Basha: Në sallën e Parlamentit ka anëtarë të grupeve të organizuara kriminale

Duke marrë shkas nga diskutimet në seancën e sotme lidhur me buxhetin 2022, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar nga foltorja e Parlamentit se brenda asaj salle, ka anëtarë të grupeve të organizuara kriminale.

Seanca ka pasur me tensione kur është folur për Kodin e Sjelljes. Teksa e ka quajtur kodin e sjelljes si më pak të vlefshëm se letra e banjos, Basha tha se në sallën e Kuvendit sot ka kriminelë të organizatave mafioze. 

Parafolësja na tregoi një broshurë që quhet kodi i sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Pra, është pirgu i letrave që na keni vënë përpara që kur jemi futur ditën e parë, është kjo. Kjo është një bllok bosh, është dhe një dyfletësh tjetër, nuk e di se çfarë është, ky është Kodi i sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që është një harxhim kriminal i parave dhe taksapaguesve të OSBE-së, këtë ia kam thënë ambasadorit paraardhës dhe ia them dhe këtij të riut që ka ardhur. Pse është një harxhim kriminal parash, sepse kjo nuk është gjë tjetër veçse një koperturë që ju doni të hidhni mbi një Kuvend, i cili ka një problem, ka një problem që ka ekzistuar dhe para 2013-ës por që ka marrë dimensione botërore pas 2013-ës. Këtu në këtë Kuvend ka kriminel, këtu tani që flasim ka anëtarë të krimit të organizuar në kartelat e sistemit të inteligjencës së policisë së shtetit. Në kartelat e Europolit, në kartelat e Interpolit, në kartelat e FBI-së, në kartelat e DEA-s, janë kriminel të ulur këtu. Ka dhe bedel të organizatave kriminale në kuptimin e Konventës së Palermos, jo më në kuptimin e retorikës politike. Të atyre që quhen grupe të strukturuara kriminale, edhe sipas kodit penal të Republikës së Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, këtu mbrapa, ulet dikush i cili ka përdorur fyerjet më të rënda, gjuhën më të ulët që njeh fjalori shqiptar, në veçanti ndaj zonjave në këtë parlament, tash 8 vite. Tash 8 vite pa i hyrë gjemb në këmbë. Ndaj, nëse do të kishte një proporcionalitet, e para dhe kryesorja që s’mund të ikni ju dhe të na bëni ne këtu morale për kodin e sjelljes së deputetit, është të kaloni vetingun në politikë, të pastroni sallën nga kriminelët dhe politikanët me kontakte të papërshtatshme. Siç, kemi votuar të pastrojmë gjyqësorin, pastroni sallën këtu. Kjo është e para, deri në atë moment më shumë vlen letra e banjos në tualetet e Kuvendit, se sa kjo këtu. Mos na e tundni këtë këtu. Kjo është e para. Dhe e dyta, kur të filloni me sanksione, në qoftë se nuk zbatoni proporcioanlitetin e sanksioneve i bie që për aq kohë sa i ka mbetur dhe të jeni të sigurt që do të punojmë çdo ditë t’ia shkurtojmë orët, ai këtu nuk duhet të vij fare me ato që ka nxjerr nga goja. Këtë legjislaturë dhe legjislaturës e tjera, prandaj matini dhe një herë fjalët, mos na e tundni këtë, mos e tundni litarin në shpinën e të varurit se po vareni nga plepat e gjithë Shqipërisë si parti e kriminalizuar në palcë.

Rregullorja e Kuvendit, sipas kryedemokratit, nuk arrin t’i mbulojë do ata.

Ai u ndal edhe në ndryshimet kushtetuese që Partia Socialiste ka kryer mbi procesin zgjedhor.

Ndër disa vendime, Basha cilëson edhe votimin e mazhorancës kundër ngritjes së Komisionit Hetimor për çështjen e njohur si “Becchetti”.

Ky kaloi 20 sekonda meqë do të mbash kohën, mbaje kohën. Tani të kalojmë tek thelbi sepse nuk na heq dot nga thelbi. Kjo është me të vërtetë kushtetuta e republikës së Shqipërisë, por gjithçka tjetër këtu është jo vetëm pa lidhje me këtë kushtetutë por është antikushtetuese. Dhe ne nuk jemi këtu si garnitura e një skote antikushtetuese të ardhur me parat e krimit, me bandat me blerjen e votës me shpërdorimin e parave të tërmetit me keqpërdorimin e fatkeqësisë me shkatërrimin e fshehtësisë dhe lirisë së votës dhe këto janë citime të raportit të OSBE-ODHIR. Ne kemi ardhur këto të bëjmë gjithçka për ta çliruar Shqipërinë nga kjo skotë. Me gjithë respektin që kam për ato të paktë mes jush që nuk kanë lidhje me masakrën zgjedhore të 25 Prillit. Kështu që kur e merr kete në dorë kujdes, sepse të pakëta janë faqet ku nuk janë shkruar rregulla që i keni dhunuar me vetëdije. Keni dhunuar edhe ndryshimet e njëanshme antikushtetuese që këni bërë me 30 korrik. Vetëm për ta mbajtur pushtetin me dhunë me 25 Prill. Këtu është edhe parashikimi kushtetues që keni shkelur jo më pak se 2 javë më para kur ndaluat komisionin hetimor Beccheti. Ndonëse keni 3 vendime të gjykatës kushtetuese. Ju nuk pyesni për kushtetutë, ju nuk pyesni për gjykatë kushtetuese, ju nuk pyesni për ligj, ju s’pyesni për njerzillëk, ju s’pyesni për njerëzit, ju s’pyesni për hallet e tyre. Ju keni vetëm hallin tuaj dhe për hallin tuaj jeni gati ti veni flakët këtij parlamenti dhe Shqipërisë. Nuk do ua lejojmë dhe do të digjeni vetë në flakën që keni ndezur.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment