte bërë faj. Por, ta masakrojë Policia një fëmijë 25 vjeç, kur unë e kisha për ta martuar”, është shprehur Qazim Rasha.
Ndërsa tregon se ka dëshmitarë që e kanë parë duke u zënë me Policin, i cili sipas tij e ka dhunuar.
“Ke dëshmitarë që e kanë parë skenën, duke u zënë me Policin, duke e gjurmuar dhe duke e rrahur aty në rrugë. Ai ka dalë të pinte një kafe dhe ka ardhur për te shtëpia. Kur ka parë policin ishte pa maskë dhe ata e kanë gjurmuar. Nëse ka shtet, nëse funksionon ligji, nëse ai ka qenë me armë unë e pushkatoj” .
“Nëse djali ka qenë duke ikur për një maskë dhe të masakrohet fëmija në derë të shtëpisë në lagje… Këtë edhe serbi nuk ta bën, nëse shkon dhe kalon matanë të kap dhe të arreston”, shprehet babai i 25- vjeçarit.
Ndërsa sa i përket precedentëve të mëparshëm penalë të tij, ai tregon se kjo bëhet nga Policia për të maskuar punët e veta. “E bëjnë për të maskuar ato punët e veta, nëse ekziston një nga ato, unë varem këtu. Po nuk kanë lidhje fare, këto janë budallaqe. Më tha vetë shefi që ata e kanë bërë, por ata janë maskarenj që kanë bërë veprimin. Të zbardhet e vërteta, ndryshe pastaj nuk mund të…” , ka treguar Qazim Rasha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here